1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Obama Rede Kairo

5 Qershor 2009

Presidenti amerikan Barack Obama mbajti të enjten (4.6.) në universitetin e Kairos një fjalim drejtuar botës islame. Ai u shpreh për fillimin e marrëdhënieve të reja.

https://p.dw.com/p/I49r
Presidenti i SHBA Obama dhe presidenti palestinez Abaz në Uashington
Presidenti i SHBA Obama dhe presidenti palestinez Abaz në UashingtonFotografi: picture-alliance/ dpa

Ky President kërkon me sa duket me të vërtetë një fillim të ri

Barack Obama gjeti tonin e duhur jo vetëm emocionalisht, fjalimi i tij edhe nga ana përmbajtësore ishte pa ekuivoke - një ofertë e qartë për dialog dhe partneritet me botën islame. Obama iu referua vlerave të përbashkëta dhe përgjegjësisë së përbashkët. Ai gjeti fjalë të qarta të respektit për meritat e muslimanëve në mbarë botën si dhe në Amerikë duke bërë një kontrast të fortë me retorikën e konfrontimit të paraardhësit të tij George W. Bush.

Ky President kërkon me sa duket me të vërtetë një fillim të ri. Dhe ai e kërkon atë jo vetëm me ndihmën e citateve të Kuranit të përdorura me mjeshtëri dhe me komplimente për botën islame. Mesazhi është i qartë: Obama u drejtohet me respekt 1,5 miliardë myslimanëve në botë. Ai është seriozisht i gatshëm të dëgjojë kërkesat dhe pikëpamjet e tyre, ai është kritik edhe ndaj vendit të vet. Por ai thotë edhe se çfarë do dhe se çfarë pret ai si president amerikan nga partnerët e tij në dialog.

Obama formulon qartë atë që pret si president amerikan nga partnerët e tij në dialog

Kështu Obama kërkon nga Izraeli pranimin e idesë së krijimit të një shteti palestinez dhe ndërprerjes së politikës së kolonizimit. Dhe ai e formulon atë në një qartësi, që me Bushin do të kishte qenë e paimagjinueshme.

Marrëdhëniet e SHBA-së me Izraelin do të ruajnë cilësinë e tyre të veçantë

Por Obama shpreh fare qartë se çfarë pret nga palestinezët dhe konkretisht nga Hamasi: Pranim të padiskutueshëm të së drejtës së ekzistencës së shtetit të Izraelit dhe largim prej të gjitha përpjekjeve për ta zgjidhur konfliktin me dhunë. Dhe ai nuk lë asnjë dyshim që marrëdhëniet e SHBA-së me Izraelin, megjithë kritikën amerikane do të ruajnë cilësinë e tyre të veçantë. Dhe që ai shikon në iniciativën arabe për paqen një bazë shumë të mirë për negociata, por jo patjetër rezultatin e negociatave të ardhshme.

Këto kufizime nuk do t 'u pëlqejnë shumë të adresuarve. Por ato janë të sinqerta. Dhe kaq shumë sinqeritet në të dyja anët nuk është parë prej kohësh tek një president amerikan.

Nga Obama do të ishin pritur fjalë më të qarta për të drejtat e njeriut në vendet myslimane

Megjithatë nga Obama do të ishin pritur fjalë më të qarta për gjendjen e të drejtave të njeriut në shumë vende islame - si dhe për interesat strategjike dhe ekonomike të SHBA-së në vendet islame dhe për mënyrën se si do të koordinohet bashkëpunimi me regjimet autoritare me idealet amerikane të lirisë. Por në shumë pika ai u shpreh qartë. Mesazhet e tij të thjeshta janë: Demokracia nuk është një mall amerikan eksporti, por një e drejtë themelore e të gjithë njerëzve. Dhe amerikanët janë të gatshëm të mësojnë nga gabimet e kaluara në politikën e jashtme - megjithatë ata edhe në të ardhmen nuk do ta durojnë terrorin, por kërkojnë këtu një rrugë të përbashkët.

Këto janë fjalë, që krijojnë ura. Ajo që duhet të vijë, janë veprat - jo vetëm nga pala amerikane.

Autor: Rainer Sollich

Redaktoi: Auron Dodi