1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

051211 OECD Soziale Gerechtigkeit

6 Dhjetor 2011

"Qëndrojmë të ndarë - Përse vazhdon të rritet pabarazia?" - kështu e quan OECD-ja studimin e fundit mbi shpërndarjen e të ardhurave në 34 vendet anëtare. Diskrepanca midis të varfërve dhe të pasurve sa vjen e thellohet.

https://p.dw.com/p/13NCa

Shoqëria sa vjen e po ndahet më shumë: Të varfërit bëhen më të varfër, të pasurit më të pasur. Në këtë përfundim mbërrin studimi i ri i OECD-së, Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.

Pabarazia është rritur para së gjithash në Gjermani. Njerëzit me të ardhura të larta fitojnë këtu mesatarisht rreth tetë herë më shumë sesa ata që fitojnë pak. Një arsye për këtë është që sa vjen e më shumë njerëz punojnë në sektorin e pagave të ulëta. Madje edhe atje ata mund të punojnë dhe të fitojnë më pak sesa në të kaluarën. Monika Queisser, njëra nga autoret e studimit të OECD-së: "Pjesërisht arsyeja ka të bëjë me atë që njerëzit bëjnë më pak orë pune. 20 vjet më parë ata bënin mesatarisht 1.000 orë në vit. Kjo vlerë ka rënë në 900 orë në vit, ndërkohë që ata që fitojnë më mirë punojnë mbi 2.200 orë. Këtu shihet që ka një polarizim më të madh midis të varfërve dhe të pasurve."

Gratë vazhdojnë të kenë disavantazhe

Kësaj rrethane i shtohet fakti që gjithnjë e më shumë njerëz punojnë me orar jo të reduktuar. Para së gjithash gratë kanë kësisoj qasje në tregun e punës dhe këtë OECD-ja e vlerëson pozitivesht. Mirëpo në të njëjtën kohë në Gjermani ato nuk arrijnë të ngjiten në punë me orar të plotë, të cilat do të ofronin shense më të mira karriere dhe mundësi më të mira fitimi, për shkak se nuk ka mundësi të mjaftueshme përkujdesjeje për fëmijët. Ky është një problem edhe për prindëriit që i rrisin fëmijët të vetëm, dhe të tillë ka gjithmonë e më shumë.

Symbolbild Teilzeit
Fotografi: Fotolia/imageteam

Organizata këshillon që të mos kursehet në asnjë mënyrë te shkollimi (me gjithë krizën). Vetëm arsimimi i mirë (nga fëmijëria deri në kualifikimin e mëtejshëm në jetën profesionale) sjell në planin afatgjatë vende pune dhe të ardhura të mira. Monika Queisser: "Kemi parë që ky faktor ishte i vetmi që arriti si të rriste punësimin ashtu edhe të zvogëlonte pabarazinë në të ardhura."

Për të krijuar barazi më të madhe sociale, një rishpërndarje nëpërmjet të ardhurave nga taksat ndihmon vetëm në mënyrë dytësore. Këtu bëjnë pjesë: shmangia e evazionit fiskal, heqja e lehtësirave fiskale për njerëzit me paga të larta ose rritja e tatimeve mbi pasurinë, përfshirë atë të patundshme.

Mbështetja e shtresave të varfëra edhe më e rëndësishme

Në të njëjtën kohë pagesat shtetërore të transferimit janë bërë më të rëndësishme sesa kurrë për të balancuar humbjet e njerëzve me të ardhura të ulëta, sepse recesioni i tanishëm e thellon këtë barazi. Qeveritë mund dhe duhet të bëjnë diçka kundër diskrepancës të varfër/të pasur, thotë OECD-ja, sepse ajo ka efekte fatale mbi shoqërinë: "Kemi lëvizjet rinore në Spanjë, Izrael, lëvizjen "Occupy Wall Street". Edhe në shumë vende të tjera njerëzit thonë: Mjaft tani, ne nuk marrim pjesë në këtë progres. Vetëm 0,1 për qind e njerëzve me paga të larta përfitojnë më së shumti, gjithë të tjerët ngecin në vend. Kur klasa e mesme ndihet e rrezikuar, kur ajo thotë që nuk ka më të ardhme, atëherë bie edhe gatishmëria e saj për të paguar taksa dhe për të kontribuar në rishpërndarje. Besoj se kjo është një tendencë mjaft e rrezikshme, që duhet ndalur menjëherë."

Demonstruesit kërkojnë krijim vendesh pune, jo shkurtime
Demonstruesit kërkojnë krijim vendesh pune, jo shkurtimeFotografi: dapd

Një sinjal që duhet t'i shtangë qeveritë në këtë kohë krize.

Autor: Evi Seibert / Elert Ajazaj

Redaktoi: E. Xhani