Nolte: Nuk është i mundur kompromisi mes Prishtinës dhe Beogradit | Ballkani | DW | 21.11.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Nolte: Nuk është i mundur kompromisi mes Prishtinës dhe Beogradit

Prishtina dhe Beogradi mund të arrijnë ndonjë zgjidhje rreth çështjeve konkrete, por nuk mund të pritet kompromis për statusin përfundimtar të Kosovës, deklaron Klaudia Nolte, drejtore e Fondacionit gjerman Konrad Adenauer në Beograd

default


DW: Kushtetuta e re e Serbisë është quajtur prej disa subjekteve politike serbe, dhe në veçanti prej përfaqësuesve të minoriteteve, si një hap mbrapa në krahasim me kushtetutën e mëparshme. Ky ishte edhe shkaku i bojkotimit të referendumit. Megjithatë, a mendoni se Serbia është në rrugë të drejtë drejt demokratizimit?

Nolte: "Ashtu do të thosha, Serbia është në rrugën drejt demokratizimit. Natyrisht që kjo rrugë nuk është gjithmonë më e drejta dhe më e shkurtra. Sigurisht që në procesin e nxjerjes së kushtetutës ka pasur shumë mangësi, por do të thosha se ky është një hap drejt demokratizimit, sepse është nxjerrë nga fuqia kushtetuta e Millosheviqit. Për Serbinë është ky një hap në drejtimin e duhur. Ndryshimet e kushtetutës në të ardhmen do të jenë më të lehta".

DW: Pas miratimit të kësaj kushtetute, ndaj të cilës ka pasur shumë kritika, është vendosur që me 21 janar të zhvillohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Nuk janë të paktë ata të cilët kanë frikë nga mundësia e forcimit të mëtejshëm të forcave radikale në Serbi. Sa reale janë këto supozime?

Nolte: "Kjo nuk mund të përjashtohet. Në sondazhet e këtushme radikalët gjithnjë janë partia më e fortë politike. Edhe në zgjedhjet e fundit ata kanë fituar më së shumti vota. Megjithatë mbështetja kohët e fundit po ndryshon. Këtë e ka mundësuar edhe ndryshimi i kushtetutës, që ishte një impuls për zgjedhësit me orientim demokratik. Ky është një aspekt tjetër pozitiv, prandaj deri me 21 janar mund të ndryshojnë shumë gjëra. Pyetja më e rëndësishme është niveli i pjesëmarrjes së votuesve në zgjedhje. Vitet e fundit radikalët kanë pasur një numër konstant të mbështetësve. Me rënjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhje, ka rënë edhe mbështetja ndaj partive me orientim demokratik. Në zgjedhjet e fundit kanë votuar vetëm 40 përqind e qytetarëve, pra një nivel shumë i ultë. Kjo ka mundësuar që radikalët të shënojnë rezultate të mira. Shpresoj se referendumi dhe kushtetuta e re do të influencojnë ngritjen e interesit për politikën dhe do të ngrenë numrin e votuesve. Megjithatë, askush nuk mund të thotë me siguri se kush do të fitojë."

DW: Gjatë viteve 90-të kur në pushtet ishin socialistët dhe radikalët, janë zhvilluar të paktën katër luftëra. Çfarë do të thoshte për Serbinë ardhja e sërishme në pushtet e këtyre partive?

Nolte: "Ne duam të shpresojmë se kjo nuk do të ndodhë. Radikalët po zhvillojnë një fushatë shumë populiste. Gjatë fushatës për referendum, radikalët pohonin se janë partia e vetme, e cila lufton korrupsionin, kriminalitetin dhe se angazhohet për mbetjen e Kosovës në Serbi. Nuk e di si do të vepronin po të vinin në pushtet dhe të përballeshin me politikën reale. Por shpresoj se një situatë e tillë nuk do të ndodhë."

DW: Ardhja e radikalëve në pushtet me siguri që do të ndikonte edhe në afrimin e Serbisë me Bashkimin Evropian dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, ndërkohë që forcat me orientim demokratik thonë se ky është qëllimi i tyre kryesor. Çfarë duhet të bëjë Serbia për rikthim në rrugën e integrimeve?

Nolte: "Ekziston një kusht kryesor në këtë rrugë: bashkëpunimi me Tribunalin e Hagës për kriminelët e luftës. Ky është shkaku për dështimin e negociatave për nënshkrimin e marrëveshjes se stabilizim - asociimit me BE. Shpresojmë se gadishmëria për bashkëpunim, pas zgjedhjeve do të jetë më e madhe. Vendimtare është që Rako Mlladiqi në fund të dërgohet në Hagë. Sa i përket kushteve të tjera, Serbia ka bërë disa hapa të mira në drejtim të zhvillimit makroekonomik dhe reformave të domosdoshme. Mangësitë më të mëdha janë në sektorin e shtetit juridik dhe lirisë së mediave."

DW: Arrestimi dhe dorëzimi në Hagë i Ratko Mlladiqit është një çështje, e cila Serbinë po e përcjellë për vite të tëra. Mendoni se Serbia është në gjendje të arrestojë Mlladiqin, apo për këtë nuk ekziston vullneti politik?

Nolte: "Me siguri mund të thuhet se mundësia e arrestimit ka ekzistuar për një kohë të gjatë. Mlladiqi ishte për një kohë të gjatë në Serbi dhe këtë e kanë ditur shumë politikanë. Unë nuk mund të them nëse edhe tani është në Serbi. Ekziston frika që një grup i njerëzve nga koha e regjimit të Millosheviqit po e mbron Mlladiqin. Mendoj se shumica e politikanëve të partive demokratike e kanë të qartë, e disa janë të vendosur se Mlladiqi duhet të shkojë në Hagë, si parakusht për rifillimin e negociatave me BE. Mirëpo është e qartë se një vendosmëri dhe vullnet i tillë nuk ekziston tek të gjitha partitë politike."

DW: Zonja Nolte, përveç bashkëpunimit me Tribunalin e Hagës, një prej problemeve më të mëdha për Serbinë është zgjidhja e statusit të Kosovës. Pas përvojave të deritanishme, a mendoni se ekziston mundësia e një kompromisi mes Beogradit dhe Prishtinës?

Nolte: "Gjatë negociatave të zhvilluara këtë vit, të dyja palët kanë paraqitur pozicione shumë të qarta. Palët nuk kanë shkuar drejt kompromisit, por kanë përforcuar pozicionet e veta. Mendoj se kompromisi nuk është i mundur. E rëndësishme më duket që në negociata të zgjidhen çështjet praktike. Sa i përket statusit përfundimtar, besoj se propozimi duhet të vijë prej bashkësisë ndërkombëtare."

DW: Po çfarë mund të bëjë bashkësia ndërkombëtare konkretisht për zgjidhjen e statusit? A duhet ajo ta imponojë një zgjidhje?

Nolte: "Është e rëndësishme që të merret një vendim i prerë për statusin e ardhshëm të Kosovës. Kjo do të mundësonte zhvillimin e ekonomik të të dy vendeve, sepse statusi i pazgjidhur ka bllokuar shumë vendime politike. Zhvillimi ekonomik për Kosovën është shumë i rëndësishëm. Në këtë aspekt bashkësia ndërkombëtare ka një përgjegjësi shumë të madhe, sepse papunësia tejet e lartë, prej më shumë se 50 përqind, është një problem shumë i madh për perspektivën e kosovarëve. Vitin e ardhshëm UNIMKU do ta përfundojë misionin e tij, që do të thotë se BE duhet të angazhohet edhe më shumë. Jam e sigurt se bashkësia ndërkombëtare do të angazhohet edhe më shumë për zhvillimin ekonomik të Kosovës."

DW: Çfarë do të thoshte pavarësia e Kosovës për shoqërinë dhe shtetin serb. Mendoni se janë në gjendje të përballojnë një vendim të tillë apo do të kemi një radikalizim të situatës?

Nolte: "Është ende tepër heret të thuhet se cili do të jetë statusi përfundimtar i Kosovës. De fakto, Kosova edhe sot ka një pavarësi shumë të madhe. Shumë serbë nuk kanë qenë kurrë në Kosovë, prandaj mund të thuhet se i lidh vetëm ndjenja emocionale, e cila në Serbi është nxitur për shumë vite me radhë. Unë nuk mund të vlerësojë se si do të reagonin në rast pavarësie të Kosovës. Mirëpo në shumë sondazhe thuhet se çështjet më të rëndësishme për serbët janë ato ekonomike dhe jo Kosova. Pra mendoj se pa marrë parasyshë se cila do të jetë zgjidhja përfundimtare e statusit të Kosovës, për serbët më i rëndësishëm do të jetë standardi i jetës se sa Kosova. Natyrisht ekziston jë kategori njerëzish që janë shumë të lidhur me këtë Kosovën, e ata janë refugjatët. Ata do të ishin të dëshpëruar në qoftë se Kosova bëhet shtet i pavarur, por nuk e di se si do të reagonin."

DW: Megjithatë, përveç lidhjeve emocionale dhe dëshpërimit eventual, që është edhe i kuptueshëm në radhë të parë për refugjatët e ikur nga Kosova, mendoni se ekziston mundësia e radikalizimit të gjendjes politike në Serbi?

Nolte: "Nuk do ta përjashtoja. Radikalizimi është i mundur, në veçanti kur dihet se radikalët e kanë përdorur shumë këtë temë në të kaluarën, si formulë populiste për të fituar mbështetjen e zgjedhësve. Me siguri që do ta përdornin sërish, por është kontestuese nëse do të kenë sukses. Megjithatë, besoj se vendimtare për politikën serbe do të jetë afrimi me Bashkimin Evropian dhe përmirësimi i gjendjes ekonomike. Kjo është formula më e mirë për të luftuar edhe radikalizimin eventual."

DW: Po a mund të ndodhin trazira apo madje edhe ndërhyrje ushtarake, siç kanë kërkuar radikalët?

Nolte: "Personalisht mendoj se kjo nuk është e mundur. Nuk e besoj se mund të ketë ndërhyrje ushtarake. Sulmet sporadike të fanatikëve nuk mund të përjashtohen kurrë. Në Kosovë edhe sot po zhvillohen sulme të këtilla. Situata atje është e tendosur, prandaj duhet patur kujdes."

DW: Në Beograd shpesh është thënë se pavarësia e Kosovës do të ndikonte në radikalizimin e kërkesave të serbëve në Bosnje - Hercegovinë apo shqiptarëve në Maqedoni. Sa reale janë këto pohime?

Nolte: "As kjo nuk mund të përjashtohet. Në zgjedhjet e fundit në Bosnje - Hercegovinë, çështja e Kosovës ka luajtur një rol. Në Republika Serpska ka forca të cilat kërkojnë pavarësi. Edhe në Maqedoni thuhet se po vëzhgohen zhvillimet në Kosovë. Prandaj, në procesin për zgjidhjen e statusit të Kosovës, duhet patur parasyshë edhe këto zhvillime."

DW: Është Kosova një rast special apo precedent?

Nolte: "Mendoj se Kosova nuk mund të përdoret si precendecë. Kjo duhet të thuhet qartë, sepse situata në Kosovë është shumë specifike. Këtë duhet ta ketë parasysh edhe Këshilli i Sigurimit kur merr vendimin për zgjidhjen e statusit, sepse rasti i Kosovës nuk mund të përdoret si model për zgjidhjen e krizave në rajonet tjera."

  • Data 21.11.2006
  • Autor Bahri Cani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arb2
  • Data 21.11.2006
  • Autor Bahri Cani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arb2
Reklamë