1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

100509 China Erdbeben

12 Maj 2009

Një vit pas katastrofës në rajon punohet intensivisht për rindërimin. Megjithatë shumë njerëz, të cilët para një viti humbën të afërmit, e kanë të vështirë të shohin drejt së ardhmes.

https://p.dw.com/p/HoIU
Beichuan, 16 maj 2008
5 milionë të pastrehë në Beichuan, 16 maj 2008Fotografi: picture-alliance/ dpa

Ka kaluar një vit qëkurse provinca jugperëndimore e Kinës, Sishuan u trondit nga një tërmet i rëndë. Kjo ishte katastrofa më e madhe natyrore në Kinë qysh prej disa dekadash. Një territor me sipërfaqe sa Koreja e Jugut u shkatërrua më 12 maj 2008, dhe më shumë se 80 000 vetë humbën jetën.

Një memorial i thjeshtë në malet mbi qytetin Beishuan. Ndihet aroma e qirinjve dhe e pishtarëve, flakët e të cilëve valëviten prej erës së ngrohtë verore. Me mëngë të përveshura Zhang Dao Cui, qëndron duke qarë dhe therrët në luginë: "E dashura ime, për pak ditë do të mbushësh tetë vjeç. E ndiej shumë mungesën tënde." Thirrjet e saj jehojnë përtej shpateve të malit. Por nuk vjen asnjë përgjigje. Diku poshtë në luginë ndodhen eshtrat e vajzës së Zhang-ut, Wang Yu Qing. Eshtra të mbuluara prej rrënojave. Në një vjetorin e katastrofës nëna Zhang ka ardhur në Beishuan, për të vajtuar.

Vajzë që qëndron para shtëpisë së rrënuar.
Për të përkujtuar të afërmit, të mbijetuarit e Beishuanit, lejohen tri herë në vit të kalojnë postblloqet e vendosura nga policia dhe ushtria mbi qytetin tërësisht të shkatërruar.Fotografi: AP

Për të përkujtuar të afërmit, të mbijetuarit e Beishuanit, lejohen tri herë në vit të kalojnë postblloqet e vendosura nga policia dhe ushtria mbi qytetin tërësisht të shkatërruar. Në festën e Vitit të Ri kinez, në ditën e të vdekurve në prill dhe tani në një vjetorin e tërmetit. "Shtëpia e nënës sime, ku jetoj tani, ndodhet larg maleve. Me motoçikletë rruga për në Beishuan zgjat katër orë. Do të preferoja të vija çdo ditë këtu, për të vizituar vajzën time."

Nga postblloqet e kontrollit deri lart në mal të çon një rrugë e gjatë me pluhur, që kalon përgjatë lumit në qytetin e rënojave. Kudo të afërmit kanë krijuar përmendore provizore. Ka shumë që djegin letra në formë paraje, një gjest simbolik në Kinë, në mënyrë që të vdekurit në botën tjetër të kenë të ardhura të mira. Ushtarët e Ushtrisë Popullore ruajnë rrënojat. Askush nuk lejohet të kalojë nëpër to, sepse një gjë e tillë është e rrezikshme.

Në qytet, në pjesën e re të qytetit, ndodheshin klasat e para të shkollës fillore, thotë 57 vjeçarja Zhuang Yong Feng duke treguar poshtë malit një grumbull me rënoja dhe copëza betoni në anën tjetër të lumit. Edhe ajo në këtë ditë vere ecën nëpër Beishuan, që duhet të mbahet si memorial dhe si muze. Një pirg rrënojash dhe një varrezë masive. Mësuesja pensioniste humbi përpara një viti burrin e saj. "Të humbasësh para ose të gjithë pasurinë nuk është kaq keq. Më e keqja është të humbasësh të afërmit. Unë jam tani e moshuar dhe s´kam më askënd, as burrin dhe as shtëpi e asgjë tjetër."

Ushtria kineze duke pastruar ruinat.
Ushtria kineze duke pastruar ruinat.Fotografi: picture-alliance/ dpa

Në mes të rrënojave është asfaltuar një copë rrugë, prej nga dëgjohen altoparlantët me muzikë, një kompani ushtarësh të Ushtrisë Çlirimtare Popullore marshon mbi këtë territor. Ata bëjnë prova për ceremoninë përkujtimore. Zhuang Yong Feng as që i hedh sytë andej nga bëhen këto përgatitje. Ajo as që do t' i dëgjojë më parrullat e partisë për një të ardhme më të mirë dhe për heroizmin e popullit.


Në Beiushuan-in e vjetër pjesëmarrësit në ceremoninë përkujtimore ndezin fishekzjarrë, që sipas traditës u japin gëzim të vdekurve. Sipas parrullave zyrtare, rindërtimi po ecën me ritme të shpejta, por shumë të mbijetuar mendojnë, se disa gjëra po bëhen si shumë shpejt. Rindërtimi është mirë, por nga ana tjetër ata nuk duan dhe nuk munden ta harrojnë të kaluarën. Zhang Dao Cui, ndodhet ende në shpatin e malit dhe vështron rrënojat. Për vajzën e saj të vdekur ajo ka sjellë lule mëndafshi: "Unë nuk mund ta harroj atë, nuk mund të shoh përpara. Nëse ke humbur dikë në jetë nuk mund ta zëvendësosh më. Unë do të dëshiroja që vajza ime të jetonte, vetëm kështu do të isha e lumtur."

Autor: Ruth Kirchner / Vilma Filaj Ballvora

Redaktoi: Aida Cama