1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Njohja e Kosovës dhe e drejta ndërkombëtare

Peter Philip24 Shkurt 2008

A është legjitime ndarja dhe njohja e Kosovës me të drejtën ndërkombëtare? Sipas pikëpamjeve të Serbisë dhe Rusisë, jo. Por edhe në vendet perëndimore dëgjohen zëra kritikë

https://p.dw.com/p/DCUv
Flamuri i Kosovës
Flamuri i KosovësFotografi: picture-alliance/ dpa

Rusia dhe Serbia të cilat kanë marrëdhënie të mira politike mbi bazën e interesave nacionale-shtetërore thirren në të drejtën ndërkombëtare për t'ju kundërvënë pavarësisë së Kosovës. Nga ana tjetër vendet përkrahëse të cilat ndërkohë e kanë pranuar shtetin e ri të Kosovës thonë se bëhet fjalë për një rast të veçantë si rrjedhojë e shpërbërjes së Jugosllavisë. Lidhur me këtë Peter Filip bisedoi me profesorin e të drejtës ndërkombëtare Michael Bothe.


Shpallja e Kosovës shtet i pavarur do të ashpërsonte konfliktet në rajon dhe do të thellonte hendeqet. Por para së gjithash ajo nuk është e siguruar mbi bazat e të drejtës ndërkombëtare. Profesori gjerman me renome i të drejtës ndërkombëtare, Michael Bothe, ka tërhequr vërejtjen nga një hap i tillë dhe mbron si të drejta kritikat e tij. Ajo çfarë ai është i gatshëm të pranoj është se këtu ndoshta bëhet fjalë për një kundërthënje siç duket mes të drejtës për vetvendosje dhe integritetit territorial të shteteve.


Një kundërthënje e cila mund të gjindet edhe në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara: në bazë të saj kosovarëve i është pranuar e drejta e vetqeverisjes por njëkohësisht Republikës së atëhershme të Jugosllavisë i është garantuar integriteti territorial. Megjithatë, kështu thekson Bothe e drejta për vetvendosje nuk e përfshin të drejtën për shkëputje nga shteti: ‚Padyshim se është njohur vetëm e drejta për vetvendosje e pupujve kolonial. Ky është një formulim shumë special i të drejtës për vetvendsoje i përdorur gjatë viteve të 60-ta, 70-ta dhe të 80-ta kur edhe përfundojnë zënkat rreth saj'.


Matanë këtij referimi kolonial në rrafshin ndërkombëtar nuk ka një mendim unanim dhe pajtueshmëri sa i përket çështjes së vetvendsosjes:


‚Këtë mund ta shihni qartë tek çështja e baskëve, pastaj në çështjen e Korsikës. Mund të shkojmë edhe pak më larg nëpër vende të tjera të botës: gjithkund kundër përpjekjeve të tilla secioniste ka kundërlëvizje të ashpëra'.


Çfarë e bën atëherë tjetër rastin e Kosovës për vendet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës? Apo çka e dallon Kosovën prej Tajvanit? Në njërin rast mbështetet secionizmi e në rastin tjetër refuzohet njohja edhe pse këtu kemi të bëjmë me një shtet funksional prej kohësh.


Në rastin e Kinës duhet marrë në konsideratë rrethanat e veçanta, mendon profesori Bothe. Edhe këtu çështja e njohjes ndërkombëtare nuk mund të shihet si e shkëputur prej pohimeve për të drejtën e të dyja palëve, dhe kjo ka komplikuar edhe më shumë këtë problem:


'Pikënisje ishte 'Teoria e vetëm një Kine' e cila është përfaqësuar nga të dyja palët. Se ekziston vetëm një Kinë dhe pretendimet e palëve se ka vetëm një qeveri legjitime të vendit. Ky ka qenë për një kohë të gjatë edhe qëndrimi i qeverisë së Tajvanit'.


Në rastin e Tajvanit bëhej fjalë më shumë për vendimin në mes të njërës apo tjetrës qeveri dhe jo për vendimet mes një shteti dhe një tjetri. Dhe parë nga ky prizëm vendimi i Kombeve të Bashkuara në fund të viteve të 60-ta ka qenë konsekuent: të mos njihej më qeveria e Tajvanit por Pekini si përfaqësues i Kinës. Kështu që në këtë mes nuk kemi të bëjmë me një rast shkëputjeje. Nëse Tajvani do të hiqte dorë nga të gjitha pretendimet për territoret kineze dhe do të kënaqej me territoret e saj atëherë do të mund të flitej për shkëputje të tij nga Kina. Dhe përderisa nuk ndodh një gjë e tillë Tajvani është dhe do të mbetet një rast i veçantë. Megjithatë profesori Bothe nuk e mohon faktin që qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare ndaj Tajvanit ndikohet nga rrethanat ekonomike dhe politike në Republikën Popullore të Kinës:


'Një njohje e tillë nuk është e thjeshtë si marrja e një vendimi në gjyq: kështu është. Për më tepër bëhet fjalë për një deklaratë e cila përcaktohet nga motivet politike. Gjithmonë ka qenë kështu'.


Andaj për rastet e ngjashme gjithmonë ka patur zënka e mosmarrëveshje. Përshembull se mos njohja e një shteti të saposhpallur ka qenë e parakohshme. Në të vërtetë para se në atë terriotr të ri shtetëror të jetë vendosur autoriteti shtetëror. Në këtë mënyrë njëkohë është diskutuar shumë për njohjen që i pat bërë Gjermania shtetit kroat edhe pse kjo çështje tashmë i takon të kaluarës.


Se a do të jetë rasti i Kosovës nxitje për imitim në rajone tjera varet shumë nga rrethanat në ato vende, mendon profesori Bothe. Propozimi i një ministri palestinez që të veprohet në mënyrë të njëjtë si Kosova për profesorin Bothe është i gabuar dhe i ngutshëm. Këtu edhe nuk bëhet fjalë për shkëputje. Për ndarje mund të flitet më shumë kur është fjala për Qipron veriore turke, ndarja mund të kërcënoj edhe Baskinë bile ndoshta edhe Kataloninë. Andaj kundërshtimet kryesore ndaj pavarësisë së Kosovës erdhën nga Qipro dhe Spanja.


Bashkësia ndërkombëtare përdor argumentin se Kosova është një rast i veçantë. Por me një argument të tillë mund të dal secili. Andaj me pavarësinë e Kosovës i janë hapur rrugët imituesëve, sqaron Bothe. Tani ndodhemi në një qorrsokak nga i cili duhet të provojmë të dalim. Si përshembull përmes afrimit të Serbisë me Bashkimin Evropian. Atëherë kur njerëzitë do të jetojnë më mirë ndoshta edhe do ta kenë më të lehtë që të pajtohen me gjërat. Por fillimisht duhet pastruar pluhurin e shkaktuar.