1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Olaf Scholz dhe reagimi i gazetarëve ndaj një shakaje

6 Korrik 2022

Jo vetëm kryeministri, Edi Rama, edhe kancelari Olaf Scholz, u sulmua masivisht javën e kaluar nga opinioni për një “shaka të pakuptuar”.

https://p.dw.com/p/4DiAh
Deutschland | G7 Gipfel | PK Olaf Scholz
Fotografi: Leonhard Foeger/REUTERS

Pak ditë para se kryeministri Edi Rama të shqiptonte masën drastike të përjashtimit të gazetarit Klevin Muka, opinioni mediatik gjerman u morr intensivisht me një sjellje - sipas mendimit të shumicës së komentuesve - arrogante të kancelarit Scholz ndaj gazetares politike të DW, Rosalia Romaniec. Ngjarja ndodhi pikërisht në konferencën e shtypit në përfundim të samitit të G7-ës në Elmau, të Bavarisë. 

Pyetja e saj: A do të mundeshit të specifikoni se çfarë sigurie i garantojnë fuqitë e G7-ës Ukrainës, edhe pas luftës?

Scholz: "Po."  Pas një pauze ngërqeshet dhe shton: "Do të mundesha."  Sërish ngërqeshet, ngre vetullën, sheh nga publiku. Shumë pak gazetarë i bashkohen ngërqeshjes së kreut të qeverisë. "Kaq ishte!”, thotë ai dhe shton edhe një racion ngërqeshjeje.

Videoklipi bëri xhiro në media sociale gjermane, vetëm në Twitter ai është klikuar mbi 1,6 milionë herë. Shumica e shikuesve ishin të indinjuar. Shumë komentues dhe përfaqësues të medias e quajtën sjelljen e kancelarit "arrogante” dhe të padenjë për postin e tij si kancelar, si  njeri, por edhe si organizator i samitit.  

Rosalia Romaniec, gjermane me prejardhje nga Polonia, e ruajti mirësjelljen, por reagoi në Twitter,

"Sa keq, zoti Kancelar! Kur kam mësuar gjermanisht më kanë rekomanduar që në konferenca shtypi ta ruaj formën e mirësjelljes. Dhe e kisha seriozisht me atë pyetje”

Më të ashpër ishin kolegët e tjerë, shumica drejtues departamentesh në gazetat dhe revistat kryesore të Gjermanisë.

Mathieu von Rohr, drejtues i departamentit të jashtëm, në revistën Der Spiegel, iu drejtua Sirit, robotit të Iphone-it që pretendon se i di të gjitha. "Siri, përkufizo arrogancën”, shkroi ai në Twitter. 

Markus Decker, nga Redaktion Netzwerk Deutschland, shkroi po në Twitter. "Të trajtosh me arrogancë një gazetare që bën një pyetje plotësisht legjitime me një ton të sjellshëm – kjo është gjë që s'bëhet. As si njeri dhe as si kancelar.”

Kryeredaktorja e të përditshmes gjermane, tageszeitung, Ulrike Winkelmann, e quajti këtë reagim "momenti Schröder”, duke iu referuar kështu ish-kancelarit socialdemokrat (1998-2005). "Pyetja që karakterizonte konferencat e shtypit me të ishte, se a do të arrinte egoja sallëmbushëse e tij që ta degdiste renë e egove të gazetarëve nëpër qoshkat dhe cepat më të largët të sallës. Në të shumtën e herës fitonte egoja e Schröderit", kujton ish-korrespondentja parlamentare, Winkelmann në një artikull. "Është një lojë ndërmjet qeveritarëve dhe gazetarëve, është edhe lojë për pushtet”.

Humor hamburgez

Scholz vetë më në fund, të dielën, më 3.7.2022, e zgjidhi enigmën e sjellës që indinjoi gazetarët. Pas shumë spekulimesh në media për motivin që e shtyu të sillej në atë mënyrë, në intervistën e madhe të verës në ARD, për pyetjet e bëra nga gazetarja për garancitë e sigurisë për Ukrainën ai tha: "Është ende herët që të flitet për këtë temë ashtu si duhet, sepse mund të prodhonte kriza”. Dhe shtoi: „Dhe kur e njëjta pyetje bëhet për herë të tretë, mund të thuhet edhe, se kësaj pyetjeje i jam përgjigjur”.

Politologu, Werner Weidenfeld, i cili ka vite që vëzhgon komunikimin e kancelarëve, Helmut Kohl, Gerhard Schröder, Angela Merkel dhe tani Olaf Scholz,  kishte spekuluar që më parë se kjo sjellje e Scholzit, kishte qenë një lloj humori hamburgez.  "Scholz komunikon në një mënyrë të relaksuar, miqësore, hamburgeze, por i mungon saktësia strategjike", tha ai në një intervistë për DW. 

Stil i vjetruar

Por Weidenfeld është i mendimit se ky stil nuk përputhet me nevojat e kohës dhe vetëkuptimin e shoqërive të sotme. Sidomos në këto kohëra të ndërlikuara, me probleme serioze si kriza e klimës, pandemia e koronës dhe lufta në Ukrainë, është vendimtare që kreu i një qeverie të mos e lëshojë nga dora pushtetin e interpretimit. "Prandaj edhe është kaq e rëndësishme që të sqarohet opinioni”, thotë Weidenfeld. "Politika është pikërisht pushteti i interpretimit që ofron dhe ndërmjetëson një politikan.” 

Ulrike Winkelmann, kryeredaktore e taz-it, së paku vëren një efekt pozitiv nga ky incident. Ai tregoi se vetëdija e gazetarëve ka evoluar, dhe se ata nuk janë më të gatshëm të pranojnë heshturazi qoftë edhe një shaka të pakuptuar. "Loja për pushtetin tashmë funksionon me rregulla pak më ndryshe”, shkruan Winkelmann. "Ndërprerja e fjalës, keqinterpretimi apo injorimi i pyetjes, këto janë teknika kulturore pa të ardhme. E ky është ndërkohë një verdikt shpartallues”.  

Anila Shuka, shikon e buzëqeshur në drejtim të kameras
Anila Shuka autore, redaktore dhe korrespondente nga Berlini
Strack Christoph Kommentarbild App
Christoph Strack Gazetar, autor dhe korrespondent i lartë që shkruan për çështjet fetare.@Strack_C