Opinion: Idioti është Novak Gjokoviq, jo të tjerët! | Bota | DW | 17.01.2022
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Opinion: Idioti është Novak Gjokoviq, jo të tjerët!

Turneu Australian Open do të mbahet pa yllin e tenisit Novak Gjokoviqin. Në këtë rast ka shumë humbës, por humbësi më i madh është vetë Gjokoviqi, mendon Andreas Sten-Ziemons.

Në fakt kryeministri i Australisë, Scott Morrison e ka thënë mendimin e vet për çështjen Novak Djokoviq më shumë se një javë më parë: "Rregullat janë rregulla!" Rregullat duhet të respektohen nga të gjithë, pra edhe nga tenisti më i mirë në botë.

Gjokoviq nuk lejohet të marrë pjesë në Australian Open në Melburn dhe - para se të fillojë turneu - tashmë është bërë humbësi më i madh. Por fatkeqësisht, ai shkaktoi disa dëme kolaterale në proces.Për shkak se si reputacioni i autoriteteve australiane, ashtu edhe organizatori i turneut e shoqata botërore e tenisit ATP u gërvishtën gjatë sagës së pafund Gjokoviq.

Gënjeshtrat

Ende mund të besohet se Gjokoviq i pavaksinuar për shkak të bindjes, erdhi në Melburn në fillim të janarit me bindjen se dokumentet e ofruara mjaftojnë për hyrje në këtë vend. Por kur u pa se nuk mjaftojnë, rasti dëshmoi tërë absurditetin e vet.

Papritur doli se ai është shëruar nga Corona, të cilën ai nuk e kishte përmendur më parë. Për më tepër, një test pozitiv u publikua me nxitim, e shpejt u konstatua data e gabuar. Përveç kësaj, ai ka takuar edhe të rinj dhe gazetarë, në kohën kur ishte i infektuar.

Gënjeshtrat gjithmonë shkaktojnë gënjeshtra të tjera deri sa nuk shembet konstrukti. Nuk do të befasonte nëse serbi së shpejti tërhiqet dhe e pranon se edhe testi ishte i rremë dhe se ai nuk ishte i infektuar fare, në mënyrë që të mos ndiqet penalisht për shkelje të rregulloreve të Coronës në Serbi dhe Spanjë. E kjo mund të çojë në hetime të mëtejshme për falsifikim ose mashtrim.

Mungesa e lidhjes me realitetin

Novak Djokovic Anhörung in Melbourne

Përkrahës të Gjokoviqit në Melburn

Novak Gjokoviq duket se jeton në universin e vet ku ai është dielli dhe rreth tij rrotullohet gjithçka. Fakti që ai në Serbi gëzon statusin e yllit të paprekshëm dhe se atje ka pasur demonstrata për lirimin e tij, sigurisht që nuk e ndihmon atë të kthehet në realitet. Deklaratat e babait të Gjokoviqit se djali i tij po kryqëzohet si Krishti dëshmojnë këtë mendësi.

Është mirë që ministri i Emigracionit i Australisë, Alex Hawke, ka treguar më shumë realizëm me vendimin e tij dhe i hoqi vizën e Gjokoviqit. Është turp që tenisti dhe këshilltarët e tij nuk pajtoheshin me vendimet e qarta. E mira është që kërkesat e Gjokoviqit u refuzuan përfundimisht dhe ai do të dëbohet.

"Ne të gjithë i respektuam rregullat për ardhje në Australi dhe për pjesëmarrje në turne", tha konkurrenti i Gjokoviq Stefanos Tsitsipas në një intervistë me transmetuesin televiziv indian WION disa ditë më parë: "Një pakicë shumë e vogël ka vendosur të ndjekë rrugën e vet. Disi e bën shumicën të duket si idiotë”, tha greku.

Gabim! Idioti në këtë histori është Novak Gjokoviq.