1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Nuk më është lënë asnjë mundësi zgjedhjeje". Çdo vit emigrojnë rreth 145 mijë gjermanë

Tomas Ratzke9 Tetor 2006

Sipas një anketimi thuajse 60 për qind e studentëve gjermanë mendojnë të emigrojnë. Disa prej tyre shkojnë shumë larg si në Australi, SHBA ose Kanada por shumica prej tyre në vendet e tjera evropiane.

https://p.dw.com/p/Aqz8
Londra, 9.000 gjermanë u punësuan aty në vitin 2005
Londra, 9.000 gjermanë u punësuan aty në vitin 2005Fotografi: AP

Perspektiva profesionale e zymtë është "Motorri i emigrimit të tanishëm" në Gjermani, pohon eksperti i migracionit nga Freiburgu, Dieter Oberndorfer. Sipas zyrës së statistikave kanë emigruar në vitin 2005 rreth 145 mijë gjermanë. Numri i emigrantëve me kualifikim të lartë është rritur ndjeshëm, në një kohë kur është rritur kërkesa për krah pune të specializuar në tregun gjerman të punës.

"Nuk kisha anjë mundësi tjetër veçse të shpenzoja të gjitha kursimet e mija dhe pastaj të aplikoja për ndihmë sociale. Në qoftë se nuk ke punuar një vit dhe të kesh paguar rregullisht kuotat, atëhere nuk merr paratë e papunësisë. Çfarë bëjnë në një rast të tillë studentët e sapo diplomuar? Fillimisht unë mendova të vij për një gjysmë viti dhe kështu të përmirësoja edhe biografinë time. Por tashmë kam mbetur këtu."

Arkitektja 30-vjeçare Andrea Emden është një nga rreth 150 mijë gjermanët që lenë atdheun e tyre për të ndërtuar një egzistencë të re. Që prej tre vitesh Andrea punon për studion londineze të arkitekturës MGM që ndodhet në brendësi të qytetit të Londrës. Për rrogën e saj ajo nuk dëshëron të flasë por dihet se arkitektët në kryeqytetin britanik paguhen midis 30 dhe 40 mijë pound që bëjnë afërsisht 45 deri 60 mijë Euro bruto.

Pikërisht për arkitektët situata e tregut të punës në Gjermani është tepër e ngarkuar. Punësime fikse janë shumë të rralla dhe paga e orës së punës nga 15 deri në 20 Euro është e zakonshme në Gjermani. "Zyra e punës nuk më ka ndihmuar fare. Vendet vakant kërkonin një kualifikim të mëtejshëm. Pastaj unë mendova të shkoja diku tjetër ndoshta në Finlandë ose Angli."

Andrea Emden aplikoi në Londër dhe u pranua menjëherë. Të punësuarit e tjerë që ajo ka në zyrë janë nga vende të ndryshme të botës, nga Koreja e Jugut, Franca, Italia si edhe nga Gjermania. Nëntëmijë gjermanë kanë gjetur punë në Britaninë e Madhe gjatë vitit 2005.

"Puna që bën ajo është e klasit të parë. Ajo është një punonjëse shumë e mirë. Çdo gjë që bën ajo është 99 për qind korrekte." Hasan Mustafa që vetë vjen nga Turqia është shefi i Andreas në studion e arkitekturës në Londër. Ashtu si ai, në ishullin britanik vlerësohet shumë cilësia dhe disiplina e punës së gjermanëve.

34-vjeçarja Betina Ganser erdhi në Londër si studente. Në ndryshim nga Gjermania ajo mendon se në Angli kontakti me botën e punësimit bëhet që në Universitet nëpërmjet praktikave dhe kjo e lehtëson gjetjen e një vendi pune pas përfundimit të studimeve. Që prej dy vitesh Betina Ganser punon për një shoqatë bamirësie për romët. "Unë jam prej katër vitesh këtu dhe fillova të bëj një mastër. Më pas mbeta këtu dhe tani punoj për një organizatë bamirësie të pavarur nga shteti, e cila jep këshilla në projekte të ndryshme për romët nga Polonia dhe vendet e tjera të bllokut lindor."

Megjithëse vetë një emigrante, Betina ndihmon evropiano-lindorët të mbajnë gjallë kulturën e tyre dhe që publiku britanik të interesohet për të. "Unë gjithnjë kam menduar të kthehem në Gjermani dhe kam kërkuar punë atje, por në fushën ku unë punoj këtu më ofrohet më shumë. Pikërsiht në Londër janë këto mundësi të përqëndruara shumë më tepër se në Berlin apo Hamburg."

Betina ka marrë kohët e fundit një kontratë tre vjeçare dhe pagesa e saj është më e lartë se sa do të ishte në Gjermani, megjithëse kosto e jetesës në Londër, veçanërisht qiraja, është më e lartë. Pavarësisht nga paratë shumë gjermanë mendojnë të kthehen një ditë në vendin e tyre. "Gjermania është atdheu im dhe unë do të dëshëroja të punoja dhe të jetoja atje. Por tani për tani unë kam këtë kontratë tre vjecare këtu dhe nuk e di sesi do të ishte për mua të gjeja një punë në Gjermani."

Që nga viti 1990 po rritet në mënyrë të shpejtë numri i emigrantëve që kanë arsim të lartë aq sa së shpejti mund të flitet për Brain Drain. Për një integrim sa më të suksesshëm krahas punës vendimtar është edhe integrimi në jetën sociale. Kjo nuk është gjithnjë e thjeshtë si në rastin e arkitektes Andrea. "Unë dua të them se unë kam njohur shumë shpejt pas ardhjes sime këtu partnerin tim që është anglez dhe kjo më ka ndihmuar shumë të përshtatem me jetën këtu."

Megjithëse numri i emigrantëve gjermanë regjistrohet nga zyra federale e statistikave, asnjë nuk e di me saktësi se sa prej tyre do të kthehen përsëri. Por një gjë është e sigurtë se mobiliteti i gjermanëve të brezit të 20 deri 40 vjeçarëve ka arritur një dimension të paparë deri më tani.