1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Njerëzit duhet të dinë se si ishte"

Monika Dittrich4 Gusht 2006

Marianne Birthler mbi informatorët e Stasi-t, mbrojtjen e viktimave dhe përpunimin e historisë

https://p.dw.com/p/Aqzt
Dokumenta të sigurimit të shtetit të RDGJ-së
Dokumenta të sigurimit të shtetit të RDGJ-sëFotografi: dpa - Bildfunk

16 vjet pas ribashkimit të Gjermanisë Republika Demokratike Gjermane nuk i takon ende së kaluarës. Kjo u bë e qartë edhe këtë javë, kur të ashtuquajturat dosje Rosenholz iu vunë në dispozicion pjesërisht edhe publikut. Këto dosje të Sigurimit të Shtetit (Stasi), shërbimit të fshehtë të RDGJ-së, informojnë ndër të tjera për mënyrën e veprimit të Stasi-t në Gjermaninë Perëndimore. Me sa duket deputetë të parlamentit perëndimor janë përgjuar nga Stasi, të tjerë madje kanë bashkëpunuar me shërbimin e fshehtë lindor. Të gjitha këto dosje të Stasi-t mblidhen dhe vlerësohen nga zyra për dokumentat e Stasi-t, një institucion i panjohur deri më sot nga bota në këtë formë. Një vështrim mbi ngritjen e kësaj zyre, dosjet, viktimat, keqbërësit dhe përpunimin e së kaluarës së RDGJ-së.

Për pothuajse 40 vjet "Ministria për Sigurinë e Shtetit" në Republikën Demokratike Gjermane grumbulloi material për miliona njerëz. Informatorë dhe spiunë përgjonin shtetasit para së gjithash në RDGJ dhe në Republikën Federale Gjermane. Ata gjurmonin politikanë, shkencëtarë dhe artistë. Në këtë punë të ashtuquajturit bashkëpunëtorë jozyrtarë nuk stepeshin para asgjëje: lexonin letra private, përgjonin biseda telefonike dhe dokumentonin edhe zbulimet më intime nga jeta e njerëzve ngjanjëherë të paditur.

Ky sistem spiunimi, frike dhe shpifjeje është qenësor për çdo diktaturë, thotë Marianne Birthler, e ngarkuara për dokumentat e sigurimit të shtetit:

"Për këtë duhet ditur se sigurimi i shtetit ishte instrumenti më i rëndësishëm i partisë moniste gjermanolindore për sigurimin e pushtetit. Çfarëdo diktature nuk mund të kuptohet nëse nuk merresh me policinë e fshehtë përkatëse, e cila në të gjitha diktaturat e botës ka detyrën të sigurojë pushtetin e të pushtetshmëve, jo të ligjëruar demokratikisht."

Pas rënies së Murit të Berlinit më 1989 veprimtarët për të drejtat e njeriut pushtuan zyrat e sigurimit të shtetit dhe shmangën në këtë mënyrë asgjësimin e dosjeve. Pas ribashkimit parlamenti gjerman miratoi Ligjin për Dokumentat e Stasi-t. Në të përcaktohet se dosjet do të jenë të hapura për publikun në planin afatgjatë dhe se personat e prekur kanë qasje në materialin e grumbulluar nga shërbimi i Stasi-t për ta. Zyra për dokumentat e Stasi-t administron, arkivon dhe ekzaminojnë dokumentat 172 kilometra të gjata. Një institucion të pashembullt në botë dhe një aspekt i rëndësishëm i përpunimit të së kaluarës, thotë Marianne Birthler:

"Them se kjo është një punë e shënuar dhe pa shembull. Në mbarë botën dhe historikisht ishte hera e parë që trashëgimia e policisë së fshehtë të një diktature u bë e hapur për njerëzit që kishin vuajtur nën këtë diktaturë, që këta të mësonin se çka ndodhur me ta. Kjo është e jashtëzakonshme dhe arsyeja përse shumë vende që kanë tejkaluar diktatura interesohen sot për punën tonë. Jo për të na imituar ne, kjo do të ishte krejt e gabuar, por për të marrë shtysë nga kjo punë. Edhe vetë fakti që ne bëjmë këtë punë u jep fuqi shumë njerëzve në botë, të cilët angazhohen për përpunimin e kohës së diktaturës."

Por javët e fundit Marianne Birthler ishte kritikuar. Akuza ishte se zyra e saj nuk kishte hapur dosjet legjendare Rosenholz. Ato përmbajnë ndër të tjera informacione mbi 43 deputetë të parlamentit të Republikës Federale nga vitet 1969 deri 1972. Por me sa duket vetëm pesë prej tyre kanë punuar vërtetë si bashkëpunëtorë jozyrtarë për Stasi-n, mes tyre Leo Wagner i Partisë Kristiansociale CSU dhe Julius Steiner i Partisë Kristiandemokrate CDU. Të dy janë paguar nga Stasi për të bërë që të dështontze në prill 1972 vota e mosbesimit kundër kancelarit të atëhershëm socialdemokrat Willy Brandt.

Megjithatë vlerësimi se Stasi ka pasur në parlamentin e Gjermanisë Perëndimore forcën e një fraksioni të tërë parlamentar, është i tejzmadhuar thotë Birthler. Sipas saj, shumica e politikanëve të përmendur në dosjet Rosenholz si Helmut Schmidt, Willy Brandt apo Franz Josef Strauß kanë qenë më shumë viktima sesa keqbërës.