Njerëzit duan tani një vendim! | Ballkani | DW | 23.01.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Njerëzit duan tani një vendim!

Atmosfera në Kosovë pas zgjedhjeve në Serbi

Prishtina

Prishtina

Pas zgjedhjeve në Serbi Bashkimi Europian shpreson në krijimin e një qeverie pro europiane. Një qeveri e tillë, shpreson Brukseli, do të lehtësonte vendimin e afërt mbi statusin e ardhshëm të Kosovës. Në 2 shkurt i ngarkuari i Kombeve të Bashkuara për Kosovën Martti Ahtissari do të paraqesë propozimet e tij mbi statusin e ardhshën të Kosovës, sipas të drejtës ndërkombëtare. Në Kosovë ndërkohë padurimi po shtohet.

Bashkimi Europian mund të shpresojë në kohëra më të mira në raportin e tij me Serbinë, por për shumë shqiptarë në Kosovë kjo nuk vlen. Zgjidhja e çështjes së statusit, sipas perspektivës së tyre nuk është thjeshtësuar prej rezultatit të zgjedhjeve të së djelës, më 21 janar, në Serbi.

"Politikanët serbë luajnë me kohën. Ne kërkojmë nga BE-ja që të mos bjerë në këtë kurth pasi nëse kjo ndodh njerëzit këtu do të dalin në rrugë. Ata thjesht nuk do t'a pranojnë më gjatë këtë gjë", - thotë një kosovar.

Ndërsa një tjetër mendon: "Unë jam i sigurtë se Serbia do ta vonojë me qëllim formimin e qeverisë, për shkak të Kosovës. Por ne shqiptarët do të jemi aq të zgjuar sa të mos lëmë të na provokojnë. Ajo që ndodhi në mars të 2004-s nuk duhet të përsëritet kurrë."

Tre vjet më parë ekstremistë shqiptarë shkatërruan shtëpi, kisha dhe manastire serbe, pati të vdekur dhe të plagosur. Tani situata në Kosovë është në përgjithësi e qetë por se sa do të vazhdojë kjo qetësi nuk mund të parashikohet, thotë gjeneral Roland Kather, komandanti i trupës ndërkombëtare në Kosovë KFOR: "Ne natyrisht vëmë re një nervozitet në rritje. Pas gati shtatë vjetësh protektorat nga Kombet e Bashkuara dhe pasigurie mbi të ardhmen njerëzit tani kanë nevojë për një vendim. Ata duan të dinë se si do të shkojnë punët në Kosovë. Kjo është edhe arsyeja përse unë si komandant i KFOR-it, përgjegjës për sigurinë, them se tani vërtet nevojitet sa më shpejt të jetë e mundur një vendim."

Edhe presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu kërkon me forcë një vendim të shpejtë: "Duhen dalluar disa gjëra. Kosova nuk mund të vazhdojë të mbetet peng i zhvillimeve në Serbi. Edhe bashkësia ndërkombëtare është shprehur qartë për këtë. Presidenti Ahtisaari ka lajmëruar se do ta bëjë shpejt të njohur propozimin e tij. Se çfarë bëjnë serbët me qeverinë është çështja e tyre. Por, që kjo të lidhet me çështjen e statusit të Kosovës, është për ne e papranueshme."

Sipas shefit gjerman të misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Joachim Rücker, qysh në pranverë Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të merret në mënyrë përfundimtare me statusin e ardhshëm të Kosovës. Atëherë edhe Rusia nuk do t'i kundërvihet një zgjidhjeje megjithë fjalët e ashpra të presidentit Putin në fundjavë pas takimit me kancelaren gjermane Angela Merkel.

"Mendoj se duhet mbajtur parasysh që Rusia nuk është vetëm një nga anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit por edhe një anëtare e rëndësishme e Grupit të Kontaktit dhe ka mbështetur të gjitha hapat e rëndësishme të këtij grupi për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Unë jam i mendimit se Rusia është shumë e interesuar në zgjidhjen e statusit të Kosovës në mënyrë që në mozaikun Ballkan të vendoset edhe pjesëza e fundit." - shprehet Rücker.

  • Data 23.01.2007
  • Autor Jörg Paas
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArZQ
  • Data 23.01.2007
  • Autor Jörg Paas
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArZQ
Reklamë