1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gesundheitsreform USA

22 Mars 2010

Me 219 vota pro Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA miratoi reformën shëndetësore të Presidentit Barack Obama. Ajo u mundëson sigurimin shëndetësor 32 milionë amerikanëve, të cilët deri tani nuk kanë pasur kurrfarë sigurimi

https://p.dw.com/p/MZ60
Presidenti Barack Obama, dhe zv-presidenti Joe BidenFotografi: AP

Ky ishte ky një vendim historik. SHBA-ja ishte për dhjetëra vite me radhë vendi i vetëm demokratik industrial, ku jo të gjithë qytetarët kishin të drejtën e sigurimit shëndetësor. Kjo gjendje e turpshme mori fund. Me votimin në Dhomën e Përfaqësuesve të dielën në mbrëmje fituan të drejtën e sigurimit edhe 32 milionë amerikanë. Por edhe më shumë. Do të marrë fund edhe praktika e largimit nga puna të njerëzve në momentin, kur konstatohet se ata kanë ndonjë sëmundje të rëndë.

Ligji i miratuar nuk është në formën e menduar në fillim. Lufta politike, që zgjati më shumë se një vit dhe që rezultoi me këtë reformë, ka lënë gjurmët e veta. Nuk është miratuar për shembull propozimi që të krijohet një ent shtetëror i sigurimeve. As financimi nuk do të bëhet siç mendohej në fillim, por ligji në shtigje të gjata do të kursejë para dhe do të zvogëlojë deficitin buxhetor, kumtoi zyra përkatëse e Kongresit.

Nancy Pelosi, kryesuese e Dhomës së Përfaqësuesve, bëri të ditur se ligji nuk mori asnjë votë të republikanëve, por është pranuar nga më shumë se 200 pjesëtarë të Dhomës. Kjo nuk i pengoi republikanët që gjatë debatit të gjatë të flasin për totalitarizëm, socializëm dhe mundësinë e përfundimit të lirisë së individit. Deri në momentin e fundit ata përpiqeshin që të rrëzojnë këtë ligj, jo aq tepër për shkak të përbërjes së ligjit, por për të evituar suksesin e Obamës.

Procesi i pashijshëm ka lënë edhe gjurmë. Reforma në fund u shndërrua në një çështje ekzistence për presidentin. Barack Obama u detyrua të investojë më shumë në këtë reformë, se sa do të bënte me dëshirë. Vendimi për shtyrjen e udhëtimeve në Guam, Indonezi dhe Australi ishte një pranim i hapur se i është dashur e gjithë fuqia politike, për të siguruar votat e duhura dhe për të mobilizuar partinë e vet. Ligji u votua vetëm duke i falënderuar një dekreti presidencial, me të cilin u kënaqën kundërshtarët demokratë të abortit. Pas miratimit të ligjit, vetë presidenti kumtoi: është ky një hap në drejtimin e duhur, por jo edhe fundi i debatit.

Për Barack Obamën është kjo një fitore historike në politikën e brendshme, por nuk mund të nënvlerësohet as domethënia e saj në politikën e jashtme. Në politikën e brendëshme ai tani mund të koncentrohet tek zgjidhja e problemeve ekonomike dhe hapja e vendeve të reja të punë, që për amerikanët është edhe më interesant se reforma shëndetësore. Demokratët duhet që në zgjedhjet e ardhshme për Kongres të dëshmojnë rezultate, për të evituar humbjen dramatike të votave. Ndërsa në politikën e jashtme Obamës i jep kjo fitore fuqi për zgjidhjen e krizave ndërkombëtare, ku deri tani ka pasur pak sukses. Ai për herë të parë mund të dëshmojë se jo vetëm që mund të flasë bukur, por ka filluar edhe ndryshimet politike, për të cilat është zgjedhur.

Autor: Christina Bergmann

Redaktoi: Angjelina Verbica