Një ndërmjetësues aktiv - Mbreti Abdullah i Jordanisë dhe roli i tij në Lindjen e Mesme | Bota | DW | 16.05.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Një ndërmjetësues aktiv - Mbreti Abdullah i Jordanisë dhe roli i tij në Lindjen e Mesme

Mbreti aktual i Jordanisë Abdullah i II-të bin al-Husein është ndërmjetësues aktiv në konfliktin e Lindjes së Memsme dhe në vatra të tjera konfliktesh

Mbreti i Jordanisë Abdullah i II-të, nga takimi në Berlin me kancelaren Angela Merkel

Mbreti i Jordanisë Abdullah i II-të, nga takimi në Berlin me kancelaren Angela Merkel

Mbreti Abdullah i Jordanisë, që është i martuar me një palestineze, paralajmëroi më 15 maj kryeministrin e Izraelit, Ehud Olmert që të mos e shkallëzojë konfliktin në Lindjen e Mesme. Në vendin e tij, që jeton në paqe me Izraelin herë pas here zhvillohen takime mes izraelitëve dhe arabëve. Për vendin e tij ai vazhdimisht përpiqet të gjejë mbështjetje ndërkombëtare.

Mbreti Abdullah i Jordanisë është një njeri shumë aktiv. Vetëm brenda pak ditësh ai takohet në Akaba, qytet port në jug të Jordanisë, me zëvendëspresidentin e SHBA, Dik Çenej, më pas në qytetin historik fqinj Petra ai fton 44 nobelistë nga e mbarë bota, vazhdon më tej takimi me kryeministrin e Izraelit Ehud Olmert dhe përgatitet për "Forumin Ekonomik Botëror të Lindjes së Mesme" në detin e Vdekur. Janë vetëm stuhitë e shkretëtirës pengesë që ai nuk mund të realizojë fluturimin me helikopter për në Ramallah për t´u takuar me presidentin palesitnez, Mahmud Abaz.

Monarku jordanez di ta prezantojë vendin e tij si një lojtar aktiv në Lindjen e Mesme duke ia shtuar kështu rëndësinë atij shumë më tepër nga sa e vlerëson atë bota e jashtme në vështrimin e parë. Mbreti insiston që amerikanët menjëherë të gjejnë një rregull të pranueshëm për Irakun, ai i imponon izraelitët që të marrin në konsideratë planin arab të paqes të miratuar në Riad dhe njëkohësisht mesazhi i tij në adresë të palestinezëve është mëse i qartë: "Hamasi" dhe "Fatahu" duhet t´u japin fund rivaliteteve dhe së bashku t´i përkushtohen procesit të paqes me Izraelin.

Për Jordaninë mbreti Abdullah përpiqet të gjejë mbështetjen ndërkombëtare. Nobelistët, që ai do t´i takojë për të tretën herë në Petra, duhet të mbështesin iniciativën për arsimimin e të rinjve në vend dhe pjesëmarrësit në Forumin Ekonomik Botëror të Lindjes së Mesme duhet të hapin dhe të zgjerojnë rrugën e Jordanisë drejt teknologjisë së të ardhmes. Këto iniciativa janë të rëndësishme në një vend me mungesë të pasurive të rëndësishme nëntokësore dhe ku 80 përqind e popullsisë gjashtë milionëshe janë nën 18 vjeç, si rrjedhojë rinia është kapitali më i çmuar i vendit. Ashtu si edhe në takimet e mëparshme të Forumit Ekonomik Botëror të Lindjes së Mesme, edhe kësaj radhe do të ndërmerren iniciativa të përbashkëta në fushën e arsimit dhe të zhvillimit, prej nga do të përfitojnë të dyja palët.

Gjatë kohës që zhvillon punimet ky forum në detin e Vdekur organizohet paralelisht edhe takimi i grupit G 11, një lidhje e çlirët shtetesh kjo, e krijuar me iniciativën e mbretit Abdullah në vjeshtën e vitit 2006. Në këtë nismë marrin pjesë shtete të ndryshme si Nikaragua, Indonezia, Pakistani apo edhe Bosnja. Këto janë vende me të ardhura mesatare, të cilat gjatë takimeve të rastit duan të konsultohen bashkarisht mbi interesat dhe problemet e përbashkëta.

Shumë më të rëndësishme se rezultatet zyrtare të këytre konferencave janë kontaktet jozyrtare që vendosen në kuadër të tyre. Nisur nga fakti që krahas Egjiptit edhe Jordania si i vetmi vend arab jeton në paqe me Izraelin, edhe këtu rregullisht takohen izraelitët dhe arabët e tjerë. Si aleate e ngushtë e ShBA Jordania shërben si një urë edhe për çështjen e Irakut. Bashkë me Arabinë Saudite Jordania përpiqet që të mbrojë interesat e vëllezërve sunitë të besimit të vet në Irak dhe për këtë arësye ajo është e interesuar për një zgjidhje të drejtë në këtë vend fqinj, që është aleat i vjetër dhe i ngushtë i Jordanisë. Ndërsa edhe me palestinezët Jordania ka lidhje të ngushta, sepse së paku dy të tretat e popullsisë janë me origjinë palestineze, ndaj edhe për këtë arësye Amani është i ineteresuar për një zgjidhje të konfliktit qendror. Pa harruar që ky konlikt vazhdimisht ka influencuar direkt ndaj Jordanisë.

Si rrjedhojë mbreti Abdullah ka të drejtë kur mendon, që vendi i tij mund të luajë një ror kryesor në zgjidhjen e problemeve rajonale. Ai bën ç´është e mundur që krahas Egjiptit e së fundi edhe Arabisë Saudite, Jordania të jetë një ndër lojtaret aktive në skenën e Lindjes së Mesme. Këtë ai e bën me shumë sukses.

  • Data 16.05.2007
  • Autor Peter Filip
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArIg
  • Data 16.05.2007
  • Autor Peter Filip
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArIg
Reklamë