1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Scholz: Putini nuk ka arritur as një objektiv në Ukrainë

14 Dhjetor 2022

Presidenti rus Vladimir Putin ka dështuar në synimin e tij për të ndarë Evropën, për të minuar demokracinë dhe për të marrë shpejt Ukrainën, u tha kancelari gjerman Olaf Scholz deputetëve të Bundestagut në Berlin.

https://p.dw.com/p/4KwKg
Olaf Scholz, 14.12.2022
Olaf Scholz, 14.12.2022Fotografi: Kay Nietfeld/dpa/picture alliance

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha të mërkurën (14.12.) se Vladimir Putin kishte bërë një llogari të gabuar në themel me dërgimin e trupave në Ukrainë, duke shtuar se presidenti rus nuk ka arritur as "një objektiv të vetëm" të vendosur përpara sulmit.

Deputetëve në Bundestagun gjerman, Scholz-i u tha se besimi i Putinit se Rusia do të fitonte dhe Ukraina do të bjerë brenda disa ditësh ishte një nënvlerësim masiv.

Putini "besoi se mund të thante solidaritetin e Evropës duke mbyllur rubinetin tonë të gazit," tha Scholz-i, por ai gaboi "për guximin e ukrainasve, për Evropën, për ne, për karakterin e demokracive tona, për vullnetin tonë për t'i rezistuar manive të fuqive të mëdha dhe imperializmit”.

Olaf Scholz flet ne Bundestag, 14.12.2022
Fotografi: Michele Tantussi/REUTERS

Scholz nënvizoi mbështetjen e BE për Ukrainën dhe tha se përpjekjet për të minuar këtë mbështetje ishin të dënuara të dështojnë, duke i dërguar indirekt një mesazh Hungarisë, e cila në fillim të kësaj jave hoqi dorë nga kundërshtimet e saj ndaj ndihmës për Kievin.

"Kushdo që mendon se mund të minojë vlerat e B, ndaj të cilave është angazhuar çdo shtet anëtar, duke bllokuar politikat e saj të jashtme dhe të sigurisë, është i dënuar të dështojë”, tha ai.

Scholz mirëpret zgjerimin e BE-së në vendet e Ballkanit

Në fjalën e tij, Scholz-i tha gjithashtu se ishte në interesin e Gjermanisë dhe Evropës që vendet e Ballkanit që aktualisht nuk janë pjesë e BE të anëtarësohen në bllok.

Shumë vëzhgues kanë paralajmëruar se Rusia mund të përpiqet të përdorë ndikimin e saj në rajon për të destabilizuar BE.

Flamuri i Kosoves
Fotografi: picture-alliance/ dpa

Të mërkurën, Scholz përshëndeti rifillimin e bisedimeve të pranimit në BE me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë muajve të fundit, si dhe vendimin e kësaj jave për t'i dhënë Bosnjës statusin e kandidatit të BE, duke iu bashkuar kështu Shqipërisë, Moldavisë, Republikës së Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë, të cilat aspirojnë të anëtarësohen në BE.

Kosova aplikoi për në BE

Edhe Republika e Kosovës aplikoi të mërkurën zyrtarisht për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Dokumenti përkatës u nënshkrua nga presidentja Osmani, kryeministri Kurti dhe kryeparlamentari Konjufca në Prishtinë.

Komentet e kancelarit gjerman vijnë një javë pasi Austria bllokoi Rumaninë dhe Bullgarinë, të cilat u bashkuan me BE në 2007, që të bashkohen me zonën Shengen të Bashkimit Evropian.

(AP, dlf, dpa, AFP, Reuters)