OJQ-të në Afganistan përpiqen të gllabërojnë diçka prej ″tortës së madhe të ndihmave″ | Bota | DW | 18.05.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

OJQ-të në Afganistan përpiqen të gllabërojnë diçka prej "tortës së madhe të ndihmave"

Një gjë thuajse e papërfytyrueshme, por ekspertët flasin për rreth 3.000 OJQ të regjistruara tashmë në Afganistan, të cilat përpiqen të gllabërojnë diçka prej "tortës së ndihmave" për rindërtimin dhe demokratizimin e vendit. Qeveria e Kabulit synon që të vendosë një lloj rregulli në xhunglën e OJQ-ve dhe të përjashtojë nga listat ato OJQ që funksionojnë si ndërmarrje private dhe që janë përzier në korrupsion.

Pamje nga Afganistani

Pamje nga Afganistani

Në Afganistan vihet re një bum ndërtimesh, puse, kanalizime për ujitjen, rrugë, shkolla apo spitale. Në shumicën e rasteve këto ndërtime kryhen prej OJQ-ve. OKB-ja si dhe shtetet donatore kanë nevojë për OJQ përmes të cilave mund të shpenzojnë milionat e caktuara si ndihma për rindërtimin e Afganistanit. Por pas përmbysjes së regjimit të talebanëve, si qeveria, ekspertët apo diplomatët në Kabul theksojnë se me ndihmat janë bërë shumë dallavere dhe ka pasur shumë shpërdorime. Tepër i preferuar është sistemi kaskadë, pra kur një projekt kalon nga duart e një OJQ-je tek tjetra dhe secila prej tyre merr p.sh. para për administrimin e projektit. Ministri afgan i Ekonomisë, Amin Farhang thekson: "Kur vjen puna për realizimin e projektit kanë mbetur aq pak para, sa për këtë shkak punët kryhen keq. Madje në provincën Farah dhashë urdhër para disa kohësh që disa prej shkollave të rindërtuara të mbyllen, sepse nxënësve mund t'u binte çatia në kokë."

Për shkak të gjendjes në Afganistan dhe numrit të madh të projekteve shumë donatorë nuk ishin dhe nuk janë në gjendje të kontrrollojnë se si shpenzohen paratë. Donatorët u treguan të gatshëm të pranojnë shpenzime 50%-80% për çështje administrative, sepse nga njëra anë shumat e vëna në dispozicion si ndihma ishin marramendëse, por nga ana tjetër nuk kishte shumë njerëz që të ishin në gjendje t'i zbatonin projektet. Kjo i ka hapur dyert korrupsionit, thotë Farah i cili tregon për rastin e një organizate ndërkombëtare e cila i ofroi një OJQ-ne në Afganistan për një projekt që kushtonte realisht 100.000 dollarë, 150.000 dollarë. Diferencën prej 50.000 dollarësh ato e ndanë mes tyre.

Kuptohet se prej korrupsionit nuk janë molepsur të gjitha OJQ-të në Afganistan. Por rastet nuk janë të pakta dhe prej kësaj vuajnë të gjitha OJQ-të, thotë Anja de Beer, që drejton një rrjet prej 90 OJQ-sh: "Korrupsioni është tepër i përhapur në të gjithë shoqërinë dhe në të gjitha institucionet e mundshme. Për këtë do të ishte e pazakontë që ky të mos ekzistonte në radhët e OJQ-ve. Përveç kësaj ka edhe të tilla që nuk janë OJQ, por që shiten për të tilla dhe fusin para në xhepat e veta."

Qeveria afgane ka nxjerrë tani një ligj të ri që kërkon që të gjitha OJQ-të të regjistrohen sërish. Prej listës së projekteve që duhet të realizohen prej OJQ-ve janë hequr të gjitha projektet nga fusha e ndërtimit.

Në lidhje me ligjin e ri Eduard Auer, shef i sektorit politik dhe ekonomik i përfaqësisë së BE-së në Kabul, thekson: "Ky do të ndajë shapin nga sheqeri. Sektori i OJQ-ve në Afganistan nuk ka qenë i rregulluar dhe të tilla janë trashëguar që nga koha e talebaneve dhe periudha e luftës civile. Pra kishte ardhur koha që qeveria të nxirrte një ligj që ta rregullonte këtë sektor dhe që të përcaktojë se cilat organizata mund të përfitojnë prej privilegjeve të tilla si lirimi prej taksave dhe cilat jo."

Me sa duket pas regjistrimit të ri prej të rreth 3.000 OJQ-ve të deritanishme do të mbeten vetëm 300. Megjithatë me këtë nuk zgjidhen të gjitha problemet e Afganistanit. Kështu p.sh. në sektorin e ndërtimeve mungojnë kontrrollet e cilësisë dhe kjo nuk do të ndryshojë, sepse pushtetarët marrin rryshfete për të dhënë lejet e ndërtimit."

Korrupsioni dhe tregëtia e drogave vazhdojnë të jenë problemet më të mëdha të Afganistanit katër vjet pas rrëzimit të talebanëve. Firmat private që paguajnë rryshfete janë duke fituar gjithë e më tepër prej tenderave me vlerë rreth 10,5 miliardë euro që janë në dispozion për rindërtimin e Afganistanit.

  • Data 18.05.2005
  • Autor Christoph Heinzle/DW Kabul
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArPF
  • Data 18.05.2005
  • Autor Christoph Heinzle/DW Kabul
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArPF
Reklamë