1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Osmani: Shqipëria të dënojë gjenocidin serb në Kosovë

19 Dhjetor 2020

Në vizitën e parë në Tiranë, presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani kërkoi rezolutë të Shqipërisë për dënimin e krimeve serbe, si edhe u shpreh me kritika ndaj projektit të Mini Schengenit.

https://p.dw.com/p/3mx66
Albanien Tirana |  Vjosa Osmani und Ilir Meta
Pritja e presidentes në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani nga presidenti i Shqipërisë. Ilir MetaFotografi: Presidency Press Office

Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani, përfundoi të premten, (18.12)  vizitën e  saj të parë në Shqipëri pas marrjes së këtij posti. Gjatë tri ditëve të kësaj vizite ajo zhvilloi takime me lidershipin politik dhe mbajti një fjalim me mesazhe politike nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë. Roli që duhet të luajë Shqipëria në politikën dhe organizatatat ndërkombëtare për të dënuar krimet serbe në Kosovë dhe zgjerimi i bashkëpunimit të gjithanshëm mes Kosovës dhe Shqipërisë ishin mesazhet kryesore që ajo dha në Tiranë.   

Shqipëria - Rezolutë dënimi për krimet serbe në Kosovë

Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani tha në fjalën e saj të mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë se "Serbia nuk ka ndryshuar”. "Tirana dhe Prishtina duhet të ndalin gjuhën e urrejtjes antishqiptare dhe përpjekjet e Beogradit për të fshehur krimet. Ekziston vetëm një e vërtetë, që ka ndodhur përpara syve të të gjithë botës: Serbia kreu gjenocid në Kosovë”, theksoi ajo.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin Ilir Meta, ajo kërkoi që Kuvendi i Shqipërisë të miratojë një rezolutë, ku të dënojë gjenocidin serb në Kosovë. "Kuvendi i Kosovës e ka miratuar rezolutën për krimet serbe në Kosovë dhe ka kërkuar që ata që e kryen gjenocidin të dalin para drejtësisë. Është krejtësisht e natyrshme që të presim që Shqipëria të jetë vendi i dytë që ta bëjë këtë, pas Kosovës,” theksoi ajo.

Në takimin me kryetarin e PD dhe liderin e opozitës jashtë parlamentit, Lulzim Basha, presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani theksoi se,” Serbia dhe aleatët e saj po falsifikojnë historinë”. "Që mos të përmbyset e vërteta, kemi nevojë për Shqipërinë. Që të jetë zëri ynë atje ku nuk kemi zë. Kosova nuk ulet në një numër të madh organizatash ndërkombëtare, aty do të kemi nevojë që të intensifikohet zëri i Shqipërisë,” theksoi ajo. Takimi i presidentes në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani, me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama ishte i mbyllur dhe pas tij nuk pati konferencë të përbashkët për shtyp apo deklarata nga palët.

Rritja e bashkëpunimit mes dy vendeve

Kërkesa që kjo të ndodhë është një komponent i përhershën në shkëmbimet e vizitave zyrtare në nivel të lartë nga të dyja vendet. Osmani tha në Tiranë se "bashkëpunimin nuk e pengon rregulli formal i kufijve”.

Albanien Tirana |  Vjosa Osmani und Premierminister Rama
Vjosa Osmani me kryeministrin RamaFotografi: Prime Minister Press office

Osmani u shpreh kundër nismës për krijimin e Mini Schengenit në Ballkanin Perëndimor kur tha, se "nisma e Mini-Shengenit Ballkanik është e dëmshme për Shqipërinë dhe Kosovën”, një qëndrim ky i ndryshëm nga ai i kryeministrit Rama dhe vetë kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti. Nuk ka informacione, nëse nisma e Mini Schengen-it ballkanik ka qenë pjesë e bisedës që Osmani pati me kryemninistrin Rama në kuadër të vizitës së saj triditore në Tiranë.

Në shtator të këtij viti, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, nënshkroi në Washington Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve Ekonomike mes Kosovës dhe Prishtinës. Pjesë e marrëveshjes është edhe pjesëmarrja e Kosovës në nismat e bashkëpunimit rajonal dhe krijimit të një zone të përbashkët rajonale ekonomike. Përtej këtij qëndrimi Osmani e cilësoi "të domosdoshëm bashkëpunimin mes dy vendeve në ekonomi e diplomaci, gjë që nuk e pengon dot rregulli formal i kufijve”, theksoi ajo.

"Duhet të heqim barrierat, Kosova nuk ka nevojë për traun e vendosur nga Shqipëria. Në kohën e integrimit europian vendosja e barrierave në komunikimin në mes të dy vendeve tona është kundër frymës së lëvizjes së lirë dhe forcimit të marrëdhënieve ndërshtetërore", tha Vjosa Osmani.

 

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana