1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një precedent i rëndësishëm

Peter Philipp27 Tetor 2004

Parlamenti izraelit miraton planin e tërheqjes nga Gaza

https://p.dw.com/p/ArRr
Kryeministri izraelit Sharon në Knesset
Kryeministri izraelit Sharon në KnessetFotografi: ap

Është rastësi e megjithatë ka domethënie simbolike fakti që votimi i diskutueshëm i parlamentit izraelit, Knesset, u zhvillua mbrëmjen përpara përvjetorit të nëntë të vrasjes së Jitzchak Rabinit: Ish-kryeministri izraelit u vra ne armë zjarri nga një kolon, i cili nuk e duronte dot që në kuadër të Marrëveshjes së Oslos Izraeli të hiqte dorë nga ngulime në territoret e pushtuara. Tani kryeministri i sotëm Ariel Sharon qëndroi përpara Knessetit për të kërkuar pikërisht këtë: Zbrazjen e Rripit të Gazës dhe shpërbërjen e 22 ngulimeve atje si dhe të katër të tjerave në Bregun Perëndimor të lumit Jordan. Pranë Sharonit qëndronte një truprojë, sepse më shumë se një herë ka pasur shenja se mund të përsëritej ajo që i ndodhi Rabinit më 1995.

Megjithë ngjashmërinë e jashtme krahasimi i Sharonit me Rabinin nuk është as i saktë e as me vend. Nën drejtimin e Rabinit u arrit atëherë suksesi i madh, që Izraeli të njihte Organizatën për Çlirimin e Palestinës, të negocionte me të dhe të tregonte udhën drejt një të ardhmeje më të mirë, me dy shtete në Palestinën historike. Sharoni nga ana tjetër ishte nga ata që që në fillim polemizuan kundër kësaj dhe kontribuan që tensioni në rritje të shkarkohej në përfundim tek vrasja e parë e një kryeministri izraelit.

Pasi Sharoni korri një fitore në Knesset mbi planin e tij të tërheqjes nga Gaza janë të shumtë ata që nxitojnë ta festojnë këtë si "ngjarje historike" dhe t'i nxjerrin dëshmi ish-protagonistit për "Izraelin e madh" se me këtë do të hyjë në histori. Përse "ish"-protagonistit? Sharoni e ka bërë krejt të qartë në fjalën e tij para Knessetit: Ai as që mendon t'i braktisë territoret e pushtuara dhe ngulimet: Ai kërkon ta zbrazë Gazën, sepse e ka për vete dhe për vendin e tij gur në qafë. Në vend të kësaj ai do të përqendrohet tek qëndrimi në Bregun Perëndimor - "Judea dhe Samaria", siç e përshkruajnë izraelitët zemrën e Izraelit, "tokës së tyre biblike".

Megjithatë: Disa vite më parë Sharonit as do ti shkonte në mend të dorëzonte Gazën. Me vendimin e Kenessetit u krijua një precedent i rëndësishëm: Pas 37 vjetësh vendimi i parë për tu larguar së paku nga një pjesë e territoreve palestineze të pushtuara në 1967-ën. Nëse mund të bëhej një krahasim historik, atëherë vetëm me largimin nga gadishulli i Sinait si pasojë e paqes së Camp David-it me Egjiptin: Edhe atëherë u shpërbënë ngulime, edhe atëherë mendoi ish-kryeministri i "Likudit" Begin, se do t'ia dilte të shpëtonte me një tërheqje të pjesshme. Në fund ai u detyrua t'i dorëzonte të gjitha, përndryshe nuk do të kishte arritur paqe. Si edhe tani: Kryeministri nacionalist e kishte të sigurt mbështetjen e opozitës së majtë.

Këtë krahasim duhet ta bënin sot edhe palestinezët, të cilët po sillen me refuzim ndaj planit për Gazën: Sigurisht që një marrëveshje e rregullt për paqen, për tërheqjen dhe për bashkëjetesën e ardhshme do të ishte më mirë, por duke qenë se kjo duket e pamundur edhe për shkak të radikalëve në radhët e veta, palestinezët duhet të marrin atë që munden. Pra fillimisht Gazën, pa hequr dorë nga Bregu Perëndimor. Bota do ti mbështesë për këtë, ndërsa refuzimi nuk do të kuptohet.