1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni: Opozita pret mandat për formimin e qeverisë

1 Mars 2017

Lideri i Lidhjes Social-Demokrate Zoran Zaev është në pritje të dorëzimit të mandatit nga ana e Presidentit dhe fillimin e negociatave me partitë për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë.

https://p.dw.com/p/2YTK7
Mazedonien Skopje Demonstration
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/B. Grdanoski

Lideri i Lidhjes Social-Demokrate Zoran Zaev nënshkrimet e deputetëve, si garanci për sigurimin e shumicës parlamentare, i ka dorëzuar që të hënën në Presidencën e Maqedonisë. Tani ai është në pritje të dorëzimit të mandatit nga ana e Presidentit dhe fillimit të negociatave me partitë për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë. Zaev thotë se se pret që presidenti Ivanov t`ia japë mandatin në një afat sa më të shkurtër kohor. "Pres që Ivanov të më japë mandatin në një afat sa më të shkurtër kohor që të mund të fillojmë bisedimet për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë. Shpreh bindjen se do të ketë një transferim të shpejt dhe pa probleme të pushtetit”, është shprehur lideri i socialdemokratëve Zoran Zaev.

BDI në apo jashtë qeverisë?

BDI vendosi t'i japë nënshkrimet e deputetëve të saj, liderit të LSDM-së për marrjen e mandatit nga presidenti Ivanov për formimin e qeverisë së re. Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani thotë se kjo nuk do të thotë se BDI ka vendosur të bëjnë koalicion me LSDM-në. BDI ka dy opcione në tryezën e diskutimeve: pjesëmarrja në qeverinë e Zaevit, apo mbështetja e një qeverie të pakicës. Osmani thotë se Kryesia Qendrore debaton mbi këto opcione dhe se debati do të vazhdojë edhe ditëve në vijim, deri në shterjen e të gjitha argumenteve. "Në lojë janë të gjitha opcionet, shtjellohet opcioni i mbetjes në opozitë ose i përkrahjes së qeverisë së pakicës, sepse interesi ynë nuk është pjesëmarrja në Qeveri me çdo kusht por realizimi i programit tonë politik”, thotë zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani.

Mazedonien Jubel Wahlen Zoran Zaev
Fotografi: picture-alliance/dpa/V. Xhemaj

Profesori universitar Mersel Bilalli, thotë se nëse Gjorgje Ivanov si president i shtetit, nuk ia ndan mandatin Zaevit, i cili ka arritur të sigurojë shumicën parlamentare, atëherë deputetët mund të mblidhen në një seancë dhe ta zgjidhin këtë situatë.  "Në Kushtetutë nuk thuhet asgjë rreth mbledhjes së Parlamentit me vetë-iniciativë të deputetëve. Dorëzimi i mandatit nga ana e presidentit, është vetëm akt formal, pra Ivanovi nuk ka të drejtë të hyjë në shqyrtimin e programit qeveritar që përbën shumicën parlamentare ngase Maqedonia nuk është shtet me sistem presidencial. Parlamenti mund të mblidhet me vetë-iniciativë dhe të hapë rrugë për nxjerrjen e vendit nga kriza”, shprehet Bilalli.

Eurokomisioneri për Zgjerim i BE-së , Johannes Hahn, është shprehur se BE pret nga presidenti Gjorge Ivanov që t'i dorëzojë kreut të LSDM-së, Zoran Zaev, mandatin për formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë. Nesër në Shkup(02.03.2017) do të qëndroj edhe eurokomisionerja për politikën e Jashtme të BE-së Federika Mogerini.

Protesta në Maqedoni

Iniciativa Qytetare në përkrahje të VMRO-DPMNE-së tani prej katër ditësh po mbanë protesta në Shkup dhe në disa qytete të Maqedonisë kundër koalicionit të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë me partitë politike shqiptare, pasi paraprakisht është arritur ujdi për ligjin që mundëson një shtrirje më të gjerë të shqipes në tërë territorin e Maqedonisë. Protestuesit, gjatë protestave kanë brohoritur thirrje të shumta antishqiptare. Protestuesit këndonin këngë nacionaliste e mbanin në duar parulla, ku shkruhej "Jo dygjuhësisë”. Ata thonë se "marshi” kundër gjuhës shqipe ka të bëjë me ruajtjen e shtetit unitar. Motoja kryesore e protestave është "një shtet, një gjuhë dhe një Maqedoni”.

"Shqiptarët në Maqedoni kanë shkolla në gjuhën shqipe madje kanë dhe fakultete në gjuhën shqipe. Çka kërkojnë më shumë? Të na e marrin tërë shtetin në duar, duke vendosur shqipen edhe në kartëmonedhat apo uniformat e pjesëtarëve të sigurisë? Këtë nuk do ta lejojmë”, ka thënë Valentina Simoneska protestuese.

"Shqiptarët përderisa jetojnë në Maqedoni do të duhet ta mësojnë mirë gjuhën maqedonase nëse dëshirojnë të komunikojnë me institucionet dhe jo institucionet t'i detyrojnë të flasin shqip”, thotë Nikolla, pensionist. Protestat e mbrëmshme kanë eskaluar me dhunë, pasi një grup i protestuesve ka goditur me grusht gazetarin dhe kameramanin e një portali televiziv. Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë dhe Sindikata e Gazetarëve ka kërkuar nga organet e sigurisë që të angazhohen në zbardhjen e tërësishme të sulmit ndaj gazetarëve. SHGM ka fajësuar VMRO-DPMNE-në për incidentin, ndërsa nga Sindikata e Gazetarëve të Maqedonisë kanë theksuar se nuk guxojnë të mbeten të padënuar ata të cilët ushtrojnë dhunë ndaj punonjësve të mediave.

Mazedonien Wahlen - VMRO-DPMNE Gruevski
Fotografi: Reuters/O. Teofilovski

Analistët: Të mos luhet me letra nacionaliste

Njohësit e çështjeve politike thonë se protestat kundër përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe krijojnë presion ndaj presidentit të Maqedonisë që të mos ia ndajë mandatin Zoran Zaevit, i cili tanimë ka deponuar dhe nënshkrimet e 67 deputetëve si garanci për sigurimin e shumicës parlamentare. Analisti politik Mitko Gaxhovski vlerëson se nxitja e protestave për kinse mbrojtje të interesave shtetërore të Maqedonisë, synon të pengojë bartjen e qetë të pushtetit, nën kërcënimin se do të ketë trazira.

"Me përshkallëzimin eventual të situatës së sigurisë synohet të pengohet procesi i formimit të qeverisë së re të Maqedonisë dhe funksionimi normal i institucioneve të shtetit, sepse tanimë është e qartë se një pjesë e pushtetarëve do të duhet të përballen me drejtësinë”, thotë Gaxhovski.

Për analistin Xhelal Neziri, në Maqedoni për herë të parë cënohet kalimi i qetë i pushtetit, duke imponuar nevojën e formimit të një koalicioni të gjerë që VMRO-DPMNE e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski të mos shkojë në opozitë.

"Gruevski ka për qëllim që të imponojë një koalicion të zgjeruar, pjesë e të cilit do të jetë dhe VMRO-DPMNE, të cilën e drejton. Në fakt Gruevski nuk dëshiron të mbetet jashtë pushtetit, nuk dëshiron që VMRO-DPMNE të shkojë në opozitë, sepse do të humb në tërësi kontrollin ndaj institucioneve të shtetit,   kontroll që i ka garantuar paprekshmëri në raport me hetimet që po bën Prokuroria Speciale Publike e Maqedonisë”, shprehet Xhelal Neziri.

Analisti Nikolla Dujovski thotë se realiteti në Maqedoni ka ndryshuar dhe karta nacionaliste nuk është më fitimprurëse për partitë politike. "Të punësuarit në administratën publike, nga ana e drejtuesve të pushtetit tanimë nuk do të mund t'i nxjerrin aq lehtë në rrugë për të protestuar në atë të quajturin "sandviç revolucion” përkatësisht gjoja se bëhet fjalë për mbrojtjen e interesave kombëtare maqedonase", vlerëson Dujovski.

 

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut