Një e treta e të burgosurve të Guantanamos do të dëbohen | Bota | DW | 02.03.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Një e treta e të burgosurve të Guantanamos do të dëbohen

Qeveria e ShBA ndodhet nën presion të fortë ndërkombëtar. Prej katër vjetësh qindra të burgosur mbahen në kampin e Guantanamos pa aktpadi dhe u nënshtrohen procedurave të dyshimta të marrjes në pyetje

I burgosur në kampin e Guantanamos

I burgosur në kampin e Guantanamos

Nga rreth 500 të burgosur në Guantanmo deri tani janë akuzuar zyrtarisht vetëm dhjetë syresh. Pjesa tjetër mund të merrte pjesë vullnetarisht në një procedurë zyrtare për verifikimin e statusit nga ushtria, por këtë mundësi e kanë shfrytëzuar vetëm gjysma e të burgosurve, deklaroi kapiteni i marinës së ShBA, Tom Kuin në një konferencë shtypi në bazën e Guantanamos në Kubë. Pas verifikimit të statusit të 119 të burgosurit mund të dëbohen në vendet e tyre, thuhet më tej.

Por nga vendet përkatëse do të kërkohet garanci, që të burgosurit atje do të trajtohen në mënyrë humane dhe se në të ardhmen ata nuk do të paraqesin më rrezik për sigurinë. 14 të burgosur janë liruar menjëherë, sepse për ushtrinë ata s´kishin më "vlerë për informacion", citat ky i një zëdhënësi ushtarak.

Procedura e verifikimit, që i ka paraprirë këtij vendimi, ka qenë e tillë: një komision i përbërë nga tre gjyqtarë ushtarakë vlerësonte informacionet e autoriteteve të ndryshme të qeverisë së ShBA dhe u lejonte të burgosurve që të paraqisnin lëndën për mbrojtjen e tyre.

Organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut e kanë kritikuar këtë procedurë, sepse të burgosurit nuk përfaqësoheshin nga avokat mbrojtës. Gjithashtu të burgosurit nuk kanë pasur mundësi që të kontestonin dëshmitë kundër tyre.

Ndërkaq Pentagoni vendosi që deri në fund të javës të publikojë të gjitha emrat e të burgosurve të Guantanamos. Një gjyqtar federal i dha të drejtë padisë së ngritur muajin e shkuar nga agjencia e lajmeve AP.

Ndërkohë është e paqartë, nëse ministria e mbrojtjes duhet të publikojë edhe letrat, nëpërmjet të cilave të burgosurit shprehen lidhur me statusin e tyre. Këto letra i janë dorëzuar Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, i cili ka pasur akses tek të burgosurit.

Qeveria e ShBA e krijoi kampin e Guantanamos në valën e "luftës kundër terrorizmit" pranverën e vitit 2002. Shumë të burgosur janë kapur në sheshin e luftës në Afganistan gjatë ndërhyrjes së ShBA. Politikanë nga një sërë vendesh të BE-së, ndër to edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, kanë kërkuar, po ashtu si edhe organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut mbylljen e këtij kampi.

Në të shkuarën herë pas here ka pasur njoftime për keqtrajtimin e të burgosurve, gjë që është hedhur poshtë nga qeveria e ShBA. Një pjesë e vogël e 500 të burgosurve ndodhet në grevë urie dhe po i ushqejnë me detyrim.

  • Data 02.03.2006
  • Autor Daniel Sheshkevic
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArMI
  • Data 02.03.2006
  • Autor Daniel Sheshkevic
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArMI
Reklamë