Opinione nga analistët në periodikun gjerman | Studimi në Gjermani | DW | 12.09.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Opinione nga analistët në periodikun gjerman

Komentatorët e gazetave gjermane të së hënës trajtojnë zgjedhjet në Gjermani, përvjetorin e 11 shtatorit 2001 dhe fitoren në zgjedhje nga kryeministri Koizumi në Japoni

Për temën e parë: Partia Liberale FDP në Gjermani e ripërsëriti në një kongres të jashtëzakonshëm partie një javë para zgjedhjeve parlamentare në Gjermani gatishmërinë për koalicion me unionistët. Gjendja e partisë pak para zgjedhjeve komentohet nga gazeta FRANKFURTER RUNDSCHAU:

"Duhet të përçohej qartësi dhe kjo edhe ndodhi. Nën Vestervelen, FDP nuk është e gatshme të hyjë në asnjë koalicion tjetër,veç atij me unionistët e Angela Merkelit. Kokëfortë dhe pa kompromis kryetari i FDP-së e dërgoi partinë e tij në metrat e fundit të garës elektorale, ku zgjedhja do të jetë, o me ne, o me ata. Për liberalët dhe për Vestervelen vetë. Tani ose kurrë. Ja hop, ja bop. Koalicion unionist-liberal ose fundosje. Fushatë elektorale me pozicione kaq të përcaktuara partiake ka pasur rrallë."

WESTFÄLISCHE RUNDSCHAU është e mendimit:

"Pamja që përçohet, e sigurtë në vetvete, është false. Demokratët e lirë të FDP-së kanë shkaqe të mjaftueshme për t'u bërë nervozë. Qëllimet politike të fushatës elektorale, të formuluara nga kryetari i partisë, Vestervele, janë në kundërshtim të plotë me realitetin politik një javë para zgjedhjeve...Por fillimisht, ajo që ka rëndësi e para nuk është pjesëmarrja në qeveri apo ndenjia në opozitë. Edhe ai që do të dalë në opozitë, duhet të arrijë më parë kuotën e 5%. Një garanci për këtë nuk ka."

Gazeta BERLINER ZEITUNG mbron pikëpamjen:

"Një gjë është e vërtetë: shumë propozime të liberalëve nuk janë të gabuara. Por askund në veprën aktuale programatike te FDP nuk gjen ndonjë rresht që të vërtetojë se popullata e një vendi nuk përbëhet vetëm nga personalitete sipërmarrësish, të cilët digjen që shteti t'u lërë hapësirë më të gjerë veprimi dhe të ardhurash. Në asnjë rresht nuk shkruhet se popullata e vendit përbëhet edhe nga njerëz, që janë më të kujdesshëm, të cilëve për shpalosjen e personalitetit të tyre u nevojitet një rrjet social, që i mbështet, po t'u ngatërrohen këmbët."

HEILBRONNER STIMME komenton:

"Për liberalët, zgjedhjet do të shoqërohen me dridhma. Kancelari ka marrë krahë, unionistët diskutojnë më qejf destruktiv planet e taksave - një koalicion i madh duket më i afërt. Dhe në programet elektorale të unionistëve dhe të PSDGj ka më shumë ide liberale, se sa ato mund të pranonin ndonjëherë publikisht. Në këtë aspekt, zgjedhjet mund të shihen si ora e liberalëve. Por ato nuk janë të tilla. Fushata e dalë jashtë shinave e vitit 2002 me deklaratat antisemitike të Jyrgen Mylemanit dhe fushata e tepruar e zbavitjes e Vesterveles është ngjitur te kjo parti si camcakëzi në tabanin e këpucëve."

Ndërsa ESSLINGER ZEITUNG arrin në përfundimin:

"FDP si parti për një funksion të caktuar, e cila bën reklamë për zgjedhëset dhe zgjedhësit unionistë. Ai që do një kancelare Merkel, ai duhet të zgjedhë liberalët, ky është mesazhi jo tepër dinjitoz. Kryetari i fraksionit i spostuar, Gerhardt riaktivizohet sërish për postin e ministrit të jashtëm, për t'u hequr zgjedhësve drojën se mos në rast fitoreje, kryetari i partisë Vestervele do të marrë në dorë fatet politike të Gjermanisë. Taksapaguesve, megjithë arkat publike bosh u premtohen me shumë para në portofol, për të fituar pikë si parti që kërkon të ulë pikët."

Tema ndërkombëtare të gazetave të sotme gjermane janë përvjetori i 11 shtatorit 2001 dhe fitorja e madhe e kryeministrit të Japonisë, Koizumi:

Gazeta MÄRKISCHE ODERZEITUNG që del në Frankfurt mbi Oder vëren kritike me vështrimin tek përkujtimi i 11 shtatorit 2001:

"Vështrimi i përqëndruar tek "terrori", së bashku me histeritë tona të sigurisë me një ministri mamuth, mund të kuptohet ndoshta nga këndvështrimi i amerikanëve. Por ai ka bërë që t'u kushtohet pak vëmendje avancimit të Kinës në fuqi botërore, kursit autoritar të Rusisë ose rrugës së vazhdueshme përpara të Indisë. Të gjitha këto Uashingtoni duhet t'i verë më shumë në fokus."

Dhe së fundi FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG, e cila komenton arritjen e shumicës absolute në zgjedhje nga liberaldemokratët në Japoni:

"Që tani nuk ka më justifikime për zvarritje. Koizumit nuk i duhet më të tregojë kujdes ndaj një partneri koalicioni dhe t'u hyjë kompromiseve me fill të kalbur. Koizumi është në gjendje dhe ai duhet t'i shtjerë tani vetë në dorë gjërat...Stili i tij në fushatën elektorale i ka krijuar LDP-së një bazë të tillë pushteti në parlament, me të cilën mund të rroken me sukses reformat e nevojshme urgjentisht. Shanset e Japonisë për t'i shpëtuar krizës strukturore disadekadëshe tani janë më të mira se kurrë. Tani varet nga aftësi për ndryshim e liberaldemokratëve fakti nëse ky shans do të shfrytëzohet."

  • Data 12.09.2005
  • Autor AD
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Artr
  • Data 12.09.2005
  • Autor AD
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Artr