Një simbol, por jo aktor politik - Kosova pa Ibrahim Rugovën | Studimi në Gjermani | DW | 23.01.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Një simbol, por jo aktor politik - Kosova pa Ibrahim Rugovën

Vdekja e presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova dhe Kosova pa të është sot një ndër temat që komentohet në shtypin gjerman.

default

"Frankfurter Allgemeine Zeitung" shkruan: "Nuk është e pamëshirme, kur disa thonë, se vdekja e Rugovës madje mund t´i lehtësojë bisedimet. Eshtë mëse e vërtetë, që burri plot merita me shallin e mëndafshtë në fund u shndërrua në një monument të vetvetes, i ngurtësuar në kërkesën e tij për pavarësinë e Kosovës. Megjithatë edhe ata që kritikojnë ngurtësinë e tij, kurrësesi nuk ofrojnë zgjidhje më të mira. Serbia do ta mbajë Kosovën, por asnjëherë nuk do të jetë e gatshme që të pagujë për këtë çmimin e duhur: pra të pranojë pjesëmarrjen e shqiptarëve në pushtetin e Beogradit. Po aq jorealist është edhe propozimi i hedhur për një konfederatë serbo-malazezo-shqiptare, që ka për qëllim të shmangë pavarësinë e Kosovës", komenton "Frankfurter Allgemeine Zeitung".

Ndërsa e përditshmja "Neues Deutschland" që del në Berlin analizon: "Thuhet një vdekje në kohë të papërshtatshme. Por kur do të ishte koha e përshtatshme? Bisedimet ndoshta do të influencohen në aspektin kohor, por jo në drejtim të klimës e aspak lidhur me përmbajtjen. Ndonëse në Prishtinë tani do të hapet grindja për pasardhësin e burrit me shallin e mëndafshtë, kushdo që të jetë ai pozicionet e serbëve dhe shqiptarëve do të mbeten të pandryshueshme, ashtu si edhe në kohën që jetonte Rugova", nënvizon "Neues Deutschland".

Nga komenti i "Braunschweiger Zeitung" shkëpusim: "Endrra e jetës nuk mundi të realizohet për Ibrahim Rugovën: pavarësia e Kosovës. Me rafinesë ai e ka kufizuar influencën e luftëtarëve të armatosur të UÇK-së duke i orientuar shqiptarët në kursin e tij të paqes. Pavarësisht nga disa suksese Rugova nuk iu afrua shumë zgjidhjes së problemit. Serbët e refuzojnë pavarësinë e Kosovës po aq sa fort e kërkon atë 95% e popullssisë shqiptare në Kosovë. Bashkësia ndërkombëtare nga ana e saj kërkon një kompromis dhe e refuzon ndarjen e Kosovës në bazë të kritereve etnike. Me këtë situatë të bllokuar do të konfrontohet pasardhësi i Rugovës. Por cili do të jetë ai? Rugova e ka lënë pasdore konceptimin e trashëgimisë politike", tërheq vëmendjen "Braunschweiger Zeitung".

"Rhein Zeitung" e Koblencit nënvizon: "Kosovarët nuk do të pranojnë asgjë më pak se pavarësia. Ndaj serbët do të jenë ata që së fundi duhet të lëvizin. Kosova është e humbur për ta - madje qysh tani si protektorat i OKB-së. Ky mendim është i dhimbshëm. Cilido politikan i nivelit të lartë që e shpreh këtë të pashmangshme, mund ta paguajë guximin e tij me dështimin politik. Më e mira që mund të arrijë Serbia është bashkimi i territoreve kufitare të banuara nga serbët. Endrra e Rugovës për një Kosovë të lirë ndërkaq do të jetojë, derisa kosovarët të festojnë themelimin e shtetit. Nëse arrihet deri këtu, atëherë ndoshta nuk do të harrohet trashëgimia e Rugovës. Por më e rëndësishme se një shtet kosovar është bashkëjetesa në paqe e popujve të Ballkanit. Rugova s´do të kish dëshiruar kurrë një Kosovë agresive nacionaliste", shkruan "Rhein Zeitung".

Një citat nga komenti i "Frankfurter Rundschau": "Me vdekjen e presidentit të Kosovës Rugova, nuk është bërë më e lehtë situata për ndërmjetësuesin e OKB-së, Ahtisari, përkundrazi ajo është vështirësuar dukshëm. Problemi që ka përpara diplomati findlandez duket pathuajse i pazgjidhshëm. Në bisedimet e shtyra tani për në shkurt ai duhet të afrojë pozicionet e papajtueshme të serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës. Karta evropiane e presionit ndaj Serbisë e Malit të Zi, që për një antarësim në BE duhet të mbahet qëndrim i arësyeshëm ndaj çështjes së Kosovës, ka humbur vlerën qëkurse në kryeqytetet evropiane po debatohet për kufijtë e zgjerimit të BE-së. Sidoqë të jetë zgjidhja pas bisedimeve që do të zgjasin, e qartë është që bashkësia ndërkombëtare, nën drejtimin e BE-së, duhet të përgatitet për një kujdestari afatgjatë në Kosovë", shkruan "Frankfurter Rundschau".

Në artikullin e "Trierischer Volksfreund" lexojmë: "Thëngjilli në fuçinë e barutit Kosovë, që dukej se prej kohësh ishte bllokuar, tani do të japë shkëndija më shumë se kurrë, në rast se nuk gjendet shpejt një kompromis. Ndaj BE-ja, OKB-ja dhe NATO-ja pas vdekjes së Rugovës duhet t´i ulin sa më shpejt në tryezën e bisedimeve palët e armiqësuara", tërheq vëmendjen "Trierischer Volksfreund".

Gazeta e Berlinit "Tagesspiegel" boton një intervistë me Koordinatorin e Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, Erhard Busek. Ky i fundit mendon që bisedimet do të kenë një rrjedhë të vështirë. "Parashikoj që në katër ose gjashtë muajt e ardhshëm mund të ketë një krizë të madhe", thotë Busek duke pasur parasysh bisediemt. Busek rolin e Rugovës e përshkruan: "Ai ishte një simbol, por jo një aktor politik", ndaj në bisedimet për statusin Rugova nuk do të kishte qenë negociatori vendimtar", shprehet Koordinatori i Paktit të Stabilitetit Erhard Busek në intervistë për gazetën "Tagesspiegel".

  • Data 23.01.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arrl
  • Data 23.01.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arrl