Një spektakël i padenjë! | Evropa | DW | 03.08.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Një spektakël i padenjë!

Në fundjavën e parë të qershorit në Çeki u zgjodh një parlament i ri, por edhe pse hyri gushti qeveria e re nuk është krijuar ende

Pamje nga parlamenti çek

Pamje nga parlamenti çek

Nganjëherë të bën mirë kur e shfryn inatin. Dhe për të gjetur njerëz të tillë që të shfryjnë për teatrin aktual politik nuk e ke këto ditë të vështirë nëpër rrugët e Pragës.

"T'i marrë djalli të gjithë! Tani i ndjek lajmet për krijimin e qeverisë vetëm për t'u argëtuar. Madje as që nervozohem dot më, e gjitha është për të qeshur. Po ata e kanë mendjen vetëm tek qesja e tyre, jo te gjë tjetër."

Ata, janë nga njëra anë kryetarët e tre partnerëve të koalicionit të përbërë prej demokristianëve dhe ekologjistëve dhe ana tjetër ende kryeministri socialdemokrat Jirzhi Paroubek dhe komunistët. Që të dyja palët kanë në parlament nga 100 vende. Ka tetë javë që treshja nën drejtimin e kryetarit të konservatorëve Mirek Topolanek po përpiqet të bierë dakord me socialdemokratët, që kanë dalë forca e dytë në zgjedhje, për një tolerim. Takime të fshehta, mesazhe telefonike mes krerëve të partive, takime tek presidenti i vendit. Gjithçka e kotë. Dakord nuk është rënë deri tani as për kryetarin e parlamentit, e jo më pastaj për atë të kryeministrit. Pasoja, qeveria e vjetër drejton në mënyrë komisare, dhe vendi është praktikisht pa qeveri, kurse zgjedhësit nuk dinë se ç'të thonë:

"Duhet t'ju them sinqerisht se kohët e fundit as që e ndjek më këtë histori. Po zgjat tepër dhe për ne shumicën e njerëzve është bërë ndërkohë e mërzitshme. Provizorizmat nuk janë të mira për ne, por për fat të keq unë nuk e di si mund të dilet prej kësaj gjendjeje." - thotë një mësuese.

Propozime për daljen nga kjo gjendje javëve të fundit ka pasur mjaft. Shefi i konservatorëve Topolanek ka propozuar për shembull që të përfshijë në programin e ri qeveritar pikat më të rëndësishme të programit elektoral të socialdemokratëve. Paroubek e quajti këtë propozim finte dhe e refuzoi. Propozimi tjetër i Topolanekut ishte që të organizohej një mini-votim për të zgjedhur një deputet të vetëm, i cili do t'i jepte fund gjendjes së barazisë në parlament. Por kushtetuta çeke nuk e përmban një gjë të tillë, pra edhe ky u hodh poshtë. Propozimi i tij i fundit ishte krijimi i një qeverie të përkohshme të përbërë prej treshes së koalicionit të tij, e cila do të kishte një program të kufizuar për t'u përkujdesur për gjërat më të domosdoshme, buxhetin dhe ligjin zgjedhor. Topolanek thotë se ky ligj është përgjegjës për gjendjen e krijuar ndërkohë që nevojitet një ligj i ri i formuluar në mënyrë të tillë që të mos dëmtohet puna e organeve politike përmes krijimit të situatave si kjo e tanishmja.

Edhe këtë propozim social-demokrati Paroubek e hodhi poshtë, duke thënë se partia e tij nuk do ta lejonte në asnjë mënyrë një koalicion të qendrës së djathtë dhe se mundësitë për krijimin e një qeverie nuk janë shterruar deri në fund.

Se cilat janë këto mundësi nuk e di askush. I mundshëm do të qe një koalicion i madh mes konservatorëve dhe socialdemokratëve, por një mundësi të tillë të dyja palët e hedhin poshtë në mënyrë kategorike.

Për këtë paralizimi i sistemit politik në Çeki është tani jo më një shfaqeje teatrale, por sipas vëzhguesve kriza më e rëndë politike që prej shumë vitesh. Dhe kjo në një moment kur Çekia dihet që përgatitet për t'u anëtarësuar në euroland dhe në marrëveshjen Shengen.

Në këtë drejtim nuk të çuditin zërat që kërkojnë zgjedhje të reja edhe pse të dyja partitë e mëdha i hedhin poshtë ato.

  • Data 03.08.2006
  • Autor Peter Hornung
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArAQ
  • Data 03.08.2006
  • Autor Peter Hornung
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArAQ