1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një aktakuzë e re në Gjykatën Speciale në Hagë

Bekim Shehu
28 Prill 2020

Konfirmohet një aktakuzë e re e Prokurorit të Specializuar pranë Gjykatës Speciale për Krime Lufte në Kosovë, por nuk bëhet i ditur emri i personit. Përmbajtja e aktakuzës është konfidenciale.

https://p.dw.com/p/3bVYt
Symbolbild Hammer im Gerichtssaal
Fotografi: picture-alliance/ dpa

Prokurori i Specializuar pranë Gjykatës Speciale për Krime Lufte në Kosovë, me seli në Hagë, paraqiti një aktakuzë të re. Nuk bëhet i ditur emri i personit, por thuhet se kryetarja e trupit gjykues tashmë ka caktuar një gjykatës të procedurës paraprake "për të shqyrtuar një aktakuzë të re, të paraqitur nga një prokuror i specializuar". "Pas njoftimit të tij për nisjen e procedimeve penale në shkurt 2020, Prokurori i Specializuar e njoftoi sërish Kryetaren e Dhomave të Specializuara të Kosovës, të enjten, më 23 prill 2020, se ka ndër mend të nisë procedim penal të ri para Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe kërkoi caktimin e një gjykatësi të procedurës paraprake në pajtim me Ligjin”, thuhet në njoftimin e zyrës së prokurorit të Specializuar.

"Si rrjedhojë, në pajtim me Ligjin dhe Rregulloren e Caktimit të Gjykatësve, Kryetarja ka caktuar një gjykatës të procedurës paraprake për shqyrtimin e aktakuzës së re të paraqitur nga Prokurori i Specializuar. Përmbajtja e aktakuzës është konfidenciale, përveçse kur konfirmohet dhe deri sa të konfirmohet nga gjykatësi i procedurës paraprake”, thuhet në njoftim. Gjykatësi ka maksimum gjashtë muaj kohë për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën. Prokurori i specializuar, Jack Smith, ka paraqitur edhe një aktakuzë në shkurt, e cila është në proces të konfirmimit.

Denkmal ’Newborn’ in Pristina, Kosovo
Fotografi: DW/I. Đerković

Intervistimet e ish-ushtarëve të UÇK-së u kryen në 2019-n

Gjatë vitit 2019, mbi 250 ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë intervistuar nga prokurorët ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara, disa si dëshmitarë dhe disa si të dyshuar. Në mesin e tyre edhe ish-figura të larta të UKÇ-së.

Gjykata Speciale apo, siç njihet me emrin zyrtar "Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar”, janë përgjegjës për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve tjera penale në Kosovë në periudhën 1998-99. Kjo u mundësua në gusht të vitit 2015, kur Parlamenti i Kosovës me shumicë votash miratoi ligjin për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë, e cila selinë e saj tashmë e ka në Hagë dhe në të do të punojnë tërësisht prokurorë dhe gjykatës ndërkombëtar. Ideja për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë, doli pas një rezolute në Këshillin e Evropës që kërkonte hetime mbi supozimet e një senatori zviceran Dick Marty, i cili pretendonte se pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime lufte  dhe kanë trafikuar organe të serbëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.