Origjinal a falso? | Evropa | DW | 26.07.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Origjinal a falso?

Lulëzon trafikimi i cigareve të falsifikuara në kufirin çeko-gjerman

default

Cigaret në Gjermani janë të shtrenjta. Një paketë kushton 4 Euro, 3 prej të cilave shkojnë në arkat e shtetit në formë tatimesh. Një problem për industrinë e cigareve, e cila vitet e fundit po konfrontohet me humbje në xhiro. Shkak për këtë nuk është rënia e konsumit të cigareve tek gjermanët, por trafiku ilegal i cigareve. Tregun gjerman kanë filluar ta sundojnë tani cigaret e falsifikuara.

Një treg në qytezën çeke Heb, disa kilometra larg kufirit mes Çekisë dhe Bavarisë. Qindra barraka të mbushuara me prodhime falso firmash të njohura. Bluza "Adidasi", syze djelli "Prada", çanta "Lui Vuitton", të gjitha me çmime jashtëzakonisht të lira. Tregtarët vietnamezë përpiqen me këmbëngulje të tërheqin klientët, ndonjërin prej kalimtarëve e kapin për krahu.

"Keni cigare?" pyet reporterja me një mikrofon të fshehur.

Shitësja përshpërit: "Po, cilin lloj doni?"

"Sa kushton një stekë Marlboro?" pyet reporterja.

"Kam origjinal për 18 Euro" përgjigjet shitësja.

Gruaja e re me dhëmbë të rëna pastaj shkon në një dhomë të fshehur mbas dyqanit dhe kthehet me një stekë "Marlboro". Një kopje e bërë keq: Kjo duket edhe tek paralajmërimi i ministrave të BE-së, që është shkruar me gabime gramatikore. Por steka është shumë e lirë: nga 18 Euro vietnamezja e ul pazarin në 12 e pataj në dhjetë Euro. Në Gjermani një stekë origjinale Marlboro kushton 40 Euro.

Nuk është çudi që industria e cigareve është e shqetësuar. Rritja e tatimeve mbi duhanin, ndalimi i duhanit në vende publike dhe ligjet për mbrojtjen e joduhanxhinjve e kanë vënë atë me shpatulla pas muri. Edhe cigaret e falsifikuara i mungonin: "Ne nuk dimë se ç'përbërje kanë. Prandaj edhe janë problematike. Për shembull mund të kenë pesticide që janë përdorur në parcelat e duhanit," - thotë Andrea Vinkhardt nga Shoqata e Industrisë së Cigareve.

Një sërë studimesh të pavarura kanë vërtetuar, se cigaret e falsifikuara janë shumë më të rrezikshme për shëndetin se origjinalet. Sepse ato bëhen nga duhan i cilësisë së dobët ose madje edhe nga mbeturinat. Por industria nuk është edhe kaq e shqetësuar për shëndetin e konsumatorit, se sa për humbjet në xhiro. Cigare të falsifikuara nuk shiten vetëm në Çeki dhe Poloni. Në një masë të madhe ato trafikohen në Gjermani. Dhe kjo do të thotë humbje në miliarda për industrinë e duhanit: "Një cigare e trafikuar e patatimuar është për ne një cigare e shitur më pak. Për shkak të rritjes tre herë të tatimeve vetëm në pesëvjeçarin e fundit xhiroja jonë është pakësuar me një të tretën," - ankohet Andrea Winkhardt.

Franc Paulus është njëri nga hetuesit e doganës që sot punon me një grup kontrolli në zonën kufituare. Në autostradë ata ndalojnë kamiona që vijnë nga Evropa Lindore. Qen të trajnuar për të zbuluar duhan vihen në përdorim dhe nganjëherë edhe pajisje radiografike. Me anë të këtyre mund të shihet se a ka kamioni dysheme të dyfishtë ose ndonjë ngarkesë tjetër të ndaluar. "Edhe këtu kemi cigare, kamioni ka ngarkuar hedhurina alumini. Po të shohësh nga pas ose nga sipër shikon vetëm alumin. Ndërsa poshtë kishte vënë cigaret." tregon Paulus.

Në vitin e kaluar dogana gjermane ka kapur 735 milionë cigare të falsifikuara. Industria e duhanit llogarit se një nga gjashtë cigare në Gjermani është e falsifikuar.

Në tregun qytezës kufitare Heb mes barrakave shikon turistë gjermanë me qese plastmasi të mbushura me mallra. Shumë prej tyre kanë blerë cigare, kjo nuk është aspak e dënueshme. Një stekë pro person lejohesh ta kalosh përtej kurfirit, origjinal apo falso.

  • Data 26.07.2006
  • Autor Monika Ditrih
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArAV
  • Data 26.07.2006
  • Autor Monika Ditrih
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArAV