1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një shembull i arritur i politikës multilaterale të paqes - Presidenti i Gjermanisë Horst Këler viziton Sierra Leonen

Ute Shefer8 Dhjetor 2004

Presidenti i Gjermanisë, Horst Këler, në kuadër të një turi vizitash në Afrikë qëndroi edhe në Sierra Leone, ku pati një program të ngjeshur. Këler foli në parlamentin e vendit, u takua me gjyqtarët e gjyqit special në Fritaun dhe vizitoi institutin për mikrofinancimet.

https://p.dw.com/p/ArRR
Bashkëshortja e presidentit, Eva Këler, në një kamp refugjatësh dhe një valltar popullor në Sierra Leone
Bashkëshortja e presidentit, Eva Këler, në një kamp refugjatësh dhe një valltar popullor në Sierra LeoneFotografi: dpa

Sierra Leone ende nuk është histori e suskesit afrikan. Megjithatë qysh pas fundit të luftës civile përpara katër vjetësh ky vend ka bërë përpjekje të mëdha për avancimin e procesit të krijimit të institucioneve politike dhe për çarmatimin e ish- luftëtarëve. Vlerësimi i këtyre përpjekjeve dhe inkurajimi i partnerëve politikë të bisedimeve për vazhdimin e këtij procesi, janë sinjalet më të rëndësishme që përcjell presidenti gjerman Këler nëpërmjet vizitës në kryeqytetin e Sierra Leones.

Në Sierra Leone ende duhet të përballohen pasojat e luftës civile mëse 10 vjecare, nënvizoi Këler në një konferencë shtypi: "Parimisht unë vlerësoj se janë bërë përparime pas luftës shkatërrimtare. Por ende ka shumë për të bërë. Ne mendojmë, se qeveria ka detyrimin të gjejë një rrugë për vendosjen e drejtësisë, por njëkohësisht ajo duhet të gjejë edhe mjetet financiare, ndoshta edhe me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, për t´i dhënë një shans vendit për zhvillimin ekonomik dhe social. Të rinjtë kanë nevojë për punë. Kur të kthehem në Berlin do të raportoj për gjendjen në Sierra Leone dhe do të bëj të qartë që ky vend ka nevojë për mbështetje për të përballuar pasojat e luftës civile", theksoi presidenti Këler.

Procesi i paqes nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen ndërkombëtare. Mandati i misionit të OKB-së për vendosjen e paqes vazhdon deri në mes të vitit 2005. Parashikohet që mandati i misionit të zgjatet ndonëse në një formacion më të vogël. Bashkëbiseduesit në Sierra Leone i bënë me dije presidentit gjerman, se presin prej tij që të influencojë jo vetëm në Gjermani, por edhe në mbarë Evropën për investime për këtë vend afrikano-perëndimor.

Por Sierra Leone është shumë larg investimeve. Pjesa më e madhe e popullsisë jeton me më pak se 1 dollar në ditë. Ky vend renditet i fundit në listën e indeksit të zhvillimit human. Papunësia është 70-80%. Varfëria është një faktor i rëndësishëm, që mund ta destabilizojë sërish Sierra Leonen. Ky vend është i implikuar edhe me konfliktet në vendet fqinjë të Afrikës Perëndimore, veçanërisht në Liberi. Ish-luftëtarët e luftës civile në Sierra Leone luftojnë tani si mercenarë në konfliktin e Bregut të Fildishtë.

Në fokus të vizitës së presidentit Këler ishin bisedimet me përfaqëasuesit e shoqërisë civile si dhe të gjyqit special për zbardhjen e krimeve të kryera gjatë luftës. Janë gjithsej nëntë procese që po shqyrtohen aktualisht nga gjyqi special. Sipas presidentit Këler gjyqi special luan një rol të madh në procesin e vështirë të përballimit të pasojave të luftës: "Këtë gjyq unë e shoh në të njëjtin kontekst mes komisionin e së vërtetës dhe të pajtimit. Të gjitha këto struktura duhet të bashkëveprojnë për t´u dhënë një perspektivë njerëzve në Sierra Leone për një paqe të qëndrueshme dhe për zhvillim ekonomik e social."

Nën drejtimin e OKB-së pas luftës civile u nxit edhe procesi i çarmatimit. Më shumë se 70.000 ish-luftëtarë janë trajtuar në këtë program. Por vetëm pak prej tyre arrijnë të gjejnë vërtetë punë pas kurseve të trainimit. Kjo ishte edhe njëra prej arësyeve përse, Këler vizitoi institutin e mikrofinancimit duke mbështetur idenë e zgjerimit të kësaj forme financimi edhe për ndërmarrjet e vogla nëpër fshatra. Presidenti Këler u prit përzemërsisht në Sierra Leone. Gjatë viteve të shkuara Gjermania ka qenë një donator i rëndësishëm për këtë vend, rreth 1/4 e parave të BE-së për zhvillimin në Sierra Leone janë lëvruar nga Gjermania.

Presidenti i Gjermanisë bëri të qartë, se e rëndësishme është që procesi i reformave të avancojë me forcat brenda vendit. Në të ka mjaft punë për të bërë për ndërtimin e institucioneve demokratike dhe për luftimin e korrupcionit. Në fjalimin e tij përpara parlamentit në Sierra Leone presidenti Këler u duatrokit me entuziazëm, kur deklaroi, se Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë këtë vend. Këler nënvizoi, se "nuk ka botë të parë, dytë, apo të tretë, por ne të gjithë jetojmë në një botë."