1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nuk ka prova, por tregues

24 Janar 2006

Këshilli i Evropës paraqet raportin e pjesshëm hetimor mbi praktikat ilegale të ShBA në luftën kundër terrorit në Evropë. Hetuesi i Këshillit të Evropës, Dik Marti tha se ka gjithnjë e më shumë tregues për ekzistencën e burgjeve të fshehta.

https://p.dw.com/p/AqgK
Dik Marty në Këshillin e Evropës
Dik Marty në Këshillin e EvropësFotografi: AP

Hetuesi i Këshillit të Evropës, Dik Marti mendon, se qeveritë evropiane kanë qenë të informuara për transportimin pa konfirmimin e gjykatave të të dyshuarve për terrorizëm. Duke folur përpara Këshillit të Evropës në Strazburg Dik Marty tha, se ka dëshmi, që personat e rrëmbyer janë zhveshur nga çdo e drejtë duke u transportuar në shtete të tjera ku janë torturuar: "Duhet të them megjithatë, se ka gjithnjë e më shumë tregues për ekzistencën e burgjeve të fshehta. Këto të dhëna po përforcohen me kohë dhe e justifikojnë punën tonë. Nuk mund të mohohet që ka persona, të dyshuar si terroristë, ose simpatizantë të terrorizmit, të cilët rëmbehen dhe arbirtrarisht transportohen e mbahen ilegalisht në arrest."

Por ndonëse kanë kaluar tre muaj qysh nga fillimi i hetimeve sipas hetuesit Dik Marti ende nuk ka prova për burgjet e fshehta të CIA-s në Evropë. "Tani për tani nuk ka asnjë dëshmi zyrtare dhe të pakontestueshme për ekzistencën e burgjeve të fshehta në Rumani, Poloni apo në vende të tjera", tha Marty.

Hetuesi special i Këshillit të Evropës ka shpresa për të dhëna të reja nga Agjencia Evropiane për Sigurinë Ajrore, Eurocontrol. Nëpërmjet të dhënave nga kjo agjenci mund të sqarohen itineraret e fluturimeve të CIA-s. Fotografitë satelitore nga hapërsirat ajrore të Polonisë dhe të Rumanisë mund të japin sqarim për ekzistencën ose jo të burgjeve në zonat e caktuara që ka deklaruar organizata e të drejtave të njeriut, Human Right Watch. Verifikimi i këtyre fotografive kërkon ende kohë.

Sa u përket burimeve Marti nënvizoi: "Burimet që na japin informacion për ekzistencën e burgjeve të fshehta janë të shumëllojshme. Ato janë të besueshme. Ju siguroj, se burimet janë të mirëinformuara dhe do ta kuptoni përse nuk mund t´i përmend tani".

Hetuesi i Këshillit të Evropës thotë se qeveritë evropiane kanë qenë të informuara për transportimin, pa konfirmimin e gjykatave, e të dyshuarve për terrorizëm. Sipas tij nuk mund të mendohet që shërbimet sekrete të vendeve të prekura nuk kanë pasur dijeni për këto aktivitete:

"A ka mundësi që në shtetin mik apo aleatë të mos jetë informuar askush për këto që kanë ndodhur? Edhe kjo është një pyetje që kërkon përgjigje."

Shprehimisht Dik Marti përmendi Kosovën, ku ka baza të KFOR-it dhe të NATO-s tek të cilat i është ndaluar aksesi këshillit të Evropës. Këto aktivitete nuk janë kufizuar vetëm në Poloni dhe në Rumani, siç kanë vënë në dukje edhe organizatat joqeveritare.

"Do të ishte gabim sikur të përqëndroheshim vetëm tek Polonia dhe Rumania. Nuk është e drejtë që të implikohen vetëm këto dy vende, kjo aferë prek të gjithë Evropën. Epiqendër për transportet e rreth 100 të burgosurve të CIA-s kanë qenë aeroportet ushtarake amerikane në Gjermani. Polonia dhe Rumania i kanë hedhur poshtë këto akuza.

46 vendet antare të këshillit të Evropës kanë kohë deri më 21 shkurt, që t´u japin përgjigje pyetjeve të sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Evropës, mbi aktiivtetet e CIA-s. Raportin përfundimtar hetuesi speical Dik Marti do ta paraqesë në vjeshtë.