1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një minoritar nga Shqipëria kandidon në Greqi

29 Maj 2009

Partia në pushtet Demokracia e Re përfshiu në eurolistën e saj pjesëtarin e minoritetit grek Lefter Dhimitri. Është hera e parë që një minoritar përfshihet si kandidat dhe bile me shanse të mëdha për t'u zgjedhur.

https://p.dw.com/p/I0Ag
Logo e zgjedhjeve për parlamentin evropianFotografi: DW

Lefteris Dhimitriu, siç është emri i tij në greqisht, apo Lefter Dhimitri siç përcillet në shqip, ishte padyshim nga emrat, që tërhoqën vëmendjen në shpalljen e listës elektorale të partisë greke në pushtet, Demokracisë së Re të Kostas Karamanlis, për zgjedhjet europarlamentare të 7 qershorit. Jo pa qëllim Sekretari i partisë, Lefteris Zagoritis, theksoi me këtë rast se “është i lindur në një fshat të Sarandës së Shqipërisë dhe ndër katër gjuhët, që di, është edhe gjuha shqipe”. Elektorati i pjesëtarëve të minoritetit grek të Shqipërisë, që fitoi të drejtën e votës me vendimin e akordimit masiv të nënshtetësisë greke, para dy vjetësh mori mesazhin se për herë të parë kishte një kandidaturë të tij bile e njëmbëdhjetë në listë me shanse shumë të mëdha për një vend në Strasburg.

Lefter Dhimitri
Lefter Dhimitri kandidon për partinë Demokracia e ReFotografi: Niko Anagnosti

Akti i partisë në pushtet meritonte çdo vëmendje se, pavarësisht “hesapit” të vjeljes së votave që përmbante, përcillte qartë mesazhin se erdhi dhe koha e integrimit politik të pjesëtarëve të minoritetit, që këtu e 18 vjet në pjesën e tij dërrmuese jeton dhe punon në Greqi. “Ishte një zhvillim i natyrshëm që një njeri si Lefter Dhimitri me personalitetin, karakterin dhe aktivitetin e tij politik të kandidonte për një formacion të tillë evropian. Shumë shpejt do të ndodhet në gjirin e Parlamentit Evropian” thotë mjeku Jorgo Mano, i cili shton se përfaqësimi politik ishte çështje kohe për një komunitet që me punën dhe kontributin e tij “është bërë tashmë pjesë e jetës ekonomike, sociale dhe kulturore të vendit”. Për bashkëbiseduesin tonë kandidatura e Lefterit ofrohet dhe për një lexim të dytë, që lidhet me cilësinë e qytetarit shqiptar, dhe nuk është e rastit që “shumë shqiptarë të imigracionit e panë me interes, për vetë të ardhmen e tyre integruese”. “Rasti i tij ka anën simbolike, por edhe esenciale të proçesit integrues të shteteve ballkanike në Evropë”.

Konkretisht në rastin e Shqipërisë kemi tashmë një pjesë të konsiderueshme të elektoratit të saj, atë të minoritetit, që aktualisht ka të drejtën e votës dhe të zgjedhjes si çdo qytetar tjetër evropian. Vetë jeta dhe ecuria e Lefterit, lërë e rritur në Shqipëri, i diplomuar në Kamëz për agronomi, prej andej imigrant në Greqi dhe në vazhdim në Qipro, ku punon si drejtues i një enti evropian duke qenë njohës i thellë i politikave evropiane për bujqësinë, me nënshtetësi gjithashtu qipriote dhe impenjim të madh politik në ishull, është shembulli i gjallë i profilit multikulturor të shoqërive të sotme. “Në faqen time elektronike do të lexoni se jam njohës shumë i mirë edhe i gjuhës shqipe. Më vjen mirë që media qipriote nuk anashkalon profilin tim multikulturor. Unë hyra në listë si përfaqësuesi i helenizmit dhe bile ikumenik. Një pjesë e elektoratit tim të bashkëkombasve pra nga Shqipëria, votën e të cilëve kërkoj për Demokracinë e Re dhe shpresoj se do ta kem, kanë cilësinë e qytetarit shqiptar dhe do të votojnë si qytetarë evropianë. Aq më tepër që Shqipëria aplikoi së fundi për të hyrë në familjen evropiane. Uroj që rruga e saj të jetë një rrugë transformimesh dhe plotësimi i të gjitha standarteve” thotë për Deutsche Welle Lefteri dhe me një ndjenjë “faji” për akcentin e tij për shkak të viteve të largimit nga Shqipëria kërkon të shtojë: “Një gjë dua t' u them bashkatdhetarëve të mi: Integrimin nuk ta fal kush. Vendi në oden evropiane fitohet veçse me punë dhe dinjitet”.

Uroj që qytetarët shqiptarë të ndjehen siç thoni. Ajo çka dua të them është se strategjia e sinqertë e Greqisë është që të shohë popujt fqinj në gjirin e familjes evropiane”, tha për kandidaturën e Lefterit në mikrofonin e DW zëdhënësi i ministrisë së jashtme greke deri para pak kohe dhe aktualisht kandidat për Parlamentin Evropian, Jorgos Kumuçakos.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Angjelina Verbica