1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Opozita në Shqipëri vazhdon grevën por shpreh edhe gatishmëri për kompromis

15 Maj 2010

Pas protestës së madhe të premten (14.5.) në Tiranë, opozita deklaron se nuk heq dorë nga kërkesa për rinumërimin e votave të zgjedhjeve të qershorit 2009. Megjithatë ajo shprehet e gatshme për një zgjidhje kompromisi.

https://p.dw.com/p/NOn0
Grevistët e opozitës në çadrat ku prej mëse dy javësh mbajnë një grevë urie.
Fotografi: AP

Kryeministri shqiptar Sali Berisha tha të shtunën (15.5.) në mesditë në një konference për shtyp, se bazë për zgjidhjen e krizës në Shqipëri është rezoluta e Asamblesë Parmentare të Këshillit të Evropës dhe deklaratat përkatëse të Bashkimit Evropian. Ai mohoi se kishte dijeni për një draft të hartuar nga faktorët ndërkombëtarë në Tiranë lidhur me zgjidhjen e krizës aktuale në vend.

Kryeministri Sali Berisha, gjatë konferencës për shtyp. Tiranë, 15.5.2010
Kryeministri Sali Berisha, gjatë konferencës për shtyp. Tiranë, 15.5.2010Fotografi: DW

“Garantoj me përgjegjësi maksimale se në tryezën time, në mënyrën më absolute dhe kategorike nuk ekziston asnjë draft tjetër, nga askush, nga asnjë institucion europian dhe perëndimor për këtë problem. Gjithçka tjetër është gënjeshtër, e bazuar mbi mashtrimin dhe trillimin.” tha ai.

Por dje ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch deklaroi të kundërtën. "Ka një dokument shumë të mirë kompromisi mbi tavolinën e palëve. Në emër të gjithë faktorit ndërkombëtar u bëj thirrje lideravë politikë që ta marrin atë parasysh, të tregojnë kurajo, të tregojnë që janë burra shteti dhe të mos shohin interesat e tyre personale . Koha për ta bërë këtë është tani. Dokumenti ka mbështetjen e BE, SHBA dhe të OSBE-së " - tha dje ambasadori Bosch.

Rezoluta e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e hartuar në shkurt të këtij viti, sheh mundësinë e zgjidhjes së krizës në ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar të kryesuar nga opozita dhe në respektimin e kushtetutës dhe vendimit të gjykatave vendore. Në mars të këtij vit parlamenti miratoi ngritjen e një komisioni të tillë parlamentar, por opozita kundërshton të marrë pjesë në të pasi ky komision përjashton mundësinë e hapjes së pjesshme të kutive të votimit.

Të premten (14.5.) mijëra përkrahës të PS-së dhe partive të tjera opozitare nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë mbajtën një protestë në bulevardin kryesor të Tiranës. Qëllimi i tyre ishte mbështetja e grevës së urisë që prej dy javësh po zhvillohet nga rreth 200 përkrahës të opozitës, mes tyre dhe disa deputetë të saj.

Sipas organizatorëve në protestë morrën pjesë rreth 200.000 vetë. Ata kërkojnë rinumërimin e votave të zgjedhjeve të qershorit 2009 dhe dorëheqjen e kryeministrit Sali Berisha. Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama u shpreh se nuk ishte greva e urisë që ka sjellë thellimin e krizës, por sipas tij thellimi i krizës që ka sjellë grevën. “Do të rezistojmë me kurajo e durim pa thyer asnjë xham e pa këputur asnjë lule”, tha kryetari i opozitës. “Fitorja e kauzës sonë është shumë më afër se sa 14 ditë më parë. Ne nuk lëvizim nga këtu, sepse ajo që ne kërkojmë është interesi ynë kombëtar”, iu tha mbështesve Edi Rama.

Ndërsa Skënder Gjinushi nga Partia Socialdemokrate duke folur para protestuesve u shpreh: "Kriza ka një emër - Sali Berisha. Ka vetëm një zgjidhje, dorëheqja e tij."

Protesta e opozitës u mbikëqyr nga forca të shumta të policisë të vendosura jo vetëm përgjatë bulevardit, por dhe në akset kryesore hyrëse e dalëse të kryeqytetit.

Autor: dpa/muka/ruci/xhani

Redaktoi: Sonila Harasani