1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një apel nga Auzhvici

Monika Sieradzka
28 Janar 2017

Memoriali Auzhvic i lutet gjermanëve dhe austriakëve të venë në dispozicion të studiuesve dokumenta të kohës së Luftës. Teksa po shuhet numri i të mbijetuarve, të vetmet prova mbeten sendet e dëshmitarëve të kohës.

https://p.dw.com/p/2WWvb
Bilder von Häftlingen in Auschwitz Birkenau
Fotografi: DW/J. Hahn

Diku në dyshemenë e ndonjë çatie dhe nëpër sirtarët e shtëpive në Gjermani dhe në Austri ende mund të gjendet ndonjë letër apo ditar nga koha e nacionalsocializmit, beson drejtori i Muzeut të Auzhvicit Piotr Cywiński.

"Në kampin e përqendrimit Auzhvic ishin 8.000 nazistë dhe numri i të adresuarve, për të cilët ata kanë shkruar letra duhet të jetë shumë herë më i madh", thotë ai. "Në atë kohë, dekada para internetit, shkruheshin letra dhe dërgoheshin fotografi", thotë Cywiński në bisedë për DW. Drejtori i muzeut mendon, se kjo postë pjesërisht është ruajtur dhe se ajo gjendet në arkivat familjarë. E pikërisht në këto arkiva familjarë do të ketë akses ky muze.

Një apel unikal

Pak para 72 vjetorit të çlirimit të kampit të shfarrosjes nga nacionalsocialistët drejtori i Muzeut Auzhvic u drejtohet me një apel gjermanëve dhe austriakëve, që të venë dokumenta në dispozicion të studiuesve.

"Historia e kampit të shfarrosjes Azhvic-Birkenau nuk është tërësisht e njohur”, shkruhet në apelin e tij, që është publikuar në faqen e internetit të muzeumit. Pa i kuptuar motivet dhe mentalitetin e autorëve, të gjitha paralajmërimet, që u drejtohen brezave pasues, do të ndodhin vetëm në mënyrë intuitive. Atyre, që do të venë në dispozicion të muzeut dokumentat nga arkivat e tyre private do t'u garantohet ruajtja e anonimitetit, siguron ai.

Pas luftës vetëm pak dokumenta të SS-ve u zbuluan nga Auzhvici: disa prej tyre ishin koleksione fotografish, një numër i vogël dokumentash nga letrat private dhe ditarë të veçantë. Muzeu që ekziston qysh nga viti 1947 ka sot në fondin e vet kryesisht dokumente zyrtare të administratës së kampit, ndër to kartat personale, që u lëshoheshin SS-ve në kampin e përqendrimit Auzhvic.

Perspektivat e reja ndihmojnë të kuptosh

Museums-Vitrine mit Koffern von Häftlingen in Auschwitz
Fotografi: DW/J. Hahn

45-vjeçari Piotr Cywiński, që drejton prej dhjetë vjetësh Muzeun Auzhvic, e vlerëson si të rëndësishme që të mësohet më shumë lidhur me perspektivën e dorasve. Në këtë mënyrë mund të kuptohet më mirë "influenca e populizmit dhe mekanizmat e urrejtjes ndaj individit". Dokumentat dhe sendet e dorasve mund të ndihmojnë në këtë drejtim. Koha luan një rol të jashtëzakonshëm në këtë drejtim. Vizitorët duhet të bëhen të vetëdijshëm, që sot duhet t'i kushtohet më shumë kohë sensibilizimit të brezave të rinj ndaj rrezikut prej populizmit dhe radikalizmit.

Deri tani historia e Holokaustit e kësisoj edhe e kampit të shfarrosjes Auzhvic kryesisht është treguar nga perspektiva e viktimave. Cywiński dhe ekipi i tij e konsiderojnë të rëndësishme që ta zgjerojnë dimensionin e narrativës së deritanishme. Cywiński megjithatë nuk do që ta keqkuptojnë: nuk është fjala që të tregohet historia ndryshe po që krimi të shihet nga një tjetër këndvështrim, shpjegon ai. Dokumentat thjeshtë duhet të mundësojnë, që të hulumtohet më thellë se deri tani realiteti i dorasve.

65 Jahre Befreiung Auschwitz
Fotografi: AP

"Eshtë e rëndësishme, që efekti i propagandës naziste të analizohet dhe t'u afrohemi më shumë gjurmëve të mekanizmave psikologjikë", thotë drejtori. "Si kanë qenë marrëdhëniet reciproke të dorasve? Si kanë influencuar krimet, që u bënë buka e tyre e përditshme, ndaj jetës së tyre familjare?", këtë do të dijë ai. "Nëse do të bëhej e mundur që mbi bazën e dokumentave të gjitha të analizohen në mënyrë të detajuar, atëherë mund të plotësohej imazhi aktual për kampin e shfarosjes Auzhvic", beson Cywiński.

Në kuadër të 72 vjetorit të çlirimit të kampit të përqendrimit Auzhvic-Birkenau, ku 1.1 milionë njerëz gjetën vdekjen, prezantohet ekspozita "Arkeologji": Për herë të parë aty tregohen sende personale, që kanë zbuluar arkeologët gjatë punimeve 50 vjeçare në afërsi të krematorit të Birkenaut. Këto sende u përkisnin njerëzve të vrarë atje, të cilat i kanë pasur me vete deri në çastet e fundit të jetës në dhomat e gazit.

Me një prezantim impresionues ekipi i historianëve të Muzeut Auzhvic do të demonstrojë se sa afekt autentik kanë sendet e kujtimit dhe përmes kësaj të përforcojnë edhe një herë apelin ndaj opinionit gjerman dhe austriak. Dikur të tilla sende do të jenë dëshmi të  vetme nga ajo kohë. Numri i të mbijetuarve po ulet në mënyrë drastike nga viti në vit.