1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Opel: Politikanët gëzohen, ekspertët janë skeptikë

11 Shtator 2009

Mbas katër muajsh ecejakesh dhe negociatash General Motors vendosi t'ia shesë degën evropiane të tij, Opel/Vauxhall, një konsorciumi të përbërë nga koncerni austriako-kanadez Magna dhe banka shtetërore ruse, Sberbank.

https://p.dw.com/p/Jco5
Kryetari i grupit këshillues të Shoqërisë së Mirëbesimit, Fred Irwin, dhe kryenegociatori i General Motors-it, John Smith, gjatë konferencës për shtyp (10.09.09) mbi vendimin e shitjes së Opelit Magnës.Fotografi: AP

Opeli i ri do të mbështetet financiarisht nga qeveria gjermane. Ky lajm, që vjen në prag të zgjedhjeve parlamentare të 27 shtatorit, u hoqi një barrë të rëndë dy kandidatëve kryesorë për kancelar, por ekspertët mendojnë se edhe pas këtij aksioni e ardhmja e prodhuesit të automobilave vazhdon të jetë e pasigurt.

Lehtësimi i kancelares në konferencën e shtypit të enjten pasdite në Berlin dukej haptas: “U dëshmua se durimi dhe këmbëngulja e qeverisë ia vlejtën. Rruga nuk ishte e lehtë. Opel dhe General Motors Europe tani kanë mundësi të nisin një rrugë të re,” tha ajo.

Merkel äußert sich zu Verkauf von Opel an Magna
Kancelarja Angela Merkel duke dhënë deklaratën pas vendimit të GM-it për shitjen e Opelit.Fotografi: AP

Por rruga e re Opel-it do t'u kushtojë tatimpaguesve gjermanë 4,5 miliardë euro. Kjo ishte oferta e qeverisë gjermane ndaj konsorciumit të përbërë nga firma austriako-kanadeze, Magna, dhe banka shtetërore ruse, Sberbank. Si Angela Merkel ashtu edhe rivali i saj në garën për kancelar, Frank–Walter Steinmeier, ishin shprehur që më parë se e parapëlqenin këtë zgjidhje: “Unë jam i gëzuar që General Motors vendosi për një investitor dhe jam i gëzuar që ai zgjodhi pikërisht atë koncept që siguron mbajtjen e vendeve të punës së Opel-it në Evropë dhe në katër filialet gjermane”, tha Steinmeier para gazetarëve.

Një ditë më parë, kreu i General Motors-it në Detroit, kishte marrë vendim që 55% e vleftës së sipërmarrjes t'i shitet konsorciumit Magna Sberbank, 10% t'u kalohet punonjësve të ndërmarrjes, ndërsa 35 përqindëshin, që mbetet, ta mbajë vetë. Por General Motors bëri të ditur, se shitja do të ndërthuret me disa kushte, prandaj edhe reagimet e para të blerësve të mundshëm nga Austria dhe Rusia ishin të përmbajtura.

Shoqëria e Mirëbesimit për Opel-in, e cila përbëhej nga dy përfaqësues të General Motors-it dhe dy të qeverisë gjermane, e miratoi vendimin e koncernit amë nga Detroit, me kusht që financimi i qeverisë gjermane të përdoret vetëm për filialet e Opel-it në Gjermani.

Por në konferencën e shtypit doli në pah një kontradiktë: Pikërisht dy nga katër anëtarët e bordit, konkretisht, ata që përfaqësonin Gjermaninë, nuk e kishin mbështetur planin e shitjes. Ndërsa përfaqësuesi i landeve gjermane kishte abstenuar gjatë votimit, Manfred Wennemer, i cili përfaqësonte qeverinë në rang federate, kishte votuar kundër. Sipas tij, me një vëllim prodhimi vjetor prej 1,5 milionë automobilash, 90 për qind e të cilëve shiten brenda Evropës, Opel-i do të jetë shumë i vogël për të konkurruar në treg. “Po të zbatohet ligji aktual gjerman për falimentimet dhe Opel-i ta përmbushë plan-biznesin aktual, atëherë kryesisë së Opel-it nuk do t'i mbetet tjetër, veçse në vitin 2011 të paraqitet tek gjykatësi i falimentimeve”, tha Wennemer.

Katër muaj me radhë General Motors e mbajti pezull qeverinë e Berlinit duke mos vendosur a ta shpallte firmën-bijë të falimentuar apo t'ia shiste një investitori. Zgjidhja e befasishme që vjen para zgjedhjeve parlamentare të 27 shtatorit u sjell dobi si Merkel-it, ashtu edhe Steinmeier-it, dy rivalëve kryesorë në garën për kancelar. Që të dy mund të dalin tani ballëhapur në mitingje elektorale para të paktën 25 mijë punonjësve të Opel-it në katër filialet gjermane, të cilëve hë për hë ua siguruan vendet e punës. Se për sa kohë, kjo do të merret vesh pas zgjedhjeve.

Autore: Anila Shuka

Redaktoi: Elert Ajazaj