1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

'Nuk jemi plaçkitës' qindra emigrantë e qytetarë grekë në manifestim

Niko Anagnosti/ Athinë19 Dhjetor 2008

Ishte manifestimi i pestë i zhvilluar dje në Athinë që u përfshi sërish në valën e trazirave me makina të djegura dhe konfrontime të ashpra me policinë.

https://p.dw.com/p/GJcB
Policia greke përdor gaz lotsjellës kundër demonstruesve, Athinë, dhjetor 2008
Policia greke përdor gaz lotsjellës kundër demonstruesve, Athinë, dhjetor 2008Fotografi: AP

Qindra qytetarë grekë, por edhe emigrantë nga 40 komunitete të ndryshme u mblodhën mbrëmë para parlamentit grek në një manifestim antiracist, në serinë e pesë protestave të ndryshme të mbajtura dje në qendër të Athinës. Me banderola kundër racizmit dhe ksenofobisë, emigrantët bënë moto kryesore të manifestimit parullën nuk “jemi plaçkitës”. Ata iu përgjigjën kështu zërave që përpiqen të demonizojnë emigracionin në sytë e opinionit, për shkak të përfshirjes dhe të emigrantëve në trazirat.

“Në emër të demokracisë spekullohet. Nga njëra anë shoh shtetin grek, i cili nuk ka atributet e duhura, ndjehet si të thuash i tërhequr edhe fajtor ndaj shtresave më në nevojë që ka Greqia, ndihet qafë ulur përballë kësaj të keqe dhe nga ana tjetër shohim njerëz që unë besoj se nuk kanë asgjë të përbashkët me demokracinë dhe ligjet greke”, na thotë emigranti Astrit Kora.

Në fjalët e tij shprehej pezmatimi i gjithë pjesëmarrësve dhe për mosrealizimin e marshimit të protestës në vijim për në zyrat e Bashkimit Evropian, për shkak të episodeve dhe trazirave që i kthyen sërish qendrës së Athinës dekorin e zjarreve dhe makinave të djegura, akoma edhe me barrikada, para fakultetit të Drejtësisë, ku policia përdori gjerësisht gazin lotsjellës për të shpërndarë të rinjtë e revoltuar, me edhe pa maska, dhe për të parandaluar kësaj radhe shkatërrimet.

Policisë iu desh që të rrethojë me një togë të tërë pemën e vitit të ri për ta shpëtuar nga një shkrumbim i dytë që e bën edhe më dëshpërues apelin e kryetarit të bashkisë Kakllamanis për një moratorium protestash për shkak të festave, që nuk po duken në qendër të kryeqytetit. Sot zhvillohen dy protesta të tjera, nesër një tjetër manifestim antiracist dhe nëpër rrugë janë nxënës, studentë, arsimtarë dhe punëtorë, që kërkojnë të dëgjohen nga qeveria që duket se e ka humbur busullën.

“Pamundësia e qeverisë për të kuptuar revoltën e të rinjve dhe për të biseduar me ta tregon se kontrolli ka humbur”, thotë përfaqësuesi parlamentar i opozitës Venizellos. Opozita akuzon qeverinë për strategji tensioni dhe një ditë më parë presidenti i Unionit të Industrialistëve kërkoi qeveri koalicioni.

Klima e acaruar dhe nga plagosja e një nxënësi tjetër vështirë se do të ndryshojë edhe me kartën e fundit të Karamanlisit, që pritet fill pas festave, atë të strukturimit rrënjësor të qeverisë së tij të brishtë. Nxënësit dhe studentët, që kanë zaptuar rreth 700 shkolla dhe 140 fakultete, janë gjithnjë e më të paparashikueshëm, me forma proteste të larmishme që tërheqin vëmendjen e gjithë botës si ajo e banderolës pesë gjuhëshe, apel për rezistencë, në muret e Akropolit.


(AUD)