Nismëtar i rrëzimit të regjimit komunist | Evropa | DW | 24.03.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Nismëtar i rrëzimit të regjimit komunist

Papës i akordohet Çmimi i jashtëzakonshëm i Karlit të Madh

default

Papës, Gjon Palit II i akordohet sot në Vatikan vlerësimi më i madh që ka, Çmimi i jashtëzakonshëm i Karlit të Madh. Çmimi i rregullt i Karlit të Madh 2004 do t'i jepet kryetarit të parlamentit evropian, irlandezit Pat Cox si zakonisht në muajin maj në Ahen. Me këtë rast vlerësohet edhe roli i Papës në rrëzimin e Perdes së Hekurt.

***

Kur kardinali karizmatik nga Krakova, Karol Woytila u zgjodh Papë në konklavën e vitit 1978 në fronin e Pjetrit nuk po ulej vetëm i pari joitalian që prej 455 vitesh, por edhe i pari sllav nga një vend komunist. Komunizëm dhe kapitalizëm quheshin atëherë kundërshtarët e mëdhenj të katolicizmit.

Antikomunisti Karol Woytila e njihte armikun lindor nga botëkuptimi i tij. Ai i shfrytëzoi me instinkt të jashtëzakonshëm mundësitë e veta për të ndikuar mbi Poloninë ende thellësisht katolike. Kjo ndoshta nuk e tronditi gjithë bllokun lindor, por e acaroi së tepërmi. Merita e tij në rrëzimin e mëvonshëm të sistemit komunist në Evropën Lindore, para së gjithash në fazën e hershme të pontifikatit të tij, nga viti 1978 deri në mes të viteve tetëdhjetë është e padiskutueshme. Siegfried Weichlein, historian në Universitetin e Humboldit në Berlin:

"Me të vërtetë roli i Karol Woytilës pas 1978-ës mbi të gjitha në Poloni në themelimin e Solidearnosc-it dhe më pas në ngritjen e lëvizjes punëtore, katolike në Poloni nuk ka të çmuar. Kjo duket më qartë në zemërimin e pamatë të udhëheqjes komuniste në Kremlin për Madonën e Zezë të Çenstohau, Shën Mërinë polake. Më së vonëti në verën e 1980-ës komunistëve nuk u vinte më të qeshnin për bestytni të tilla siç thoshin ata, e më pas gjatë vizitave të Papës kur miliona polakë shihnin tek kjo figurë shpirtërore një pikë mbështetjeje dhe bashkimi për qëndresën politike. Madona e Zezë mund të vlerësohet madje si një figurë, e cila ndryshe nga për çfarë njihej në perëndim, simbolizonte energjinë organizuese në rezistencën kundër Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe regjimit polak.

Gjatë vizitës së tij të parë në Poloni në 1979-ën Papa u bëri thirrje miliona bashkëatdhetarëve entuziastë: "Mbrohuni nga çdo gjë që shkel dinjitetin e njeriut". Kjo i afrohej mjaft përzjerjes në punët e brendshme. Një vit më vonë punëtorët e kantierit detar Lenin u hodhën në grevë. Ajo çoi në krijimin e sindikatës së parë të lirë në bllokun lindor. Në këtë atmosferë të re që krijoi sindikata polake Solidarnosc, Gjon Pali II propagandoi doktrinën sociale, katolike si alternativë ndaj komunizmit dhe kapitalizmit.

"Roli aktiv i Papës në lëvizjen Solidarnosc mund të përshkruhet së pari me anë të ndihmës organizative. Me ndihmë papënore kisha ndërtoi në Poloni një rrjet për lëvizjen punëtore, antikomuniste. Ana tjetër është mbështetja morale. Po e shpreh njëherë nga këndvështrimi polak: mbështetja morale, fakti që njëri prej nesh polakëve u bë Papë i kishës katolike, romane. Ky ishte një vlerësim i jashtëzakonshëm për vetëdijen e katolicizmit polak. Motivet e rezistencës që deri atëherë ishin private u kthyen në publike."

Vatikani pëlqen ta konsiderojë Gjon Palin II si kryenismëtar për shembjen e komunizmit, por ai vetë nuk e ka glorifikuar kurrë rolin e tij. Nga pikëpamja historike duhet folur për një kontribut udhërrëfyes për tejkalimin e komunizmit dhe drejt një ribashkimi paqësor të Evropës.

"Kam rezerva lidhur me vlerësimin e tij përgjithësisht si nismëtari i rrëzimit të regjimit komunist. Ka një sërë faktorësh strukturorë në Evropën Lindore që kanë të bëjnë kryesisht me zhvillimin ekonomik dhe të armatimit si dhe me paaftësinë për të rigjeneruar elitën komuniste, pra për të kryer ndërrimin e brezave. Me glastnostin dhe perestroikën ideja e reformave gjeti edhe në bllokun lindor strukturën e vet. Por do të kalonte kohë deri sa të vinte 85-a gerontokracia, koha e princëve të sëmurë të Kremlinit kur kujdesi dhe goditja me forcë alternoheshin çdo muaj - në këtë fazë u bashkuan forcat katolike, iu dha zemër dhe u financuan. Kjo i dedikohet Vatikanit dhe para së gjithash Papës.

Gjon Pali ishte në të njëjtën kohë pararendës në zgjerimin evropian në lindje. Si sllavi i parë në fronin e Pjetrit ai mishëron siç i duket edhe vetë bashkimin shpirtëror të Evropës së krishterë, të karakterizuar nga dy tradita: ajo e perëndimit dhe ajo e lindjes. Karol Woytila e ka përmendur shpesh që Evropa "ka dy mushkëri" dhe merr frymë me të dyja. Patjetër me llogari politike u bë shpallja dy vjet pas marrjes së detyrës prej tij e dy apostujve sllavë: Kiril dhe Metod apostuj të Evropës, të shenjtë me funksion udhërrëfyes. Së bashku me katër patronët e shenjtë perëndimorë ata përfaqësojnë nga pikëpamja fetare dhe kulturore larminë kombëtare të kontinentit, ndarjen e tij dhe tejkalimin e kësaj ndarjeje nëpërmjet besimit.

Vizioni final i Papës për Evropën mbeti i paarritur: tejkalimi i ndarjes midis kishës perëndimore dhe asaj lindore, midis Romës dhe kishave ortodokse. Edhe bashkëjetesën e Evropës Gjoni Pali II e përfytyronte ndryshe. Pas transformimeve politike ai kërkoi pa u lodhur që vendet e Evropës lindore të riktheheshin tek rrënjët e tyre të krishtera. Kjo deri më sot nuk ka ndodhur. Madje edhe referimi tek zoti i kërkuar prej tij për kushtetutën evropiane nuk fitoi dot shumicën. Evropa ka kohë që ka arritur stadin paslaik.

  • Data 24.03.2004
  • Autor Carola Hossfeld
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArHw
  • Data 24.03.2004
  • Autor Carola Hossfeld
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArHw