Organi i ruajtes së kushtetutës në Berlin mbi rrezikun nga islamizmi | Politika | DW | 03.11.2003
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Organi i ruajtes së kushtetutës në Berlin mbi rrezikun nga islamizmi

"Gjendemi përpara një udhëkryqi. Deri tani kemi toleruar gjithçka në Gjermani, kemi garantuar dhe kemi mbështetur larminë dhe identitetin kulturor për secilin grup të popullsisë. Nëse duam të vazhdojmë kështu, unë personalisht nuk shoh alternativë tjetër, atëherë duhet të vendosim kufij të qartë për të gjithë ata që për shembull për arsye të pretendimit për sundim të vetëm jo vetëm që nuk i mbështesin këto vlera, por duan t'i shkatërrojnë ato."

Fjalë të qarta të senatorit të rendit të Berlinit Ehrhart Körting në drejtim të islamistëve. Por ai theksoi njëkohësisht se bëhet dallim midis myslimanëve të shumtë që jetojnë në paqe në Gjermani e që respektojnë rendin shtetëror dhe shoqëror dhe atyre të paktëve që i luftojnë ato me synim krijimin e shteteve fetare, në të cilat nuk durohen me të njëjtat të drejta norma dhe fe të tjera përveç asaj të shpallur prej tyre.

Nga islamistët në Berlin rreth 75 për qind janë me origjinë turke. Si organizata e tyre me më shumë anëtarë konsiderohet Bashkësia Islame Milli Görüs. 25 përqindëshi i mbetur janë islamistë nga hapësira arabe. Përveç përkrahësve të organizatës ndërkombëtare Al-Qaida këtu vlen të përmenden ajo palestineze Hamas, libanezja Hizb Allah ose ajo e përfaqësuar në Gjermani nga vëllazëria myslimane. Islamizmi ofron aktualisht një pamje të turbullt dhe pak të tejdukshme. Heterogjeniteti i jashtëzakonshëm përsa u takon kombësive të ndryshme dhe orientimet e ndryshme fetaro-politike e vështirësojnë kategorizimin e organizatave dhe të shoqatave.

Siç tregojnë arrestimet e kryera në Gjermani që prej vitit 2000 dhe proceset e mëpasme gjyqsore muxhahedinët arabë kanë edhe këtu potencial përkrahësish. Sipas kreut të organit të ruajtjes së kushtetutës në Berlin Claudia Schmid ekzistojnë rrjete që zotërojnë infrastrukturë logjistike për furnizim me të holla, dokumenta të fallsifikuara dhe me telefona mobilë. Ato përpiqen kryesisht të shkollojnë ideologjikisht myslimanët e rinj dhe t'i fitojnë ata për aksione terroriste ose për mbështetjen e tyre logjistike.

"Islamizmi i organizuar politikisht ka mjete të holla që nuk duhen nënvlerësuar. Ato synojnë plotësimin e interesave të tij dhe shtrihen deri në jetën e përditshme. Dallimi midis hapjes ndaj kulturave të huaja nga njëra anë dhe mirëbesimit të gabuar, naivitetit, nga ana tjetër është i vështirë. Ai ka nevojë për njohuri të fushës dhe për diskutim intensiv."

Sipas Schmid-it me anë të analizave të tij dhe të ofrimit të informacionit publik organi i ruajtjes së kushtetutës mund të kontribuojë në objektivitetin e diskutimit. Asaj i vjen keq që në mjetet e informimit zënë vend kryesisht raporte mbi atentate terroriste e të ngjashme dhe mjaft pak zëra demokratikë nga hapësira islame. Aq më e kënaqshme ishte dhënia e Çmimit Nobel për paqen iranianes Shirin Ebadi, me çka u vlerësua angazhimi i saj për demokracinë dhe për të drejtat e njeriut. Në këtë mënyrë vlerësohen dhe u kushtohet vëmendje e madhe publike asaj dhe grupeve që e mbështesin, fuqizohet pozicioni i tyre.

Schmid thekson se duhet të jetë e qartë që zbulimet e shërbimeve sekrete dhe të policisë mund të shmangin atentate të veçanta, por se kështu nuk zhduken arsyet e terrorizmit, motivet e atentatorëve. Analiza e arsyeve të urrejtjes dhe zhvillimi i metodave të zgjidhjes politike përbëjnë sipas saj sfidën më të madhe që prej 11 shtatorit 2001.


  • Data 03.11.2003
  • Autor Sabine Ripperger
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqw8
  • Data 03.11.2003
  • Autor Sabine Ripperger
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqw8