Opinione nga periodiku në Gjermani | Studimi në Gjermani | DW | 09.09.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Opinione nga periodiku në Gjermani

Temat: Nënshkrimi i marrëveshjes gjermano - ruse për transportuesin e gazit; Kriza qeveritare në Ukrainë; Frika e gjermanëve për të ardhmen

default

Marrëveshja e nënshkruar nga kancelari Gerhard Shrëder dhe presidenti rus Vladimir Putin për linjën e transportimit të gazit, është në qendër të komenteve të shtypit të sotëm.

E përditshmja e Bonit "General Anzeiger" shkruan: "Nuk duhet pranuar verbërisht çdo kritikë që vjen nga Polonia dhe shtetet Balltike, që kanë raporte të rënduara me Moskën. Projekti nuk është dhuratë elektorale e Putinit për një mik personal të tij, që e ka selinë në zyrën e kancelarisë. Ky projekt siguron furnizimin me energji në Gjermani në perspektivë afatgjatë", nënvizon "General Anzeiger".

Gazeta e Rostock-ut "Ostsee Zeitung" thekson anën pragmatike të takimit Shrëder Putin: "Politika e jashtme është punë shefash. Për këtë duhet të jesh pragmatik, e s´ka ku të shkojë më pragmatik se është kancelari. Shkelja e të drejtave të njeriut në Kinë, lufta civile në Çeçeni dhe në rastin e linjës së transportimit të gazit nga Deti Balltik përplasje interesash me Poloninë dhe vendet balltike, për të gjitha as që do t´ia dijë kush. Asnjë kancelar tjetër përpara nuk i ka vendosur interesat gjermane me kaq forcë në epiqendër të politikës së jashtme sa Shrëderi. Aksi i shumëpërfolur dikur Paris - Berlin - Varshavë s´ka luajtur asnjë rol për Shrëderin", konstaton "Ostsee Zeitung".

Për komentatorin e "Märkische Oderzeitung" që del në Frankfurt mbi Oder: "Përderisa Gjermania nuk mund të jetë indiferente se çdo të bëhet me Rusinë si fuqi bërthamore, krahas afrimit intensiv ndërkombëtar është i nevojshëm edhe dialogu kritik. Furnizimet afatgjata me energji nuk mund të jenë arësye për të mos i tematizuar çështje si demokracia dhe të drejtat e njeriut. Madje as Angela Merkel, që mund të jetë kancelarja e ardhëshme nuk duhet të heqë dorë nga pozicioni publik. Kryetarja kristjandemokrate, në gusht, dërgoi në Moskë të ngarkuarin me politikën e jashtme të partisë, Volfgan Sheuble, për të hetuar terrenin. Por do të kish qenë më mirë që ajo të takohej vet me Putinin. Kontaktet e mira personale që ka pasur Helmut Kohli me të, dhe Gerhard Shrëderi kanë qenë të rëndësishme. Faktin që Merkel e refuzon krijimin e akseve Kremlini e di, dhe do të përgatitet për këtë", vëren "Märkische Oderzeitung".

Vendimi i Jushenkos në Ukrainë ishte i drejtë, komenton gazeta "Handelsblatt" krizën qeveritare, pasi presidenti shkarkoi qeverinë për korrupsion: "Vendit me 48 milionë banorë dhe me sipërfaqen më të madhe në Evropë duhet t´i urojmë që t´ia dalë mbanë me një fillim të ri dhe që reformat ta çojnë atë drejt shtigjeve të zhvillimit. Nëse kthesa demokratike në Ukrainë dështon, njerëzit në vendet e ish-perandorisë sovjetike do ta humbasin dëshirën për ta marrë vet në dorë fatin e tyre dhe për t´i rëzuar diktatorët apo autokratët që i shtypin ata. Revolucioni i portokalltë ishte për qytetarët e ish-republikave sovjetike një shenjë shprese për demokraci dhe vetëvendosje", analizon "Handelsblatt".

Frikës që mbizotëron tek shumë gjermanë për të ardhmen, vendin e punës, apo sigurinë e jetesës i kanë kushtuar vëmendje disa komentatorë në shtypin e sotëm. Në të përdishmen "Schwarzwälder Boote" lexojmë: "Frika ha shpirtin. Ky titull filmi është bërë fjala më e përdorur, e duket se kjo shprehje vlen në të gjithë republikën federale. Një gjë e tillë pasqyron një atmosferë jo pozitive, shoqëria është shumë larg kohëve të mira të ndjenjës së entuziazmit. Për këtë politika duhet të kujdeset, në mënyrë që njerëzit të rifitojnë besimin tek ata që i qeverisin. Sepse frika nuk është ndonjë konsulente e mirë", tërheq vëmendjen "Schwarzwälder Boote".

Ndërsa "Hessische/Niedersächsische Allgemeine" komenton: "A është e habitshme që po rritet frika tek gjermanët? Duket, se bota është mbushur me lajme të këqia: diku shkurtohen vende pune, diku tjetër duhet punuar më shumë, e për të gjithë vlen që pas 20 vjetësh pensionet nuk janë më të sigurta. Përveç kësaj pothuajse çdo ditë diskutohen çështje të reja. E këtyre u shtohet edhe paraqitja e zezë e gjendjes në Gjermani, paçka se eksporti është në bum. Ende shumica e njerëzve janë mirë, atyre nuk u është përkeqësuar gjendja. Megjithatë frikërat që dikur kishin karakter të përgjithshëm, tani po perceptohen si kërcënime personale: a do ta gjej veten në profesion? Mos vallë do t´më shkurtojnë? A jam i siguruar për pleqërinë? Këto pyetje i shtrojnë njerëzit vetes. Politikanët votimet më 18 shtator i konsiderojnë si zgjedhje që vendosin për fatin e tyre. Edhe kjo tingëllon si kërcënim. Por ajo që duhet të na shqetësojë më shumë është fakti, se shumica as që besojnë, se politika mund të rregullojë gjë. E kjo duhet të japë më shumë shkas për shqetësim, se sa frika se mund të fitojë pala tjetër", shkruan "Hessische/Niedersächsische Allgemeine".

  • Data 09.09.2005
  • Autor Përgatiti Vilma Filaj Ballvora
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Artu
  • Data 09.09.2005
  • Autor Përgatiti Vilma Filaj Ballvora
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Artu