Nxënësit në Gjermani marrin nota të dobëta | Gjermania | DW | 01.11.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Nxënësit në Gjermani marrin nota të dobëta

Gjermania, si vend i poetëve dhe mendimtarëve i përket të kaluarës. Veprat e Shilerit dhe të Gëtes po i mbyt pluhuri i rafteve, sepse nxënësit nuk janë në gjendje t´i lexojnë.

default

Në një studim krahasues të shkollave nga organizata OSBE (Organizata Evropiane për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin) në vitin 2000, nxënësit e Gjermanisë dolën ndër të fundit. Ndërsa më 3 nëntor ministrat e kulturës të 16 landeve të federatës do të paraqesin një studim më të thelluar krahasues për shkollat brenda Gjermanisë. Rezultatet paraprake të këtij studimi u paraqitën qysh verën e këtij viti.

Sfida e arsimit nuk është kapërcyer nga politika gjermane

Njëri prej rezultateve ndërkaq është i qartë: sfida e vërtetë për politikën gjermane të arsimit nuk është kapërcyer - fëmijët nga shtresa të dobëta sociale nuk kanë akses për të pasur një diplomë në nivelet e larta arsimore. Madje në bazë të informacioneve paraprake mbi studimin mund të thuhet, se kohët e fundit është thelluar edhe më shumë hendeku dhe shanset nuk janë të barabarta për të gjithë.

Përpara 5 vjetësh OSBE-ja zhvilloi një anketim njëkohësisht në 32 shtete, 28 syresh ishin vende antare të kësaj organizate. Pyetësori u zhvillua për lëndët lexim, matematikë dhe shkencat e natyrës. Rezultati ishte: veprat e Shilerit dhe të Gëtes në Gjermani janë mbuluar nga pluhuri i rafteve dhe vitrinave. Kjo pasi nxënësit nuk janë në gjendje t´i lexojnë këto tekste. Nga ana tjetë rnuk mund të thuash që për këtë arësye nxënësit gjermanë janë analfabetë. Por ata nuk munden të lexojnë tekste të komplikuara me përmbajtje të ngjeshur, siç është e nevojshme p.sh. edhe për detyrat e matematikës. Ndaj studjuesit e fushës së arsimit u kanë dhënë atyre e madje edhe mësuesve të tyre e mënyrës se si zhvillohet ora e mësimit nota të këqia. Nxënësit gjermanë nuk janë më kokëtrashë se ata finlandezë apo japonezë, kundërpërgjigjen pedagogët e reformës arsimore si dhe prindërit që janë kritikë kundrejt këtij studimi.

Nxënësit gjermanë e kanë nivelin e kërkuar

Angelika Stryvig, anëtare e shoqazës së prindërve dhe vet nënë e katër fëmijëve, në moshën e shkollës thotë: "Nëse do t´i përgjigjeshim si duhet stadit të ndryshëm të dijeve tek fëmijë të ndryshëm, atëherë do të duhej që një fëmijë të stimulohej më shumë në një drejtim dhe një tjetër në një drejtim tjetër, sipas prirjeve. Për këtë kemi edhe librat dhe materialin e nevojshëm, në mënyrë që fëmijët të motivohen për të thithur informacionin e mëtejshëm. Në fakt nxënësit tanë e kanë nivelin e kërkuar të njohurive, por disa kanë më shumë njohuri dhe nuk mërziten, ndërkohë që të tjerë kanë një tjetër komportim, por të gjithë duhet të jenë bashkë. Nuk e kuptoj, se përse nuk bëhet një gjë e tillë."

Një orë mësimi, ku të merreshin parasysh prirjet dhe mangësitë e secilit nxënës, do të ishte në dobi të të gjithëve, si për fëmijët e dobët ashtu edhe për ata që janë më të fortë, ritheksojnë herë pas here pedagogët e refomës arsimore. Nëse çdo fëmijë do të trajtohej në përshtatje me ritmet e tij të të mësuarit atëherë Gjermania do të kish sot një problem më pak: në vend do të kishte shumë më pak ngelsa nga sa ka aktualisht, dhe fëmijët me prindër nga shtresa të dobëta sociale do të kishin shanse më të mira.

Suksesi i nxënësve varet nga rroga e prindërve

E kjo do të funksiononte si në Bremen ashtu edhe në Bavari. Pavarësisht, se sa para shpenzohen në secilin land për një vend në shkollë. Në asnjë vend tjetër të botës, suksesi në shkollë nuk varet kaq shumë nga të ardhurat e prindërve sa në Gjermani. Edhe ky është një rezultat i studimit të ashtuquajtur PISA. 10% e nxënësve sot largohen nga shkolla pa e përfunduar atë. Janë kryesisht nxënësit e klasave nga e pesta deri tek e nënta ata që e ndjejnë veten të humbur, sepse tri nivelet e arsimit parauniversitar në Gjermani: gjimnazi, shkolla reale dhe ajo bazë janë të hapura vetëm në një drejtim: nga poshtë thotë Sigfrid Arnz. Ai është drejtor i referatit për shkollat bazë pranë senatit të Berlinit. Përpjekjet për futjen nën një ombrellë të të tri këtyre sitemeve në mënyrë që këto të hapen edhe nga lart, është mjaft i vështirë të realizohet në aspketin politik:

"Eshtë e tmerrshme se sa i kalçifikuar është sistemi gjerman i arsimit. Natyrisht që ka perspektiva të mëtejshme për nxënësit edhe sikur të praktikohej sistemi i Danimarkës, Holandës, Zvicrës, Anglisë apo i ndonjë vendi tjetër evropian. Shkollimi i përbashkët deri në klasën e 9 ose të 10 dhe më pas shpërndarja sipas profilit të dëshiruar. Eshtë për të të ardhur keq, se si një gjë e tillë nuk është e mundur politikisht në Gjermani."

Sistemi shkollor i ish-DDR më i mirë?

Në landet lindore së paku pjesërisht është e mundur që të praktikohet ky sistem. Rënia masive e numrit të nxënësve ka bërë që pikërisht në zonat jo urbane shkollat të bashkohen. Si rrjedhojë nga nevoja është rigjallëruar sistemi i njohur i shkollave unike të periudhës së ish Gjermanisë Demokratike.

Duhet pranuar që pas shokut të rezultateve të studimit PISA dhe në sfondin e presionit të madh publik, ministrat e kulturës në Gjermani kanë zhvilluar idetë e para të reformës. Në reformë parashikohen punime krahasuese në klasën e 10, standarde arsimi në nivel federate, provim i detyrueshëm pranues për gjuhën qysh në klasën e parë, dhe një diplomë qendrore pjekurie në të gjitha landet. Të mos harrojmë programin mbarëfederal të shtrirjes së mësimit në shkolla ditore me kujdesstari, në mënyrë që t´i jepet fund seleksionimit social në shkollat e Gjermanisë.

Sistemi i arsimit duhet reformuar

Pavarësisht nëse bëjmë fjalë për landin e Baden-Vyrtenebrgut, të Saksonisë, të Berlinit, apo të Saksonisë së Poshtme, kudo në Gjermani sa i përket temës së arsimit preferohet të investohet më shumë për beton, se sa për kuadrin mësimdhënës. Ndërtohen godina të reja shkollash në vend që të kualifikohen mësues të rinj. Për zbatimin pedagogjik të reformës dhe personelin shtesë nuk është përgjegjëse ministria federale e arsimit, sepse kjo është në kompetencën e landeve. Deklaratat dhe premtimet e ministrave të kulturës shpesh herë janë pompoze, por pak gjëra vihen në jetë, nënvizon Krista Momert, antare e shoqatës federale të mësuesve:

"Mendoj, se ka një farë paaftësie. Të gjithë e dinë, se ku qëndron problemi, pikërisht tek klasat e mëdha, që janë pasojë e fushatës së kursimeve nëpër shkolla. Por nga ana tjetër, shkollave u kërkohet që të hartojnë vet programet mësimore dhe të krijojnë profilin e tyre. E gjitha kjo më duket si një fushatë aksioni që më shumë krijon mjegull, ndërkohë, që tendenca është që kjo të shitet si përpjekje për rritjen e cilësisë."

  • Data 01.11.2005
  • Autor Gudrun Damberg
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar2O
  • Data 01.11.2005
  • Autor Gudrun Damberg
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar2O