1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një sinjal ndaj popullatës së vet

24 Dhjetor 2009

Serbia kërkon anëtarësimin në BE

https://p.dw.com/p/LDAN
Presidenti serb Boris Tadic dhe kryeministri suedez Fredrik Reinfeldt.Fotografi: dpa

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, dorëzoi më 22.12. në Stokholm kërkesën e vendit të tij për fillimin e negociatave për anëtarësimin në BE. Kërkesa iu dorëzua udhëheqësit të radhës së presidencës së BE-së, kryeministrit të Suedisë, Frederik Reinfeldt, i cili tha se Serbia me këtë vendim "ka bërë një hap historik". Më 19.12. Bashkimi Evropian hoqi regjimin e vizave për qytetarët e Serbisë, të Malit të Zi dhe të Maqedonisë. Ndërsa në fillim të dhjetorit hyri në fuqi një marrëveshje tregtare mes BE-së dhe Serbisë.
Presidenti i Serbisë Boris Tadiq shpreson shumë nga antarësimi në Bashkimin Evropian: "Përmes integrimit në BE ne krijojmë një ambient të ri të politikës së jashtme, me të cilin Serbia do të jetë një vend i shkëlqyer për investime, do të krijohen vende të reja pune të cilat janë parakusht për zhvillim."
Ndërkaq ekspertët në Ministrinë e Jashtme në Beograd nuk kanë iluzione për sfidat që e presin vendin. Sonja Licht, kryetare e shtabit për planifikim në Ministrinë e Jashtme në Beograd thotë: "Unë besoj që është mirë që kërkesa të bëhet sa më herët që të jetë e mundur. Por më e rëndësishmja është që të bëhen të gjitha sa janë të nevojshme që ne të përgatitemi për hapat e radhës".
Shoqëria serbe duhet të bashkojnë forcat për të realizuar këtë qëllim
Sonja Licht kërkon nga shoqëria serbe që të bashkojnë forcat për të realizuar këtë qëllim: "Ne ndodhemi tani për herë të parë në raport përgjegjësie me Bashkimin Evropian. Andaj është shumë me rëndësi që të përqendrohemi në këtë qëllim. Ne duhet para së gjithash të moblizojmë tërë shoqërinë për të bërë pikërisht atë që është e nevojshme për arritjen e standardeve civile dhe në këtë mënyrë të afrohemi sa më shpejt që të jetë e mundur me BE-në".
Zhivorad Kovaçevici, kryetar i "Lëvizjes Evropiane", një OJQ që i ka prioritet integrimet evropiane thotë: "Nuk mund të lejojmë të ketë hapsirë për presionin e botës apo të Evropës dhe të mendohet për ndonjë alternativë tjetër përveçse Bashkimi Evropian".
Çështja e Kosovës një prej pengesave më të mëdha në rrugën e Serbisë drejt BE-së
Një prej pengesave më të mëdha në rrugën drejt BE-së për Serbinë mund të përbëjë çështja e Kosovës për të cilën ka mosmarrëveshje edhe brenda vetë Bashkimit Evropian. 22 vende të BE-së e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur ndërkohë që Spanja, Greqia, Qiproja, Sllovakia dhe Rumania refuzojnë ta bëjnë këtë. Megjithatë kjo nuk është sfida e vetme për Serbinë.
Përkrahësi i Evropës Zhivorad Kovaçevic: "Ka shumë çështje bilaterale: kufijtë, refugjatët, akuzat ndërshtetërore, dynënshtetësia e kështu me radhë. Këto probleme Bashkimi Evropian nuk dëshiron t'i ketë në radhët e veta".
Një tjetër pengesë në rrugën e gjatë drejt BE-së: Ratko Mladic
Holandezët e bllokojnë ratifikimin e MSA-së (Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit) me Serbinë për sa kohë ish-gjenerali serb i Bosnjës Mladic nuk do të dorëzohet në Tribunalin e Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi. Mladici konsiderohet të jetë përgjegjësi kryesor për masakrën e Srebrenicës në vitin 1995.
Pastaj çështje e hapur mbetet edhe koha kur BE-ja do të jetë e gatshme për t'u zgjeruar me vende të reja. Kroacia dhe Islanda konsiderohen si kandidatet e ardhshme për anëtarësim. Megjithatë brenda vendeve anëtare mbizotëron pikëpamja se pastaj duhet të bëhet një pushim, gjatë të cilit Bashkimi Evropian do të përkujdeset për forcimin e institucioneve të tij të brendshme.

Autorë: Fabian Schmidt / Esat Ahmeti
Redaktor: Pandeli Pani