1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Taliban Ausstieg

27 Janar 2010

Qeveria afgane dhe disa shtete perëndimore planifikojnë t'u japin para luftëtarëve radikalë, që janë të gatshëm të heqin dorë nga lufta. Po a shiten luftëtarët talibanë dhe a mund të zgjidhet me dollarë konflikti afgan?

https://p.dw.com/p/Lhzd
Dorëzim armësh në Afganistan
Dorëzim armësh në AfganistanFotografi: DW

Siç dihet të folurit është argjend, por heshtja është flori. Por në qeverinë e Kabulit këto ditë për këtë fjalë të urtë nuk do të dijë kush. Të flasësh është flori, thotë presidenti afgan Hamid Karzai. Ai flet me kundërshtarët e tij, talibanët. Në fjalimin e tij të fundit presidenti deklaroi se po planifikon një program heqjeje dorë nga dhuna për talibanët e lodhur nga lufta. Ai tha shprehimisht: të gjithë luftëtarët, madje edhe vetë udhëheqësi i talibanëve Mullah Omar, janë të ftuar të ulin armët dhe të kontribuojnë në ndërtimin e shoqërisë afgane.

Të gjitha përpjekjet e Kabulit për t'i joshur financiarisht talibanët deri tani të pasuksesshme

Kjo ide nuk është e re. Qeveria afgane punon prej së paku katër vjetësh për riintegrimin e luftëtarëve talibanë në shoqërinë afgane. Për këtë qëllim është ngritur një institucion përkatës, që i përgjigjet drejtpërdrejt presidentit. Por të gjitha përpjekjet e Kabulit për t'i dobësuar talibanët me joshje financiare kanë qenë deri tani të pasuksesshme.

E re në gjithë këtë debat është se shumë shtete perëndimore, ndër to edhe Gjermania, janë tani të gatshme që të ndjekin edhe një herë me shuma milionëshe rrugën e vjetër dhe të pasuksesshme të Kabulit. Perëndimi duket se është lodhur prej luftimeve dhe kapet pas çdo fijeje shprese. Presidenti Karzai është i entuziazmuar nga sinjalet e mbështetjes prej Perëndimit. Ai mendon se me ndihmën shtesë të Perëndimit shumë luftëtarë talibanë do të ulin tani armët dhe do të ndahen nga dhuna duke u kthyer në anëtarë aktivë të shoqërisë afgane. Kjo është e menduar tepër thjesht dhe jo thellë: Kush beson se luftëtarët talibanë mund të blihen me para, i njeh shumë pak strukturat dhe motivet e kësaj organizate radikale, islamike.

Projet i nismës "Aid for Afghan Children"
Projet i nismës "Aid for Afghan Children"

Talibanët nuk luftojnë për para, ata nuk luftojnë as për çlirimin e Afganistanit, por për fitoren e fesë islame mbi të pafetë. Talibanëve nuk u mungojnë rekrutët vullnetarë. Shumica e të rinjve në Afganistan dhe para së gjithash ata në brezin kufitar me Pakistanin, janë pa punë dhe pa perspektivë. Numri i tyre arrin miliona. Shumë prej tyre janë të përfshirë nga fanatizmi dhe ata janë gati të sakrifikojnë jetën e tyre në Tokë për hir të mbretërisë së Zotit në parajsë.

Talibanët e kanë refuzuar gjithnjë çdo propozim paqeje të Kabulit. Deri tani ata nuk e kanë njohur presidentin Hamid Karzai dhe qeverinë e tij si partner në bisedime.

Pa dyshim, jo kushdo që lufton kundër qeverisë në Afganistan është luftëtar fanatik; por kush ul sot armën për arsye të parave, do ta merrte atë në dorë nesër për të njëjtën arsye.

Një program për luftimin e korrupsionit dhe politikës së gabuar të rindërtimit do të ishte më i rëndësishëm

Miliona dollarët, që shkohen dëm për të ashtuquajturin program të heqjes dorë, nevojiten urgjentisht në sektorë të tjerë. Afganistani ka marrë fund ekonomikisht, me gjithë tetë vjetë rindërtim. Shumica e njerëzve jetojnë ende pa rrymë elektrike, pa ujë të pijshëm dhe pa perspektivë pune. Përveç kësaj shumë njerëz përballen me një qeveri të korruptuar, që nuk është në gjendje të zgjidhë problemet e tyre. Afganët nuk kuptojnë as përse bashkësia ndërkombëtare është kaq e druajtur në ngritjen e ushtrisë dhe të policisë afgane.

Një program për heqjen dorë prej korrupsionit dhe politikës së gabuar të rindërtimit do të ishte ndoshta më i rëndësishëm. Kush është në gjendje t'iu ofrojë një perspektivë më të mirë njerëzve në Afganistan, e ka në xhep çelësin e fitores kundër talibanëve dhe ekstremistëve të tjerë në këtë rajon.

Autor: Ratbil Shamel
Redaktor: Pandeli Pani