Nuk ka mbetur më asgjë nga diplomacia? | FOKUS | DW | 11.01.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

Nuk ka mbetur më asgjë nga diplomacia?

SHBA kërcënuan në grindjen me Iranin se do të angazhojnë Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Kompleks atomik në Iran

Kompleks atomik në Iran

Politikanët evropianë, të cilët shqetësohen për rifillimin e kërkimeve atomike iraniane duhet të mendojnë t'u shtojnë shprehjeve të tyre pesimiste diçka me rëndësi themelore. Diçka që i kalon kufijtë e asaj që njihet përgjithësisht. Vetëm nëse opinioni publik i interesuar të informohet më mirë- vetëm atëherë ai mund të ndjekë argumentat e atyre që kërcënojnë me Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe me sanksione- megjithëse vetëm pak muaj më parë u mendua që Irani të inkuadrohet me rrugë diplomatike në një sistem, i cili
është unikal në llojin e vet.

Unikal, sepse tri vendet e ngarkuara të BE- Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania- besonin se mund t'i kërkonin Iranit, atë që nuk mund t'a kërkosh prej askujt. Megjithëse Teherani është nënshkrues i marrëveshjes së mospërhapjes së armëve bërthamore dhe e ka pranuar protokollin shtesë, ai duhet të heqë dorë nga çdo pasurim i uranit dhe madjet edhe nga kërkimet atomike. Një gjë që do të ishte e lejueshme për çdo shtet tjetër të botës në një situatë të ngjashme. Gjë që nuk i intereson fare shtetet, të cilat nuk e kanë nënshkruar marrëveshjen e mospërhapjes - si p.sh. India, Pakistani ose Izraeli.

I vetmi shkak i përfytyrueshëm për një sjellje të tillë përballë Iranit mund të kërkohet vetëm në mosbesimin e thellë që kanë udhëheqësit evropianë tek udhëheqësit e "Republikës Islamike". Një mosbesim, i cili vërtet duket i justifikueshëm përballë deklaratave të padëgjuara të Mahmud Ahmadinexhadit, por që është shumë më i vjetër se sa koha kur erdhi në post presidenti aktual i Iranit. Fillimi i krizës atomike nis që në kohën e presidencës së presidentit iranian kaq të dashur në perëndim, Mohamad Khatami. Ndërsa politika atomike iraniane në thelb është më e vjetër.

Por në gjithë këta vjet, Evropa është përpjekur të fitojë favorizimet e Iranit, si partnere ekonomike, dhe për hir të marrëdhënieve ekonomike vetjake ka bërë sikur nuk i ka parë shkeljet e të drejtave të njeriut, mungesën e lirive civile dhe shtypjen dhe përndjekjen e kundërshtarëve politikë në Iran. Kurse tani, me një të rënë të lapsit, Irani duhet të shndërrohet në rrezikun më të madh të rajonit. Sepse atij nuk i besohet, që megjithë rezervat e pafundme të naftës dhe të gazit kërkon të shfrytëzojë fuqinë atomike për prodhim energjie? Apo sepse në përgjithësi "mullave" nuk u besohet?

Në fakt, evropianët donin të negocionin me Iranin, për t'i treguar Uashingtonit, se edhe me diplomaci mund të arrihet dicka. Sot duket se nuk ka mbetur gjë prej kësaj. Shtëpia e Bardhë mund të jetë madje krenare për mbështetjen prej evropianëve. Midis tyre edhe Shiraku- i cili dikur e ndihmoi Irakun për të ndërtuar reaktorin atomik. Koalicioni transatlantik antiiranian megjithatë nuk është më tepër se sa një tigër prej letre: të gjithë e dinë se sanksionet në KS do të ndeshin në kundërshtimin, dhe madje edhe veton e Kinës.

Sanksionet në përgjithësi nuk kanë arritur askund diçka të re. Qëndrimi i hapur dhe sinqeriteti arrijnë më shumë. Një kërkesë jo vetëm në adresën e Teheranit, por edhe në adresën e evropianëve.

  • Data 11.01.2006
  • Autor Peter Philipp
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqgg
  • Data 11.01.2006
  • Autor Peter Philipp
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqgg