1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Orkestra Dritë dhe Shpresë

27 Shkurt 2021

Një orkestër nga Egjipti e përbërë vetëm nga muzikante të verbra, të cilat dëshmojnë se asgjë nuk është e pamundur.

https://p.dw.com/p/3pzmT
Global 3000 - Ägypten Blindenorchester
Fotografi: WDR

Në vitin 1971 Isteqlal Rady, themelues i shoqatës "Dritë dhe Shpresë", e cila kujdeset për të verbërit, krijoi edhe një orkestër për vajza të verbra. 

"Unë ju bashkova orkestrës kur isha 21 vjeç, tani jam 59. Reagimet e njerëzve rreth meje ishin të ndryshme. Kishte njerëz që thoshin se muzika është haram, dhe të tjerë që thonë se muzika është diçka e bukur. Ka edhe njerëz që mendojnë se të verbërit nuk duhet të bëjnë gjë tjetër vetëm se të lexojnë Kuranin për të vdekurit në varreza. Ne përpiqemi t'i ndryshojmë këto ide." kujton Sharifa Ahmed.

 

Kjo është e vetmja orkestër e përbërë vetëm nga muzikante të verbra në botë. Orkestra ka grupe të vogla dhe të mëdha. Moshat e muzikanteve shkojnë nga 15 në 60.

Anëtaret e orkestrës mësojnë katër lloje të ndryshme veglash muzikore.

Shaimaa Yehya është violiniste në orkestrën "Dritë dhe Shpresë". "E dua violinën sepse ndjej që ka një gamë të madhe muzikore dhe mund të shprehë një sërë ndjenjash." - thotë ajo.

Pa partitura dhe pa dirigjent

"Muzikantët e orkestrave përdorin kur japin koncerte partiturat. Kurse muzikantet e verbra i mësojnë të gjitha përmendësh, falë trajnimit që bëjnë gjatë provave." - thotë Naja Radvan, menaxhere ekzekutive e orkestrës.

Kurse Mohamed Saad, drejtues i orkestrës thotë se instituti ka një sistem shumë të mirë që nga fillimi i tij. Sistemi funksionon shumë mirë, është i qëndrueshëm, por gjithashtu nuk është i lehtë dhe është një përgjegjësi e madhe për administratën dhe anëtarët.

 

Të gjithë duhet të angazhohen për datat dhe orët e provave dhe koncertet. Ekziston një nivel i lartë angazhimi dhe kjo është arsyeja pse sistemi vazhdon të ekzistojë megjithë burimet e kufizuara.

Orkestra ka dhënë shfaqje dhe koncerte në më shumë se 30 vende të botës. Sharifa Ahmed është krenare: "Asgjë nuk është e pamundur. Ne duhet t'u dëshmojmë njerëzve se mund të bëjmë gjithçka dhe nuk një pengesë që na ndal."