Opinion: 100 ditë Olaf Scholz – Kancelari i ri në një realitet të ri | Gjermania | DW | 18.03.2022
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Gjermania

Opinion: 100 ditë Olaf Scholz – Kancelari i ri në një realitet të ri

Nën drejtimin e kancelarit të ri Gjermania është bërë tashmë një vend tjetër. Kjo vjen në njërën anë për shkak të Vladimir Putinit, por më shumë edhe për shkak të vendosmërisë së Olaf Scholzit, mendon Michaela Küfner.

Saktësisht tri ditë iu deshën Olaf Scholzit pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës për të rrëzuar piketat e politikës së jashtme dhe të sigurisë së Angela Merkelit. Në ditën e 79-të të epokës pas Merkelit Vladimir Putini shkatërroi rendin e paqes së Evropës. Në ditën e 81-të Scholz i garantoi Ukrainës armët gjermane përmes një postimi në twitter, përkundër të gjitha deklaratave të mëparshme. Më pak se 24 orë më vonë Scholz njoftoi madje kthesën e madhe,duke skicuar konkretisht një politikë të re gjermane, të rimilitarizuar.Vetëm disa ditë më parë kjo gjë do t'i kishte ngrënë politikisht kokën në partinë e tij Socialdemokrate, SPD. 

100 miliardë euro shtesë për Bundeswehr-in, përveç kësaj që tani të paktën (!) dy për qind i prodhimit të brendshëm bruto shkon për mbrojtjen - më lart se objektivi i NATO-s! Jo vetëm gazetarët, por në radhë të parë deputetët fërkuan sytë dhe disa vunë duart në kokë nga fjalët e kancelarit të tyre të sapozgjedhur. Për Scholzin që nga ajo ditë nuk ka më as ndalesë dhe as linja të kuqe.

Një fillim i kujdesshëm dhe i rezervuar 

Në fillim të shkurtit përdoruesit e twitter-it ishin akoma në kërkim të kancelarit me hashtag #WoIstScholz. Rreth ditës së 50-të të qeverisë së re, CDU-ja konservatore ia kaloi përsëri SPD-së në sondazhe. Për një kohë të gjatë Scholz u shpreh shumë pak publikisht lidhur me përhapjen e shpejtë të virusit omikron, debatin për vaksinimin e detyrueshëm, apo edhe për çdo gjë tjetër. Aq timid, aq i rezervuar – ai nuk dukej si një kancelar i ri me impuls kreativ.

Në fillim Scholz u tregua i kujdesshëm edhe përsa i përket Rusisë. Para marshimit të trupave ruse, ishte ai që i qëndroi besnik diplomacisë deri në fund. Edhe kur shërbimet e fshehta amerikane paralajmëronin një sulm të afërt. Edhe para reflektorëve të dritave në Shtëpine e Bardhë, ai ia la ende të hapur derën e diplomacisë Putinit. Shtrëngoi gjuhën pa e përmendur Nord Stream 2, tubacionin e gazit natyror nga Rusia në Gjermani. Kjo la vend për dyshime për kredibilitetin e Gjermanisë si aleate. Po ngrihej pyetja, nëse presidenti francez Emmanuel Macron do të bëhej figura e re drejtuese e Evropës - në vend të pasardhësit të Angela Merkel.

Scholz veproi edhe më vendosmërisht, kur u bë e qartë se të gjitha përpjekjet diplomatike qenë të kota. Se Putini e kishte planifikuar sulmin prej muajsh. Së bashku me Ministren e tij të Jashtme nga partia e të Gjelbërve, Annalena Baerbock, kancelari po tregon se Gjermania do të mbështesë politikën e bazuar në vlera. Ai ia lë asaj kërkesat maksimale, që ta çojë Putinin mundësisht para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Ai vetë flet për një "luftë agresore gjakftohtë". Por kërkon ende zgjidhje edhe me Putinin

"Dividendi i paqes" është ezauruar

Për shkak të presionit të ngjarjeve, në radhë të parë nga vetë Putini, Olaf Scholz ka ardhur në një realitet të ri politik. Si kancelar nga një parti e njohur për "të kuptuarit e Rusisë", kjo është një arritje më vete. Megjithatë për partnerët e BE-së që kanë kufij me Rusinë, si Polonia dhe shtetet Baltike, ky konstatim i ri gjerman është ende shumë subtil.

Berlin DW Michaela Küfner

Michaela Küfner

Megjithatë ndalimi i plotë i importeve të energjisë nga Rusia vazhdon të mbetet për Scholzin linjë e kuqe. Kjo do të ishte shumë e dhimbshme për shumicën e 83 milionë gjermanëve, që ende po përpiqen të kuptojnë se çfarë po bën Putini. Shumica e mbështet kursin e vendosur të kancelarit. Por rritja e çmimeve të energjisë është vetëm paralajmërimi se "dividendi i paqes" në Evropë është ezauruar.

Tani bëhet edhe më e qartë se lufta në Ukrainë do të kërkojë një çmim për lirinë dhe demokracinë, të cilin çdo qytetar, çdo votues në Gjermani duhet ta paguajë personalisht. Edhe nëse në fund do të kishte një marrëveshje të suportueshme me Putinin. 

Realiteti që nuk fal gabime 

Kështu dita e 82-të pas zgjedhjes së tij në Bundestag ishte në fakt dita e parë e punës së kancelarit të ri. Pandemia e koronës megjithë rritjen e sërishme të numrit të infeksioneve duket vetëm si një muaj stazhi përballë sfidës historike të paraqitur nga Rusia.

Olaf Scholz çuditërisht ka marrë shumë punonjës të Angela Merkelit në kancelarinë e tij. Shumë tregojnë se Scholz fal shumë më tepër gabime se Merkel. Ky realitet i ri nuk fal gabimet. Scholz nuk ka ndërmend të bëjë të tilla.