1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
Media

Origjina e keqbërësit - Mediat gjermane me një trend të ri

Wolfgang Dick
2 Prill 2017

Ajo që në vende të tjera është e vetëkuptueshme në Gjermani është e kontestuar: Përmendja e origjinës së keqbërësve. Një debat mbi zhvillimet aktuale.

https://p.dw.com/p/2aUfR
Berlin DW TV Studio mt Mandy Pantinkin
Fotografi: DW/J. Reed

Autori i dyshuar i veprës penale është „një gjerman PA sfond migracioni". Ky shënim vjen nga policia e Manhaimit në Twitter, pasi një person i gjinisë mashkullore u vërsul me makinë në qendër të Haidelbergut në turmën e njerëzve. Me këtë policia reagoi ndaj debatit në mediat sociale, se origjina e personit nuk përmendet qëllimisht. Pas kësaj qëndron një debat më i madh, që zhvillohet prej kohësh në mediat gjermane. Duhet të përmendet origjina e keqbërësit apo jo? Drejtori i Institutit të Publicistikës në Majnc, Nicolas Jackob thekson "Pse është e rëndësishme që për të kuptuar vjedhjen e një kioske të dihet me patjetër, nëse bëhet fjalë për një serb, turk, apo një banor me origjinë nga Frankfurti?”

Në Gjermani nuk është tipike përmendja e origjinës së autorit të veprës penale, Por trendi aktual po sjell ndryshime. Nacionaliteti po luan rol gjithnjë e më të madh në raportimin për rastet kriminale. Skandali më i njohur është „Nata e Vitit të Ri" në Köln, kur në kohën e ndërrimit të viteve një numër i madh femrash u vodhën apo u ngacmuan seksualisht. Dëshmitarët i përshkruan këta persona „me pamje arabe apo afrikanoveriore". Kjo bëri të shtoheshin kritikat ndaj raportimit të mediave: Origjina e keqbërësve nuk përmendet qëllimisht. Vërtet shumica e mediava gjermane në fillim nuk e përmendën këtë –kjo për shkak të rregulloreve etike të tyre.

Köln Übergriffe in der Silvesternacht
Ngacmime masive seksuale të vajzave në Natën e Vitit të Ri, 2015 në KëlnFotografi: picture-alliance/dpa/M. Boehm

Këshilli i Shtypit ndryshon rregulloren

Presioni i opinionit publik pati efekt në raportimin mediate. Sipas një studimi të Universitetit të Mynihut, pas Natës së Vitit të Ri në Këln, mediat e kanë përmendur shumë më shpesh se më parë origjinën e keqbërësve në raportime. Megjithëse në të njëjtën kohë statistikat nuk shënojnë ndonjë rritje më të madhe të kriminalitetit të keqbërësve me origjinëtë huaj.

Së fundmi edhe Këshilli i Shtypit përshtati rregulloren për raportimin e veprave penale. Tani mjafton "interesi publik” për të justifikuar përmendjen e "përkatësisë etnike, fetare apo të pakicave të tjera” në raportim. Më parë duhej të ekzistonte një lidhje konkrete përmbajtësore, se për shembull nëse rasti kishte të bënte drejtpërdrejt me mafian italiane.

Shumica e mediave gjermane orientohen në Kodin e Shtypit të Këshillit të Shtypit, një organ vetëkontrolli, i ngritur pas Luftës II Botërore e kohës së nacionalsocializmit. Përmendja vetëm në raste të veçanta e origjinës së keqbërësit, kishte si qëllim mënjanimin e hedhjes së dyshimit të përgjithshëm kundrejt grupeve etnike apo fetare. Ky kujdes me temën e nacionalitetit ka lidhje me trashëgiminë historike të kohës së nazizmit. Në kultura të tjera si në SHBA apo Britaninë e Madhe raportohet më ashpërsisht, ndryshe nga Gjermania, si për njerëzit e njohur ashtu edhe keqbërësit, thotë Nicolas Jackob.

"Por çfarë ndodh, nëse ne rregullisht akuzohemi se fshehim diçka? Nuk është dëmi më i madh?” Sipas ekspertit Nikolaus Jackob këto janë pyetje që i preokupojnë gjithnjë e më shumë gazetarët gjermanë. Televizioni privat n-tv vendos në bazë të rastit e kritereve etike. „Kjo bëhet në kontekstin e ofrimit të një informacioni sa më të plotë dhe mosdegradimit të shikuesve tanë", thotë Sonja Schwetje, kryeredaktore e televizionit. Ndërsa televizioni i dytë publik gjerman, ZDF e përmend origjinën e autorëve të veprave penale, vetëm nëse kjo ndihmon në përshkrimin e aktit të kryer – gjë që është gjithmonë një çështje komplekse që kërkon mirëpeshim. Ka edhe raste ekstreme si gazeta „Sächsische Zeitung". Ajo e përmend rregullisht origjinën e keqbërësve. Shkak për këtë u bë një sondazh mes lexuesve, ku gati gjysma e të anketurave u shpreh se origjina nuk përmendet, sepse „ky është rregull i vënë dikur lart në kohë krize të refugjatëve". Eksperti Georg Ruhrman që merret me temën e migracionit dhe mediave shprehet, se edhe pse raportimi transparent jep një pamje më reale të ndodhisë „mund të ndodhë që të shfaqen stereotipe, varësisht nga rutina e gazetarëve, apo edhe shprehje të diskriminimit."