1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Obama shpalos strategjinë e re për Afganistanin

2 Dhjetor 2009

30 mijë trupa shtesë, fillimi i procesit të tërheqjes ushtarake nga Afganistani në gusht të vitit 2011 dhe 30 miliardë dollarë vetëm për këtë vit.

https://p.dw.com/p/KnSz
Presidenti Barack Obama duke folur në Akademinë Ushtarake Amerikane në West Point
Presidenti Barack Obama duke folur në Akademinë Ushtarake Amerikane në West PointFotografi: AP

Në një fjalim mbajtur në Akademinë Ushtarake Amerikane West Point në Nju Jork Obama u shpreh për dërgimin e 30 mijë trupave shtesë në Afganistan. Kjo tha ai bën pjesë në strategjinë për stabilizimin e vendit dhe forcimin e qeverisë vendase për të mundësuar në këtë mënyrë edhe fillimin e procesit të tërheqjes ushtarake në gusht të vitit 2011.

Për situatën tragjike në Hindukush Obama bën përgjegjës luftën e Bushit në Irak

Obama foli me përqëndrim dhe me zë të fortë në përputhje me vendimin e marrë. Fillimisht ai kujtoi shkakun e luftës para tetë vjetësh, sulmet terroriste të rrjetit terrorist El Kaida, që vepron nga Afganistani. El Kaida mund të ishte shkatërruar, tha Obama. Edhe pa përmendur paraardhësin e tij në post presidentin Bush, u bë e qartë se për situatën tragjike në Hindukush Obama bën përgjegjës luftën e tij në Irak të nisur në vitin 2003. Ndërsa lufta në Irak kërkonte rezerva të mëdha me ushtarë pajisje dhe të holla, komandantët në Afganistan më kot ngrinin zërin duke kërkuar ndihmë kundër talibanëve, që po forcoheshin.

Obama: Lufta në Afganistan do të ketë një fund të suksesshëm

Trupa amerikane në Afganistan
Trupa amerikane në AfganistanFotografi: AP

Presidenti i SHBA-së Barack Obama sqaroi se kur erdhi në pushtet, reagoi menjëherë me shtimin e trupave dhe urdhëroi një analizë rrënjësore të situatës, e cila tani ka përfunduar. Ai u shpreh i vendosur se lufta në Afganistan do të ketë një fund të suksesshëm, por bëri të qartë se për këtë nevojitet edhe mbështetja e fuqishme e trupave nga aleate.

"U jam lutur që operacioni ynë të shoqërohet me ndihmat e aleatëve tanë. Disa prej tyre kanë vënë tashmë në gatishmëri trupa shtesë dhe ne besojmë se në ditët dhe javët e ardhshme do të ketë ndihma të tjera. Miqtë tanë kanë luftuar, janë përgjakur dhe janë vrarë në anën tonë në Afganistan. Tani këtë luftë duhet ta përfundojmë me sukses së bashku." tha Obama.

Binte në sy se Obama foli shumë edhe pë Pakistanin. Ai u përpoq t'i shpjegojë kombit se përse është e rëndësishme që edhe ky vend të stabilizohet dhe jo t'u lihet në dorë ekstremistëve. Pakistanezëve ai u tha se "Amerika do të mbetet një mbështetëse e fortë e sigurisë dhe e mirëqënies së tyre dhe kjo edhe shumë kohë pasi të jenë ulur armët."

Rezistencë e madhe në kongres lidhur me shpenzimet

Pas 35 minutave fjalim erdhi radha të flitej për shpenzimet: 30 miliardë dollarë vetëm për këtë vit. Obama e di se në kongres do të ketë rezistencë të madhe, sidomos tek demokratët. Por Obama iu drejtua disa herë ushtarëve dhe familjeve të tyre, të cilët mbajnë peshën kryesore të luftës. "Unë kam qenë kundër luftës në Irak, sepse besoj se duhet të kufizohemi në përdorimin e forcës ushtarake dhe duhet të mendojmë gjithmonë për efektin afatgjatë të aksioneve tona. Si president unë kam i dërguar letër ngushëllimi familjes së çdo ushtari amerikan të rënë. Sikur të mos mendoja se është fjala për sigurinë e SHBA-së dhe mbrojtjen e popullit amerikan, do të isha i gëzuar që nesër të urdhëroja të kthehej në shtëpi çdo ushtar. Pra për mua ky vendim nuk është i lehtë..."

Autor: Silke Hasselmann/ Angjelina Verbica
Redaktor: Pandeli Pani