1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nuk duhet të vrasësh!

Peter Philipp3 Dhjetor 2005

Ekzekutimi i 1000-të në ShbA që prej rihyrjes në fuqi të dënimit me vdekje

https://p.dw.com/p/ArN5
Dhomë ekzekutimi me injeksion në ShBA
Dhomë ekzekutimi me injeksion në ShBAFotografi: AP

Këtë të premte është ekzekutuar në ShBA i burgosuri i 1000-të që prej rihyrjes në fuqi të dënimit me vdekje tre dekada më parë. 57-vjeçari Keneth Lee Boyd vdiq në burgun qëndror të Raleigh në shtetin federal të Karolinës së Veriut pas një injeksioni helmi. Ai ishte dënuar në vitin 1994 për vrasjen e ish-gruas së tij dhe babait të saj. Kundër ekzekutimit demonstruan më shumë se 100 vetë përpara ndërtesës së burgut. Në ShBA ashtu si në shumë vende të tjera debati mbi dënimin me vdekje vazhdon me tone të nxehta.

Vetëm pak orë pas ekzekutimit të një kontrabandisti droge australian në Singapur, në Karolinën ë Veriut vritet me injeksion helmi një vrasës i dënuar 11 vjet më parë. Ky është ekzekutimi i 1000-të që prej rivendosjes së dënimit me vdekje në ShBA në vitin 1976. Këto javë vetëm dy shembuj pasi numri i ekzekutimeve të tjera në botë është i panjohur dhe do të mbetet i tillë. Kështu p.sh. në Kinë ku çdo vit ekzekutohen të paktën 3400 vetë ose gati një në dhjetë ditë. Në gjithë botën në vitin 2004 sipas statistikave të organizatës "Amnesty International" në 25 vende janë zbatuar të paktën 3797 dënime me vdekje dhe në 64 shtete të paktën 7395.

Dy rastet më të reja do të ndezin sërish të paktën përkohësisht debatin mbi dënimin me vdekje. Një debat i cili zhvillohet prej vitesh dhe që me siguri nuk do të çojë asnjëherë në një rezultat të qartë dhe unik. Qëndrimet mbi këtë çështje janë shumë të ndryshme për të rënë dakort dhe do të ishte shumë e lehtë që pro-dhe contra-t ndaj dënimit me vdekje të shpjegoheshin vetëm me arsye kulturore apo fetare.

"Nuk duhet të vrasësh" thuhet në urdhëresën e pestë e megjithatë dënimi me vdekje ka qenë gjerësisht i përhapur në shoqëritë e krishtera deri para pak dekadash. Ai vazhdon të përdoret edhe sot në në ShBA, një vend me orientim të qartë të krishterë. Madje janë pjesërisht të krishterë të bindur që aprovimin për dënimin me vdekje e mbështesin në Bibël:"Kujt derdh gjakun e njeriut do t'i derdhet gjaku nga njerëzit" thuhet p.sh. në paragrafin 9,6 të Gjenezës në Dhjatën e Vjetër.

Nëse argumente të tillë fetaro-kulturorë nuk vlejnë në debatin mbi dënimin me vdekje brenda vetë shoqërisë së krishterë aq më pak vlejnë ato në debatin mes të krishterëve dhe shoqërive të tjera. Ato mbartin vetëm rrezikun që të dalin në pah ndjenjat e epërsisë së krishterë të pajustifikuara nga sjellja.

Aprovimi dhe refuzimi i dënimit me vdekje në bashkësinë e kombeve janë thuasje në balancë: në 75 shtete vazhdon të egzistojë dënimi me vdekje, në 11 të tjera ai egziston nën kushte të caktuara dhe në 86 vende dënimi me vdekje është hequr. Debati mbi dënimin me vdekje natyrisht që nuk zhvillohet vetëm në planin fetaro-kulturor. Kështu kundërshtarët e dënimit me vdekje sjellin argumentin që një gabim i drejtësisë në këtë rast do të ishte i pakthyeshëm. Ose që një dënim i tillë "final" është kundër parimit që drejtësia nuk duhet të ushtrojë hakmarrje por të përpiqet të rikthejë në gjirin e shoqërisë keqbërësit. Ndërsa përkrahësit e dënimit me vdekje argumentojnë se disa kriminelë nuk është e mundur të risocializohen, se shoqëria nuk mund të merret përjetësisht me ta dhe se përveç kësaj ekzekutimi ka edhe efekt frikësues. Por ky argument i fundit nuk është vërtetuar deri tani nga statisikat e kriminalistikës.
Kështu diskutimi do të vazhdojë dhe me siguri do të na duhet të presim gjatë për një rregull të qartë. Të paktën aq kohë sa edhe kriminelët dhe aktet e tyre kriminale nuk mund të gjykohen në bazë të kritereve të qarta dhe unike. Një vrasës fëmijësh p.sh nuk mund të krahasohet me një kontrabandist droge, ky i fundit s'mund të krahasohet me grabitës bankash dhe ky me "Ajhmanët e historisë".