1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Njësi për frikësimin apo mbrojtjen e dëshmitarëve?

20 Shtator 2011

Sistemi i mbrojtjes së dëshmitarëve të krimeve të luftës në Serbi pak a shumë nuk funksionon. Për këtë flet edhe rasti i tre policëve, që guxuan t'i tregojnë prokurorisë se çfarë tmerresh lufte kanë parë.

https://p.dw.com/p/12cqp
Qendër përkujtimore e masakrës së Srebrenicës
Qendër përkujtimore e masakrës së SrebrenicësFotografi: picture-alliance/dpa

Thjesht, nuk kam mundur të jetoj me atë, që kam qenë dëshmitar i ngjarjeve të ndryshme, i vrasjeve të ndryshme, plaçkitjeve të ndryshme e i dhunimeve të ndryshme. Sepse unë kam parë se si kanë vrarë, unë kam parë, unë vetëm kam parë, nuk është faji im, se kam parë ... Dikush tjetër kishte qenë gjithashtu në vendin tim", dëshmoi Jovan Goluboviç, ish-anëtar i njësive speciale të policisë serbe, sot në pension, i cili deponoi para prokurorisë për krime lufte që në vitin 2006 dhe pas kësaj hyri në programin për mbrojtjen e dëshmitarëve.     

Megjithatë në vend të mbrojtjes Goluboviç dhe dy prej kolegëve të tij, gjithashtu dëshmitarë, që u takon mbrojtja e posaçme, tregojnë se kanë përjetuar që identiteti u është zbuluar në po atë moment, kur ata kanë dhënë deklarata, përmes të cilave kanë akuzuar policë konkretë, ende aktivë për krimet e bëra në zonat e luftës në të gjithë ish-Jugosllavinë. Për zbulimin e identitetit ata akuzojnë prokurorë të caktuar për krime lufte.

Njësi për frikësimin e dëshmitarëve

"Jetët tona janë jashtë mase në rrezik, vazhdimisht. Që kur kam dhënë për herë të parë dëshmi në prokurorinë për krime lufte, menjëherë më kanë hedhur bombën në lokal dhe në shtëpi. Kam edhe protokoll, deri sot e kësaj dite nuk është zbuluar se kush e ka bërë këtë. Ne tani presim se kur do të vijë plumbi“, flet Slobodan Stojanović, polic, i cili është sot gjithashtu në pension.

Bojan Zlatković, ish-pjesëtar i njësive speciale të antiterrorit (SAJ), u shkarkua nga policia. Ai pohon se kjo ka ndodhur për shkak se ai kishte dëshmuar për krimet dhe beson se njësia për mbrojtjen e dëshmitarëve është në fakt "njësia për frikësimin e dëshmitarëve". „Ky nuk është program mbrojtjeje, por program frikësimi, kërcënimi. Dy vjet familja ime dhe unë durojmë torturën e kësaj njësie për mbrojtjen e dëshmitarëve, me qëllim që të më pengojnë nga dëshmia e mëtejshme," tha më tej Zlatković.

Ratko Mladic, 1993
Ratko Mladic, 1993Fotografi: AP

Kush janë heronjtë dhe kush janë tradhtarët?

Policët, të cilët ishin akuzuar për krime lufte nga këta tre policë, janë mbajtur në paraburgim 90 ditë dhe pas kësaj janë liruar për "të mbrojtur veten", vetëm se gjykimi nuk filloi kurrë. Bojan Zlatković pohon se këto policë janë sot „heronj të luftës“,dhe ai dhe kolegët e tij „tradhëtarë serbë”. „Unë mendoj se nuk është tradhëti të zbulosh vrasësit, të zbulosh njerëzit, që kanë bërë krime, që në sytë e mi kanë vrarë fëmijë me plumb në ballë, që nuk janë më shumë se 13 vjeç. Këto janë njerëz, që kanë përdhunuar gra, që kanë vrarë civilë me urdhër të eprorëve të lartë, e që pastaj kanë ecur përpara si meteoritë..." thotë Zlatković.

Golubović, Stojanović dhe Zlatković thonë se për ta dhe familjet e tyre jeta është berë e padurueshme në Leskovac dhe Vlasotinac, sepse ambjenti përrreth i injoron për shkak të gjoja tradhëtisë. Ndërsa ata, siç thonë, kanë besuar vetëm në demokracinë në Serbi dhe kanë dëshiruar të tregojnë se vetëm pakica e policëve serbë kanë kryer krime në zonat e luftës.

Sidoqoftë, pas përvojave të tilla duhet shtruar edhe pyetja, cili prej policëve do të marrë ende guximin të dëshmojë për krime enigmatike, të cilat janë kryer në emër të po kësaj policie?


Autor: Dinko Gruhonjić/Angjelina Verbica

Redaktoi: Auron Dodi