Njerëzit duhet ta dinë ç′ka ndodhur | Gjermania | DW | 13.10.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Njerëzit duhet ta dinë ç'ka ndodhur

16 vjet pas ribashkimit të Gjermanisë, Republika Demokratike Gjermane nuk i takon ende së kaluarës. Kjo u bë e qartë edhe këtë verë, kur dosjet e ish-Sigurimit u vunë pjesërisht edhe në dispozicion të publikut. Marianne Birtler flet mbi informatorët e Stasi-t, mbrojtjen e viktimave dhe zbardhjen e historisë

Dosjet e Stasi-t

Dosjet e Stasi-t

Këto dosje të ish-Sigurimit të Shtetit (Stasi), shërbimit të fshehtë të RDGj-së, informojnë ndër të tjera për mënyrën e veprimit të Stasi-t në Gjermaninë Perëndimore. Me sa duket deputetë të parlamentit perëndimor janë përgjuar nga Stasi, të tjerë madje kanë bashkëpunuar me shërbimin e fshehtë lindor. Këto dosje të Stasi-t mblidhen dhe vlerësohen nga zyra për dokumentat e Stasi-t, një institucion i panjohur deri më sot nga bota në këtë formë. Një vështrim mbi ngritjen e kësaj zyre, dosjet, viktimat, keqbërësit dhe përpunimin e së kaluarës së RDGJ-së.

40 material për miliona njerëz

Për pothuajse 40 vjet "Ministria për Sigurinë e Shtetit" (Stasi) në Republikën Demokratike të Gjermanisë grumbulloi material për miliona njerëz. Informatorë dhe spiunë përgjonin shtetasit para së gjithash në RDGj dhe në Republikën Federale të Gjermanisë (RFGj). Ata gjurmonin politikanë, shkencëtarë dhe artistë. Në këtë punë të ashtuquajturit bashkëpunëtorë jozyrtarë nuk stepeshin para asgjëje: lexonin letra private, përgjonin biseda telefonike dhe dokumentonin edhe zbulimet më intime nga jeta e njerëzve, që ngjanjëherë nuk dinin asgjë për praktikat e përgjimit.

Ky sistem spiunimi, frike dhe shpifjeje është qenësor për çdo diktaturë, thotë Marianne Birthler, e ngarkuara për dokumentat e sigurimit të shtetit: "Për këtë duhet ditur se sigurimi i shtetit ishte instrumenti më i rëndësishëm i partisë moniste gjermanolindore për sigurimin e pushtetit. Një diktaturë sidoqoftë ajo nuk mund të kuptohet nëse nuk merresh me policinë e fshehtë përkatëse, e cila në të gjitha diktaturat e botës ka detyrën të sigurojë pushtetin e sundimtarëve, e paligjëruar në mënyrë demokratike."

Dosjet të rëndësishme për çdo qytetar

Ndaj dosjet e shtazit janë edhe sot me një rëndësi të veçantë, jo vetëm për studjuesit dhe historianët, por për çdo qytetar, që do të dijë, nëse është spiunuar nga shtazi.

Pas rënies së Murit të Berlinit në vitin 1989 veprimtarët për të drejtat e njeriut pushtuan zyrat e sigurimit të shtetit dhe shmangën në këtë mënyrë asgjësimin e dosjeve. Pas ribashkimit parlamenti gjerman miratoi Ligjin për Dokumentat e Stasi-t. Në të përcaktohet se dosjet do të jenë të hapura për publikun në planin afatgjatë dhe se personat e prekur kanë qasje në materialin e grumbulluar nga shërbimi i Stasi-t për ta.

Zyra për dokumentat e Stasi-t administron, arkivon dhe ekzaminon dokumentat, që të renditura arrijnë gjatësinë 172 kilometra. Një institucion i pashembullt në botë dhe një aspekt i rëndësishëm i përpunimit të së kaluarës, thotë Mariane Birtler: "Them se kjo është një punë e pashembullt dhe që duhet vlerësuar. Në mbarë botën dhe historikisht ishte hera e parë që trashëgimia e policisë së fshehtë të një diktature u bë e hapur për njerëzit që kishin vuajtur nën këtë diktaturë, që këta të mësonin se çka ndodhur me ta. Kjo është e jashtëzakonshme dhe arsyeja përse shumë vende që kanë përballuar diktatura interesohen sot për punën tonë. Jo për të na imituar ne, kjo do të ishte krejt e gabuar, por për të marrë shtysë nga kjo punë. Edhe vetë fakti që ne bëjmë këtë punë u jep fuqi shumë njerëzve në botë, të cilët angazhohen për përpunimin e kohës së diktaturës."

Kritika për Mariane Birtler

Por kohët e fundit Mariane Birtlerin e kanë kritikuar. Akuza ka pasur të bëjë me faktin, që zyra e saj nuk kishte hapur dosjet legjendare Rosenholz, gjë që u realizua në gusht të 2006. Këto përmbajnë ndër të tjera informacione mbi 43 deputetë të parlamentit të Republikës Federale nga vitet 1969 deri 1972. Por me sa duket vetëm pesë prej tyre kanë punuar vërtetë si bashkëpunëtorë jozyrtarë për Stazi-n, mes tyre Leo Vagner i Partisë Kristiansociale CSU dhe Julius Steiner i Partisë Kristiandemokrate CDU. Të dy janë paguar nga Stazi për të bërë që të dështonte në prill 1972 vota e mosbesimit kundër kancelarit të atëhershëm socialdemokrat, Vili Brandt.

Megjithatë vlerësimi se Stas-in ka pasur në parlamentin e Gjermanisë Perëndimore forcën e një fraksioni të tërë parlamentar, është i ekzagjeruar thotë Birtler. Sipas saj, shumica e politikanëve të përmendur në dosjet Rosenholz si Helmut Shmidt, Vili Brandt apo Franz Jozef Shtraus kanë qenë më shumë viktima sesa keqbërës.

Edhe akuza, se ajo i ka mbajtur dosjet sekret për një kohë të gjatë për të mos zbuluar kaq shumë bashkëpunëtorë të sigurimit në Perëndim sa në Lindje, hidhet poshtë prej drejtueses së arkivit Birtler. Ajo argumenton, se zyra që ajo drejton është përgjegjëse jo vetëm për publikimin e dosjeve, por edhe për mbrojtjen e të dhënave: "Çfrado të dhënash që ne publikojmë, duhet që t´i peshojmë mirë raportet mes interesit publik dhe lëndës përkatëse si dhe së drejtës personale të personit të prekur. Sepse nuk duhet që dikush, që është përdorur prej Stasi-t, të pësojë sot sërish dëm, duke i publikuar dosje, që nuk i intereson askusjt."

Mariane Birtler është e bindur, se zyra e saj edhe 16 vjet pas ribashkimit është e domosdoshme. Ajo e hedh poshtë idenë që dosjet e Stasi-t t´i kalojnë arkivit federal. Nga njëra anë ky është një material mjaft delikat, sepse prek ende shumë njerëz që jetojnë. Nga ana tjetër ende nuk është shuar interesi i qytetarëve: "Vitin e kaluar ne kemi hapur në dispozicion të personave privatë 80.000 dosje. Kësaj i shtohen edhe kërkesat nga shkenca dhe mediet, ndaj ne fluksi i kërkesave që ne kemi për shikimin e dosjeve është një argument, që vërteton, se ky institucion është ende i nevojshëm."

Përveç kësaj zyra e dosjeve ka një domethënie të veçantë për zbardhjen e së shkuarës në ish-RDGj. Synohet që të mos romantizohet kjo e shkuar thotë Birtler. Diktatura socialiste sot nuk duhet zbukuruar: "Njerëzit duan të dinë se si ka qenë, në rast të kundërt ata fare lehtë mund të bien pre e përpjekjeve për ta skicuar ish-RDGj nën një dritë më butë nga ç´ka qenë në të vërtetë."

  • Data 13.10.2006
  • Autor Monika Dittrich
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqz5
  • Data 13.10.2006
  • Autor Monika Dittrich
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqz5