Një ofertë e pamoralshme | Evropa | DW | 10.03.2016
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Evropa

Një ofertë e pamoralshme

Shumë në BE janë të rezervuar kur vjen puna për të pranuar ndihmë nga Turqia në çështjen e refugjatëve.

Edhe vetë vendi i takimit ngërthente në vete simbolikë. Kryeministri grek Alexis Tsipras u takua me kryeministrin turk, Ahmet Davutoglu në Izmir, në qytetin e Azisë së Vogël, ku grekët dhe turqit luftuan me egërsi kundër njëri-tjetrit pak pas Luftës së Parë Botërore. Por në krizën e refugjatëve, të dyja vendet kuptohen me njëri-tjetrin.

Shkak për këtë është propozimi më i fundit turk, me të cilin Davutoglu i kapi të papërgatitur pjesëmarrësit e samitit të BE të hënën në Bruksel: në bazë të këtij propozimi, Turqia është e gatshme që të pranonte kthimin në Turqi të refugjatëve dhe migrantëve, nëse BE pranon nga Turqia të njëjtin numër refugjatësh sirianë të luftës civile. Ata do të vinin fare legalisht në Evropë dhe nuk do të vareshin më nga trafikantët e njerëzve.
Egjeu nuk duhet të jetë më "një det i zisë dhe i mungesës së shpresës", tha Davutoglu duke pasur parasysh numrin e madh të të mbyturve. Dhe Tsipras shtoi se udhëtimi në mjete lundrimi të papërshtatshme për detin "është një turp për kulturën tonë". Për Greqinë oferta turke do të ishte një lehtësim i madh. Sepse për shkak të bllokimit të itinerarit ballkanik, në Greqi ngec një numër gjithnjë e më i madh migrantësh dhe refugjatësh, të cilët në fakt duan të shkojnë në Veri.


A nevojitet fare Turqia?


Nga ana tjetër, shtetet e tjera të BE duhet të tregohen të gatshme që me të vërtetë të pranojnë sirianë nga Turqia. Por përpjekjet e deritanishme për rishpërndarjen e refugjatëve kanë dështuar në mënyrë qesharake.
Veç kësaj, shtetet ballkanike po demonstrojnë tani se ndaj refugjatëve mund ta izolosh veten edhe pa ndihmë turke, megjithëse kjo bëhet në kurriz të Greqisë. Pasi Sllovenia, Serbia, Kroacia dhe Maqedonia bënë të ditur se do të lejojnë të hyjnë në vend vetëm njerëz me viza të vlefshme, itinerari ballkanik praktikisht është mbyllur.
Megjithatë, Jannis Emmanoulidis nga Qendra Kërkimore e Brukselit European Policy Center sheh shanse që të arrihet një zgjidhje evropiane me Turqinë. Ai thotë se nëse një paketë e përgjithshme krijon besim se shifrat e refugjatëve do të ulen në mënyrë të dukshme, "shumë shtete anëtare do të jenë të gatshme jo vetëm ta miratojnë atë, por që të marrin pjesë në një rishpërndarje të refugjatëve drejtpërdrejt nga Turqia."
Por ka rezerva në të gjitha partitë e përfaqësuara në Parlamentin Evropian që të bashkëpunohet me Turqinë. Shumë vetë flasin për një "kolaps moral" që pranohet ndihmë nga një qeveri e tillë si ajo e Turqisë. Edhe për kërkesën e turqve që të përshpejtohen negociatat për anëtarësimin e Turqisë në BE. Në këtë pikë nuk duhet të ketë rabat, tha Presidenti i Parlamentit Evropian Martin Schulz. Bashkëpunimi në çështjen e migrimit duhet të ndahet nga negociatat e anëtarësimit.
Një veto e ka lajmëruar edhe anëtari i BE, Qiproja. Për aq kohë sa Turqia nuk e njeh Qipron, nuk mund të ketë përparime në negociatat e anëtarësimit, bëri të ditur të mërkurën zëdhënësi i qeverisë qipriote.


Edhe sikur të dështojë edhe samiti i ardhshëm


Brenda pak javësh ka pasur dy takime të nivelit të lartë për temën e refugjatëve dhe të dyja herët kancelares Angela Merkel iu desh të kthehet duarzbrazur. Edhe në tri zgjedhjet për parlamentet e landeve të dielën ajo nuk mund të prezantojë një zgjidhje evropiane. "Nganjëherë puna mund të ecë më shpejt. Por unë besoj se në përgjithësi puna ecën në drejtimin e duhur", tha Merkeli të mërkurën në Südwestrundfunk.
Edhe Jannis Emmanoulidis është përgjithësisht optimist. Edhe sikur takimi i ardhshëm i nivelit të lartë të BE të dështojë "do të ketë një takim tjetër. Sepse sfida është që të përgatitet një paketë masash, e cila t'i kënaqë të gjitha shtetet anëtare." Kjo është e vështirë dhe kërkon kohë, por është e mundur, thotë ai.