Një përpjekje e re | Gjermania | DW | 18.12.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Një përpjekje e re

Reforma e dytë e federalizmit do të rregullojë kompensimin financiar midis landeve

Pamje nga debati parlamentar për reformën e federalizmit

Pamje nga debati parlamentar për reformën e federalizmit

Në të kaluarën ishte e thjeshtë: federata ndërtonte rrugët kombëtare, landet rrugët e landit dhe qarqet e komunat ato lokale. Më pas më 1965 erdhi për të parën herë në detyrë një koalicion i madh mes kristian- dhe socialdemokratëve. Me shumicën e gjerë në dy dhomat e parlamentit, Bundestag dhe Bundesrat, koalicioni vendosi një marrëdhënie të re midis federatës dhe landeve.

Në atë kohë vendi ishte në një rënie koniunkturore që prej mrekullisë ekonomike të pasluftës, arkat e federatës ishin të mbushura mirë kështu që federata donte të nxiste investimet në lande dhe komuna për t'i dhënë hov ekonomisë. Në të njëjtën kohë në këtë mënyrë federata donte të vinte në lëvizje në nivel landi çështje politikisht të rëndësishme për të, por për të cilat ajo nuk kishte kompetencë. Lindën të ashtuquajturat detyra të federatës dhe të landeve dhe së bashku me këtë financimet e përziera, të cilat kanë rezultuar fatale.

Fillimisht kjo ishte me leverdi për landet: shumë projekte të tyre u bashkëfinancuan prej federatës dhe kudo që përgjegjësitë e landeve përzieheshin me ato të federatës landet ishin nëpërmjet dhomës së lartë të parlamentit bashkëhartuese të legjislacionit. Kjo bëri që për arsye të shumicave të ndryshme në dhomën e ulët dhe atë të lartë, gjë që ishte rregullisht dekadat e fundit, gjithnjë e më shumë projekte politike të bllokoheshin. Këtë problem e zbuti reforma e federalizmit që hyri në fuqi këtë vjeshtë, duke ndarë më qartë përgjegjësitë midis federatës dhe landeve.

Por në shumë raste kanë mbetur financimet e përziera. Se çfarë pasojash sollën ato, kjo mund të studiohet në rastin e të ashtuquajturës metro e kancelarit në Berlin. Në vrullin e planifikimit të kryeqytetit pas ribashkimit gjerman u planifikua një linjë e re metroje: nga stacioni i ri kryesor, selia e kancelarit, portat e Brandeburgut e deri në sheshin Alexanderplatz, në qendrën e ish-Berlinit lindor. Ajo do të financohej pjesërisht nga Berlini dhe nga federata. Pasi ishin shpenzuar me punime shumë miliona landi i Berlinit, i zhytur ndërkohë thellë në borxhe, konstatoi se nuk i duhej doemos e ashtuquajtura metro e kancelarit. Por në rast ndalimi të punimeve federata do të kishte kërkuar kthimin e bashkëfinancimit të kryer. Prandaj tani po vazhdohen punimet për metronë e kancelarit duke marrë borxhe të reja.

Financimet e përziera kanë bërë që landet të shpenzojnë para në projekte të dyshimta vetëm e vetëm që të mos u digjen mjetet financiare që i vë në dispozicion federata. I futur dhe i ankoruar në kushtetutë për të barazuar kushtet e ndryshme të jetesës në landet e veçanta ai ka marrë pjesërisht trajta absurde. Në rast se një vend bën ekonomi me sukses, atëherë atij i duhet t'u dorëzojë landeve më të dobëta pjesën më të madhe të të ardhurave shtesë. Kur një land i zhytur në borxhe e ul përqindjen e borxheve, atëherë ai humbet ndihmat që merr prej landeve më të pasura. Pra nuk ia vlen të përpiqesh.

Gjatë ngarkimit të komisionit për reformën II të federalizmit, i cili do të merret me zgjidhjen e këtyre problemeve, kryetari i fraksionit parlamentar të Partisë Socialdemokrate Peter Struck tha në parlament: "Kemi marrë përsipër një punë kolosale dhe unë nuk jam fort i sigurt, nëse do t'ia dalim mbanë."

Sipas Struck-ut, duhen shpërbërë lidhje financiare të konsoliduara për dekada të tëra. Struck së bashku me kryeministrin e landit Baden-Württemberg Günther Oettinger do të kryesojë komisionin për reformën II e federalizmit. Të dy duhet të bashkojnë interesa të ndryshme, jo vetëm të federatës dhe të landeve, por para së gjithash midis landeve të dobëta dhe të fuqishme ekonomikisht, midis landeve të zhytura në borxhe dhe atyre me më pak. Prandaj Fritz Kuhn, i cili përfaqëson në komision të gjelbërit në opozitë, paralajmëroi: "Në qoftë se të gjithë marrin qëndrimin: unë shoh vetëm hesapin tim, fitoj apo humbas dhe në rast se humbas them jo, atëherë e lëmë më mirë këtë punë që pa filluar."

Përveç kufizimit të financimeve të përziera dhe një kompensimi të përmirësuar financiar komisioni do të flasë edhe për shpërndarjen e tatim-taksave, pasi taksat më të rëndësishme: tatimi mbi vlerën e shtuar, tatimi mbi të ardhurat dhe tatimi i sipërmarrjeve ndahen midis federatës dhe landeve, dhe landet pothuajse nuk kanë burime të ardhurash tërësisht të tyret. Të gjitha janë të vështira, përfundimi i panjohur. Megjithatë një gjë duhet të arrijë komisioni, këtë e lanë theksuar në parlament folës nga shumë parti: përcaktimin e kufijve për futjen në borxhe.

  • Data 18.12.2006
  • Autor Peter Stützle
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqyG
  • Data 18.12.2006
  • Autor Peter Stützle
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqyG