Numri i të papunëve në Gjermani | Studimi në Gjermani | DW | 04.01.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Numri i të papunëve në Gjermani

Numri i të papunëve në Gjermani në dhjetor përkundër të gjitha parashikimeve ka një rënie të lehtë. Komentatorët e shtypit gjerman e vlerësojnë me nota të ndryshme këtë zhvillim.

Në mënyrë pozitive e interpreton lajmin mbi shifrat e papunësisë gazeta e Dyseldorfit "Westdeutsche Allgemeine Zeitung": "Numri i të papunëve kushtëzuar prej sezonit ka një rënie të lehtë, ky është një lajm i mirë në fillim të vitit të ri. Por edhe më e mira është që paralelisht me këtë ka gjithnjë e më shumë marrëdhënie punësimi me detyrimin për sigurimet sociale. Shumë ndërmarrje janë të gatshme që të hapin vende "të mirëfillta" pune, sepse hopi konjukturor po duket si i qëndrueshëm. ... Gjermania është në rrugë të mbarë për të zënë sërish vendin kryesues në BE. Por qeveria gjermane, e cila gëzohet në mënyrë të veçantë për këtë, ka më shumë fat se sa arsye", vëren "Westdeutsche Allgemeine Zeitung".

Në të kundërt "Kölner Stadt-Anzeiger" shkruan: "Punët po ecin mbarë në tregun e punës. Madje befasisht mbarë. Veçanërisht bindshëm është e vërtetë, se përmirësimi ndërkohë po përfshin të papunët afatgjatë. Mos vallë Gjermania, pas përrallës verore (të botërorit 2006) po përjeton tani edhe përrallën dimërore? Po, për aq kohë sa shifrat e reja të bukura i mbulojnë problemet strukturore që mbeten: Ende më shumë se katër milionë njerëz janë në kërkim më kot të një vendi pune. Kjo zyrtarisht, sepse në të vërtetë ka edhe më shumë syresh. Papunësia vazhdon të jetë në Lindje dyfish më e lartë se në Perëndim. Ndërsa hopi konjukturor vazhdon të jetë elitar", konstaton "Kölner Stadt-Anzeiger".

Në mënyrë të ngjashme komenton edhe "Stuttgarter Nachrichten": Nëse politika vetëkënaqet kaq shpejt, atëherë zhvillimi mund të kthehet prapa, aq më tepër që konjuktura ka gjithmonë dy kahe. Nuk është hera e parë, që politika pas sukseseve të para dirigjon me "dorë të qetë". Se ku ka çuar kjo ne kemi mundur ta vëzhgojmë në etapa të tëra të epokës së kancelarit Shrëder. Ky eksperiment nuk ka nevojë për përsëritje", thekson komentatori i "Stuttgarter Nachrichten".

Ndërsa gazeta "Berliner Zeitung" përmend problemet që qëndrojnë pas statistikave: "Nga njëra anë ulja e numrit të të papunëve është arritur me aplikimin e shumëfishtë të punësimit për një euro, që në asnjërin prej rreth 300.000 rasteve nuk do të çojë ndonjëherë në një vend të përhershëm pune. Për më tepër që gjithnjë e më shumë me veprimtarinë në profesionalizim e sipër të agjencive të punës po hiqen nga statistika ata, që në zhargonin profesional emërtohen se nuk janë në dispozicion dhe nuk duan as të ndërmjetësohen, as të kenë përkujdesje në tregun e punës. Por ajo që është më e rënda, është fakti se grupi më problematik i tregut të punës nuk përfiton prej përmirësimit të gjendjes. Të papunët afatgjatë nuk arrijnë të shkëputen prej radhës së gjatë të pritjes. Sa më shumë zgjat papunësia, aq më e vështirë bëhet që të gjesh sërish një vend pune", tërheq vëmendjen "Berliner Zeitung".

Gazeta e Bonit "General-Anzeiger" nënvizon: "Për një gjë nuk duhet të na gënjejnë mendjen parashikimet optimiste në vitin e ri: shumë prej vendeve të reja të punës me sigurime sociale janë krijuar prej firmave me punësim të përkohshëm. Kaq papritur sa janë krijuar këto vende aq shpejt ato edhe mund të zhduken sërish", komenton "General-Anzeiger".

  • Data 04.01.2007
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArmH
  • Data 04.01.2007
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArmH