1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

200309 Iran USA

20 Mars 2009

Presidenti amerikan Barak Obama angazhohet për një fillim të ri në marrëdhëniet mes Iranit dhe SHBA, për më tepër mundësi për partneritet dhe tregti mes të dy vendeve.

https://p.dw.com/p/HGAn
Presidenti Barack ObamaFotografi: AP / DW

Koha për fjalimin e Obamës ishte zgjedhur me kujdes. Me rastin e festës së Novruzit, që njihet ndryshe edhe si Viti i Ri persian. pasaradhësi i Bushit mori iniciativën për një fillim të ri në marrëdhëniet amerikano-iraniane. "Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan që Republika islamike e Iranit të ketë vendin e saj të duhur në bashkësinë e kombeve", tha Obama për të shtuar se:

"Qeveria ime do të trajtojë problemet mes nesh me mjete diplomatike. Në këtë proces kërcënimet do të ishin kontraproduktive. Ajo për çfarë angazhohemi ne është një sjellje e ndershme, e cila bazohet mbi respektin e ndërsjellë".Duke aluduar për programin bërthamor iranian Obama tha se madhështia e popullit iranian nuk mbështetet në 'aftësinë për të shkatërruar', por në 'aftësinë për të ndërtuar dhe krijuar'.

Paraardhësi i Obamës në Shtëpinë e Bardhë, Xhorxh Bush, e pat quajtur Iranin si 'boshti i së keqes' dhe pat ushtruar presion ndërkombëtar ndaj këtij vendi për shkak të programit bërthamor iranian. Në këtë kuadër ai nuk e pat përjashtuar asnjëherë as luftën si mjetin e fundit për zgjidhjen e këtij problemi. Në vitin 1980 Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërprenë marrëdhëniet e tyre diplomatike me Iranin. Atëherë një grup studentësh pat pushtuar ambasadën amerikane duke marrë edhe njerëz peng. Obama theksoi në fjalim e tij se:

"Ne përpiqemi për një të ardhme, në të cilën do të ripërtërihen kontaktet e dikurshme mes dy vendeve tona. Për një të ardhme, në të cilën do të tejkalohen kundërshtitë e vjetra dhe në të cilën fqinjët tuaj dhe e mbarë bota do të jetonte në siguri më të madhe dhe në paqë".

Kombo Barack Obama und Mahmud Ahmadinedschad
Obama dhe AhmadinexhadFotografi: AP / DW Fotomontage

Mesazhi i Obamës i është drejtuar si popullit iranian, ashtu dhe udhëheqjes së vendit, edhe pse ai nuk ka përmendur me emër presidentin Mahmud Ahmadinexhad. Vetë Ahmadinexhad ndërkohë ka reaguar ndaj mesazhit të homologut të tij amerikan. Në Teheran përmes zëdhënësit të tij ai sqaroi se fjalët duhet të pasohen nga veprat, në mënyre që të riparohen gabimet të së kaluarës. I ngarkuari i BE-së për politikën e jashtme, Javier Solana, kërkoi nga Irani që të jetë konstruktiv ndaj ofertës për bisedime të presidentit amerikan.

Autor: Daniel Scheschkewitz

Redaktoi: Angjelina Verbica