Një vit në post | Gjermania | DW | 29.06.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Një vit në post

Që prej 1 korrikut 2004 Horst Këler është presidenti i Gjermanisë

Presidenti gjerman Horst Këler

Presidenti gjerman Horst Këler

Horst Këler është presidenti i nëntë gjerman dhe i pari që nuk kaloi në postin më të lartë shtetëror drejtpërdrejt nga një pozicion kryesor në politikë. Të shumtë janë ata që shohin një avantazh në këtë pikë, por në të njëjtën kohë Këler-it i duhet të përballet edhe me akuzën e të mos qënit sa duhet asnjëanës në aspektin politikopartiak. Kur u zgjodh në detyrë para më shumë se një viti Horst Këler paralajmëroi se nuk donte të ishte një president i rehatshëm, por kur të ishte nevoja do të shprehte hapur edhe të vërteta të pakëndshme. Këtë premtim ai e ka mbajtur. Ai e ka vënë gishtin mbi plagë të hapura dhe ka kritikuar mungesën e gadishmërisë tek gjermanët për të ndrequr të këqijat në zhvillimin e tyre shoqëror, politik dhe ekonomik. Ai ka kritikuar kundërthënien midis fjalës në publik dhe veprimit në të vërtetë, mungesën e gadishmërisë për tu përballur me rreziqet dhe të ashtuquajturin mentalitet për të marrë ç'të mundësh nga shërbimet sociale, pra edhe atëherë kur nuk ke vërtet nevojë për to. Ky sinqeritet është parë shtrëmbër nga shumë vetë. Nga rradhët e sindikatave u kritikua afërsia e tij e tepërt me ekonominë pa u marrë në konsideratë fakti që Këler shpesh ka akzuar etjen për fitime dhe mungesën e gadishmërisë për të marrë përsipër përgjegjësi të shumë manaxherëve. Disa socialdemokratë nuk ia kanë falur ende sot Horst Këlerit që u zgjodh me votat e kristiandemokratëve dhe liberalëve. Ata shfrytëzojnë çdo mundësi për ta akuzuar presidentin për njëanshëmri politike. Kështu ndodhi p.sh. kur e bënë përgjegjës për daljen e disa informacioneve sekrete burimi i të cilave nëse mendohej pak më gjatë duhej kërkuar zyrën e kancelarit dhe jo atë të presidentit.
Reputacioni i Horst Këlerit në opinionin publik nuk është dëmtuar nga kjo kritikë. Ai gëzon si dhe më parë simpati të lartë gjë që nuk të habit po të marrësh parasysh edhe veçoritë e postit të tij si kryetar shteti me shumë pak kompetenca ekzekutive. Por Horst Këler është shumë më tepër se thjesh një noter besnik i shtetit i cili noterizon ato çfarë i paraqiten nga qeveria dhe parlamenti. Ai mbetet një njeri i veprimit, një njeri që dëshiron t'i çojë gjërat përpara, tu japë atyre formë. Për këtë arsye ai jo vetëm mbështet përpjekjet për reforma të kancelarit gjerman Shrëder por angazhohet për ndryshime edhe më të thella.
Nga vota e presidentit varet shpërndarja e parlamentit dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja pas një rezultati negativ të votëbesimit për kancelarin. Do të ishte në kundërshtim me të gjitha përpjekjet e deritanishme të Këlerit për ndryshime nëse tani do t'i kundërvihej vullnetit të njëzëshëm të të gjitha fraksioneve parlamentare. Nga ana tjetër ai ka vetëbesim të mjaftueshëm për të bërë të qartë varësinë e politikanëve nga vendimi i tij. Përpara se të zgjidhej Këler pati thënë se besonte që i përshtatej shumë mirë si president këtij intervali kohor në historinë gjermane. Mesa duket edhe në këtë pikë ka patur të drejtë.

  • Data 29.06.2005
  • Autor Wolter von Thiesenhausen
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar3J
  • Data 29.06.2005
  • Autor Wolter von Thiesenhausen
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar3J