1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ofensiva diplomatike e Rumanisë për të mos e vonuar anëtarësimin në BE

Robert Schwartz9 Shkurt 2006

Akuzat për korrupsion dhe mungesa e reformave në drejtësi në Bukuresht dhe në Sofje kanë shkaktuar reagime në Berlin

https://p.dw.com/p/Aqqy
Parlamenti rumun
Parlamenti rumun

Me siguri nuk ishte rastësi që ministri i jashtëm rumun, Mihai Razvan Ungureanu dëshironte të bisedonte në fillim me kreun e fraksionit kristiansocial në Parlamentin Evropian, Markus Ferber. Ferber kishte theksuar disa herë, se Rumania duhet t'i përmbushë brenda kohës së duhur kriteret e anëtarësimit, për t'u pranuar sipas planit në fillim të 2007-ës. Edhe në parlamentin gjerman ka qenë para së gjithash Partia Kristiansociale ajo që për shkak të mungesës së reformave në drejtësi dhe korrupsionit në të gjitha fushat ka kërkuar shtyrjen e anëtarësimit të Rumanisë dhe Bullgarisë në Bashkimin Evropian.

Ungureanu ia doli të rrëzojë një pjesë të rezervave. Në këtë kuadër Ferber deklaroi: "Gjendja është krejt e qartë. Ne presim raportin e ardhshëm të progresit të Komisionit Evropian në maj; atëherë Komisioni duhet të bëjë propozime për aktivizimin e klauzolës së sigurisë - kjo do të thotë për shtyrjen e anëtarësimit me një vit. Nëse nuk do të ketë një propozim të tillë, atëherë të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian janë të detyruara të ratifikojnë marrëveshjet e anëtarësimit."

Në parlamentin gjerman të gjitha partitë deklaruan, se ratifikimi do të bëhet pas publikimit të raportit të progresit në maj. Njëmbëdhjetë shtete anëtare i kanë ratifikuar tashmë marrëveshjet e anëtarësimit; edhe dhomat e ulta të parlamenteve britanik dhe holandez, mungon vetëm votimi nga dhoma e lartë dhe senati në këto dy vende.

Volker Kauder, der kryetari fraksionit kristiandemokrat-kristiansocial në parlamentin gjerman, e lavdëroi progresin e Rumanisë: "Në kohën e fundit të qeverisjes është arritur shumë. Është punuar shumë për ta përgatitur Rumaninë për pranimin në Bashkimin Evropian. Dua të them, se ndjekja e kësaj rruge është parakushti më i mirë që Rumania të jetë një anëtare e rëndësishme dhe e vlefshme e Bashkimit Evropian."

Edhe ministri jashtëm Frank-Walter Steinmeier shprehu optimizëm të përmbajtur pas bisedimeve me ministrin e jashtëm rumun. Ai lavdëroi ambicjet e Rumanisë për reformën në drejtësi dhe për luftimin e korrupsionit. Rezultatet ndihmojnë në pakësimin e rezervave dhe bëjnë të besueshme se Rumania është në rrugë të mbarë, tha Steinmeier: "Rumania, Bullgaria kanë pritje të mëdha ndaj raportit të ri të progresit të Komisionit Evropian. Dhe ato kanë pritje të mëdha edhe ndaj procesit të ratifikimit në shtetet anëtare. Ne gjermanët i njohim detyrimet tona, për sa i takon marrëveshjeve të lidhura. Ne duhet të mbyllim deri në fund të vitit procesin e ratifikimit. E kam siguruar edhe homologun rumun, se duke pasur parasysh fundin e vitit procesin e ratifikimit duhet ta nisim aq herët, saqë mbyllja të sigurohet këtë vit."

Mundësinë e një zgjerimi të përshpejtuar të Bashkimit Evropian me Rumaninë dhe Bullgarinë për arsye strategjike në rast të një kërcënimi serioz nga bota islamike dhe ndoshta pa respektimin e plotë të kritereve të anëtarësimit, Steinmeier e përjashtoi.